Gazeta e Vatikanit “l’Osservatore Romano” mbi fjalimin e presidentit Obama në Kajro
Gazeta e përditshme e Selisë së Shenjtë “l’Osservatore Romano”, i kushton sot faqen
e parë fjalimit të Barack Obamës mbajtur mbi Islamin në Kajro me titullin “Islami,
një pjesë e Amerikës”. “Pa i mbyllur sytë para divergjencave e tensioneve, pa iu shmangur
paragjykimeve e problemeve – shkruan gazeta papnore – Barach Hussein Obama ka propozuar
një fillim të ri në marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara e botës islamike”.
“Në fjalimin e shqiptuar sot paradite në xhami-universitet të Al Azharit të Kajros
pas takimit në vizitën e xhamisë së Sultan Hasanit – vijon l’Osservatore Romano –
presidenti i parë afro-amerikan i SHBA-së është shty përtej formulave politike, duke
evokuar interesat e përbashkëta në emër të një bote njerëzore të përbashkët. Aspiratat
e përbashkëta të çdo njeriu, ‘të jetojmë në paqe e siguri, të marrim një edukatë e
të punojmë me dinjitet; ta duam familjen, bashkësitë tona e Hyjin tonë. Ky është terreni
apo baza nga e cila duhet të nisemi, edhe në emër të asaj lirie fetare që në SHBA
u garantohet të gjithëve e që islamin e bënë pjesë të Amerikës”. Në fjalimin e
tij Obama ka prekur shtatë pika: luftimin e ekstremizmit, çështjen izraelito -palestineze,
bërthamoren iraniane, demokracinë, lirinë fetare, të drejtat e grave, zhvillimin ekonomik.
Duke përkujtuar 11 shtatorin e vitit 2001. presidenti është përqendruar para së
gjithash mbi situatën në Afganistan: “Nuk kemi shkuar pse kemi zgjedhur, por për nevojë.
Më lejoni të shpjegohem. Al Kajda atë ditë vrau gati tremijë persona. Viktimat qenë
burra, gra e fëmijë të pafajshëm e të shumë Kombeve tjera, që nuk patën bërë kurrë
asnjë të keqe askujt”. Al Kajda është një kërcënim ende i pranishëm, me degëzime në
shumë Vende, e duhet të luftohet.