2009-06-03 19:39:09

Benedikti XVI për jetëshkrimin e Rabano Mauro-s.


(03.06.2009 RV)I lindur në Mainc të Gjermanisë, rreth vitit 780, Rabano hyri shumë i ri në manastir. Iu shtua emri Mauro pikërisht për të kujtuar Mauron e ri i cili, sipas Librit të Dialogëve të Shën Gregorit të Madh, iu besua, akoma fëmijë, nga prindërit, fisnikë romakë, abatit Benedikti nga Norçia. Kjo hyrje e parakohshme e Rabanos si ‘puer oblatus’ në botën monastike benediktine, e frytet që ai mblodhi për zhvillimin e tij njerëzor, kulturor e shpirtëror, ndikuan për të hapur një spirale tejet interesante jo vetëm në jetën e murgjërve e të Kishës, por edhe në jetën e mbarë shoqërisë së epokës së tij, që njihej si epoka ‘karolinge’. Për ta, ose ndoshta për vete, Rabano Mauro shkruan: “Disa kanë pasur fat t’i njohin Shkrimet Shenjte që në moshë të njomë (“a cunabulis suis”) e u ushqyen aq mirë me shujtën që u dha Kisha, sa të lartoheshin, me edukatën e përshtatshme, në urdhërat e shenjta më të larta.
Me kulturën e tij të jashtëzakonshme, Rabano Mauro tërhoqi shumë shpejt vëmendjen e të mëdhenjve të kohës së tij. U bë këshilltar i princave, u impnejua për të siguruar bashkimin e perandorisë e u dha të gjithëve këshilla me vlerë, gjithnjë të bazuara mbi Shkrimin Shenjt. I zgjedhur më parë abat i manastirit të famshëm të Fuldës e më pas, kryeipeshkëv i qytetit të lindjes, Maincit, nuk e ndërpreu kurrë studimin e rregullt, pa dëmtuar misionin e lartë, që i qe ngarkuar.
Na la trashëgim himnin ‘Venni Creator Spiritus”, sintezë e jashtëzakonshme e pneumatologjisë së krishterë; veprën poetike “De Laudibus Sanctae Croce”, kushtuar misterit të Kryqit, me vlera të veçanta artistike, duke e përshkruar Kryqin Shenjt jo vetëm poetikisht, por edhe duke e pikturuar brenda të njëjtit kodik, shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit ndërmjet dy arteve. Si e pikturon Kryqin, shkruan: “Sa herë i lartojmë sytë nga Kryqi, kujtojmë Atë që pësoi për ne, që na shkëputi nga pushteti i terrinave, duke pranuar vdekjen, për të na bërë trashëgimtarë të jetës së pasosur”.
Kjo metodë e kombinimit të arteve, intelektit, zemrës e ndjenjave, që vinte nga Lindja, do të ndikonte fuqimisht mbi zhvillimin artistik të Perëndimit, duke arritur në maja të pakrahasueshme në kodet e stolisura me miniatura të Biblës e në vepra të tjera të fesë e të artit, që lulëzuan në Evropë, derisa u shpik shtypi e përtej.
Nga ai mbetën edhe ‘Carmina’-t e famshme, për t’u përdorur vetëm në kremtimet liturgjike. Duhet kujtuar se Rabano Mauro nuk iu kushtua kurrë artit poetik si qëllim në vetvete, por e vuri gjithnjë në shërbim të njohjes e të thellimit të Fjalës së Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.