2009-06-02 16:32:38

Kardinali Zen: Situata e Kishës Katolike në Kinë është shqetësuese dhe është përkeqësuar këto vitet e fundit.


(02.06.2009 RV)Situata e Kishës Katolike në Kinë është shqetësuese dhe është përkeqësuar këto vitet e fundit. Kështu u shpreh dje kardinali Zen Ze Kjun në një konferencë për shtyp mbajtur në Hong-Kong. Prelati akuzoi qeverinë kineze se është përpjekur të korruptojë disa ipeshkvij që janë emëruar me “miratimin e dyfishtë” të Selisë Shenjte por edhe të qeverisë kineze, për t’i bindur këta që të mbështesin nevojën e shkëputjes së Kishës Katolike Kineze nga Vatikani.
Pastaj kardinali vuri në dukje se në Kinë sot për sot ka afro 60 ipeshkvij, ndër të cilët, më pak se dhjetë nuk e kanë marrë miratimin e Selisë Shenjte. Ndërmjet të tjerash prelati akuzoi edhe drejtuesit e Shoqatës Patriotike të Katolikëve Kinezë se po pengojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Vatikanit dhe Kinës, marrëdhënie këto që siç dihen janë ndërprerë në vitin 1951.
Deklaratat e kardinalit Zen u bënë në kuadrin e aktiviteteve përkujtimore për viktimat e masakrave të 4 qershorit 1989 në Sheshin Tienanmen, kur ushtria kineze shtiu me armë kundër studentëve të cilët që prej dy muajsh kërkonin ndërtimin e një sistemi demokratik.







All the contents on this site are copyrighted ©.