2009-06-01 17:38:31

“Të ndërtohet një shtëpi më e mirë evropiane”: është urimi i ipeshkvijve të Komeçes për zgjedhjet parlamentare evropiane.


(01.06.2009 RV)RealAudioMP3 Javë vendimtare për vendet e Bashkimit Evropian. Të enjten, më 4 qershor – së bashku me votën e Britanisë së Madhe dhe të Vendeve të Ulta – fillon procesi elektoral për përtëritjen e Parlamentit Evropian, proces që do të përfundojë të dielën, më 7 qershor. Takimi me kutitë e votimit u takon 375 milion zgjedhësve, të cilët do të caktojnë 736 deputetët, që do të qeverisin Evropën për 5 vitet e ardhshme. Kujtojmë se Parlamenti Evropian mbush 30 vjet, me zgjedhjet e para plebishitare të organizuara në vitin 1979. Me rastin e zgjedhjeve të sivjetme, Komeçe, Komisioni i Episkopateve të Bashkimit Evropian, ka publikuar një deklaratë me titull “Të ndërtojmë një shtëpi më të mirë evropiane”. Mbi këtë dokument, ndalet në mikrofonin tonë ipeshkvi i Piaçenca-Bobios, Xhani Ambrozio, delegati i ipeshkvijve italianë në Komeçe:
Shtëpia evropiane duhet të jetë më e mirë, në masën me të cilën respektohen të drejtat themelore të njeriut, në masën me të cilën respektohen ndryshimet ndërmjet popujve. Shtëpia nuk mund të banohet vetëm nga teknokracia apo nga burokracia, të cilat gjithsesi janë të rëndësishme: shtëpia duhet banuar nga popujt, nga kulturat e tyre, nga respekti i anasjelltë, e sidomos, duke pohuar ato parime të mëdha që përbejnë qytetërimin evropian, duhet bazuar e themeluar mbi krishterimin. Që këtej, respekti për jetën e njeriut, për drejtësinë, solidariteti shoqëror. Ja, e gjithë kjo e bën më të mirë shtëpinë evropiane.
Ipeshkvijtë evropianë të Komeçes nënvizojnë se votimi është e drejtë, por edhe detyrë e përgjegjësi për të krishterët. Por dimë sa pak identifikohen njerëzit në shumë vende, me institucionet evropiane. Si të kapërcehet kjo pengesë?
Jemi të vetëdijshëm për pakësimin e një lloj entuziazmi ndaj Bashkimit Evropian. Por njëkohësisht, jemi të ndërgjegjshëm edhe për rëndësinë themelore të Evropës. Nuk ka të ardhme për popujt tanë pa Bashkimin Evropian. Kjo do të thotë të njohësh mbrojtjen e paqes, të garantuar, të siguruar gjatë këtyre 64 vjetëve pas fundit të Luftës II Botërore. Kjo është një vlerë kaq e rëndësishme sa s’mund të lihet mënjanë. Vlerat e mëdha si paqja, por edhe aspekte konkrete nga pikpamja ekonomike, meritojnë vërtet të vihen në dukje. Duhet të japim kontributin tonë si të krishterë. Nëse kishat tona do të tregojnë me vepra se ato rrënjë nga të cilat vjen tradita kulturore evropiane janë akoma të gjalla e në lulëzim, besoj se popujt evropianë do ta kuptojnë. Është shpirti ynë. Nuk mund t’ia lemë Evropën në dorë teknokracisë, duke humbur shpirtin.








All the contents on this site are copyrighted ©.