2009-06-03 18:57:34

Imzot Nikë Prela në 91 vjetorin e ditëlindjes.


(03.06.2009 RV)RealAudioMP3 Imzot Prela lindi në Kotorr më 3 qershor 1918. Ndoqi rrugën e meshtarisë, që e çoi në detyrën e lartë të ipeshkvit të dioqezit të lashtë të Shkup-Prizrendit, bari i të cilit qe qysh nga viti 1970 deri në vdekje.
Jetoi me Zotin e për Zotin, me popullin e për popullin, duke shkrirë të gjitha energjitë e veta për ta ndriçuar me dritën e Ungjillit. Si meshtar, punoi me të gjitha forcat, me fjalë e me vepra për të kumtuar Ungjillin e Krishtit; si ipeshkëv, tregoi kujdes të veçantë për thirrjet meshtarake dhe talentet e reja, duke i hapur rrugën lulëzimit të veprimtarisë fetare-kulturore-atdhetare. Iu vu ai vetë punës dhe botoi një sërë veprash, ndërmjet të cilave, Fjalorin Biblik.
Si atdhedashës, të cilit i dhimbsej vendi e populli i vet, trokiti portë më portë në zyrat e larta kudo nëpër botë për të mbrojtur me kërrabën e bariut, grigjën që i qe besuar, rrethuar nga ujqërit e uritur. Dha kështu një kontribut të shquar në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, veçmas të Kosovës.Mbylli sytë më 25 shkurt 1996.
Në 91-vjetorin e lindjes së Prelatit, përkujtojmë sidomos veprën që i la trashëgim Kishës katolike dhe popullit shqiptar, duke mbetur kështu i gjallë në kujtesën e gjindes së vet. Shfletuam sot arkivin tonë dhe shkëputem nga një intervistë e tij e dhënë radios sonë, kur kishte ardhur në Romë për t’i kërkuar Papës Gjon Pali II ndihmë për Kosovën, këtë fragment simbolik:RealAudioMP3
Tashmë për figurën e imzot Nikë Prelës, përveç një mori shkrimesh që na la trashëgim, studimesh, artikujsh, kujtimesh e shënimesh të tjera, kemi edhe një monografi të plotë, shkruar nga Frrok Kristaj. Përmes saj njohim ‘Njeriun me ideale të larta fetare e kombëtare, të pranishëm në ngjarjet më të rëndësishme politike e patriotike, bashkëpunimin e tij të ngushtë me dr. Ibrahim Rugovën për njohjen dhe për statusin e Kosovës, pa harruar kurrë misionin e tij të madh fetar e human, si bari shpirtrash.Në monografi nuk mungojnë edhe përshkrimet e vizitave  me interes kombëtar të Imzot Prelës nëpër botë si dhe shumë mendime e poezi kushtuar Prelatit shqiptar.







All the contents on this site are copyrighted ©.