2009-06-04 17:23:15

Benedikti XVI inkurajon zbatimin e plotë të Konventës së OKB-së për të drejtat e fëmijëve


(04.06.2009 RV)Është urgjente më shumë se kurrë të zbatohet plotësisht Konventa e OKB-së për të drejtat e fëmijëve: kjo është thirrja e Papës Benedikti XVI në një mesazh, që mban firmën e sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Tarçizio Bertone. Mesazhi u lexua sot paradite nga kryeipeshkvi Silvano Maria Tomazi, në mbledhjen e organizuar në Gjenevë nga Biçe, Byroja ndërkombëtare katolike për fëmijët, e cila po promovon me një sërë iniciativash, atë që e ka quajtur “Thirrja botërore për një mobilizim të ri në favor të fëmijëve”.
Konventa e OKB-së mbush tashmë 20 vjet e zbatimi i saj, nënvizon Ati i Shenjtë në mesazh, është i domosdoshëm para sfidave të reja epokale. Papa vë theksin mbi “respektimin e dinjitetit dhe të drejtave të patjetërsueshme të fëmijëve”, mbi “njohjen e misionit themelor edukativ të familjes” dhe mbi “nevojën e një ambienti shoqëror të qëndrueshëm, që të favorizojë zhvillimin fizik, kulturor e moral të çdo fëmije”. Benedikti XVI i inkurajon institucionet katolike dhe organizatat jo qeveritare të vazhdojnë punën për zbatimin e drejtë të Konventës e për ndërtimin e një të ardhmeje shprese, sigurie e lumturie për fëmijët e kësaj bote. Vëzhguesi i Vatikanit në selinë e OKB-së në Gjenevë, imzot Silvano Maria Tomazi shpjegon në mikrofonin tonë përmbajtjen dhe rëndësinë e Konvetës për të drejtat e fëmijëve:
“Kjo Konventë ka parime themelore si e drejta për jetën, e drejta për edukimin, për mbrojtjen, për lirinë e fëmijëve e, sidomos, i konsideron fëmijët si persona me të drejta, që duhen njohur e respektuar si të drejta njerëzore. Është e nevojshme të përtërijmë përpjekjet për t’i kthyer në vepra. Për këtë, Byroja ndërkombëtare për fëmijët (Biçe) bën një thirrje globale që këto parime të përgjithshme të kthehen në aksione konkrete. Thirrja globale dëshiron ta shkundë botën nga plogështia e t’i nxisë shtetet që të marrin masa konkrete për fëmijët. Në këtë perspektivë, ne impenjohemi dhe kemi organizuar këtu në Kombet e Bashkuara, jo vetëm një aktivitet diskutimi e sensibilizimi, por edhe një ekspozitë me vizatimet e fëmijëve, me fotografi që tregojnë gjendjen e vërtetë të botës, përsa u përket problemeve të vogëlushëve. Tregojnë gjithashtu cilat janë masat konkrete që merren, cila është rruga më e mirë për t’i nxjerrë fëmijët nga situatat e vështira, që nuk respektojnë në asnjë mënyrë dinjitetin e tyre”.







All the contents on this site are copyrighted ©.