2009-06-05 18:19:59

Ipeshkvijtë e Venezuelës, për vizitë “ad Limina” në Vatikan. Kardinali Orosa Savino: punojmë për rilindjen shpirtërore e morale të Vendit.


(05.06.2009 RV)RealAudioMP3 Që nga fillimi i muajit, ipeshkvijtë e Venezuelës janë në Vatikan, në vizitë ‘ad Limina’, për t’i paraqitur Benediktit XVI dhe Kuries Romake situatën e Kishës së tyre. Është një bashkësi, që sot numëron 45 ipeshkvij, prijës shpirtëror të një popullsie 90% katolike, në gjirin e 27 milion banorëve. Ashtu si Kishat e tjera latino-amerikane, edhe Kisha e Venezuelës mori shtytje të fuqishme shpirtërore nga Konferenca V e Përgjithshme e Episkopatit në Aparesida. Në mikrofonin tonë, primati i Kishës venezuelane, kardinali Jorge Urosa Savino, kryeipeshkëv i Karakasit, niset pikërisht nga dokumenti i Aparesidës, për të na shpjeguar përtëritjen e Kishës në vendin e tij:

Përgjigje: - Jemi duke ndjekur pikërisht rrugën e përvijuar nga Këshilli plenar i Venezuelës, nga dokumenti i Aparesidës: atë të afrimit të të rinjve në misionin e Kishës. Besoj se është një sfidë e madhe e, njëkohësisht, edhe një impenjim i madh baritor: duhet të përpiqemi me të gjitha forcat për ta bërë sa më të pranishëm Krishtin në botën rinore.
Një sfidë tjetër e madhe, që na kujton Aparesida, e edhe Këshilli ynë plenar, është ajo e punës baritore me familjen sepse, ashtu si në shumë vende të tjera të botës, edhe në Venezuelë familja është shumë e ligshtë, e shpërbërë, e prekur thellë nga shekullarizmi, nga relativizmi e nga egoizmi i botës moderne. Është një fushë e impenjimit tonë baritor, së cilës duam t’i kushtojmë impenjim e entuziazëm.
Një sfidë tjetër me rëndësi të dorës së parë, është edhe ajo e thirrjeve meshtarake. E kjo sepse jo në të gjitha zonat kemi të njëjtën rritje. Vërehet më shumë shtimi i numrit të priftërinjve dioqezanë, por më pak, i rregulltarëve, posaçërisht i rregulltareve. Në disa zona thirrjet janë të shumta, ndërsa në Karakas e në pjesën perëndimore të vendit, situata është më e ndërlikuar, ka më pak thirrje.
E një detyrë e rëndësishme për ne, së cilës nuk i jemi shmangur kurrë, është edhe denoncimi i situatës kritike në të cilën jeton Venezuela, ku ka shumë prirje për konflikte e polarizim të shoqërisë. E kemi bërë këtë përmes Letrës baritore, botuar prillin e kaluar, duke theksuar se Kisha po bën veprën e saj të ungjillëzimit, të kumtimit të mesazhit të Krishtit, prandaj dëshiron të jetë faktor uniteti në këtë situatë polarizimi që po pëson populli venezuelan. Duam të japim kontributin tonë për paqen e progresin e Venezuelës e për zgjidhjen e problemeve të popullit tonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.