2009-06-01 17:16:14

Përcillet për në banesën e fundit kompozitori Gjon Kapedani


(01.06.2009 RV)U nda nga jeta kompozitori Gjon Kapedani, që u përcoll sot për në banesën e fundit në Shkodër, qytet ku u lind 75 vjet më parë. Atje, Gjon Mark Kapedani kreu shkollën fillore françeskane dhe më pas atë të mesme.
Dëshira për t’u marrë me muzikë i lindi që në moshë të vogël, kur këndonte në korin e Kishës së Gjuhadolit, ndërsa pasioni i tij për muzikën u mbështet nga Atë Filip Mazrekaj e më vonë, nga Prenk Jakova e Tonin Harapi, që ndikuan në formimin e tij muzikor. Në vitin 1969 përfundoi studimet e larta në Konservatorin shtetëror të Tiranës duke marrë titullin "Kompozitor", nën kujdesin e profesorit Çesk Zadeja.
Pas vdekjes së Prenk Jakovës, ai drejtoi Orkestrën Simfonike dhe korin e Filarmonisë së qytetit të Shkodrës. U bë i njohur si kompozitor e drejtues muzike. Lëvroi disa gjini të muzikës vokale dhe instrumentale simfonike, përpunime të këngës popullore, etj.
Gjon Kapedani është ndër të parët pedagogë të shkollës së mesme të muzikës në Shkodër, e cila tani mban emrin e Prenk Jakovës. E është edhe ndër të parët që u rikthye në Kishë, për të rifilluar traditën muzikore kishtare të mësuesve të tij muzikantë françeskanë, ndërsa punonte edhe si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Kishën s’e pati harruar as në ditët më të vështira. Shpesh në netët e mëdha festive, besimtarët mahniteshin nga interpretimet e tij mjeshtrore në harmonium, në korin e Kishës së fretërve.
Vitet e fundit jetoi në Tiranë, ku shpesh drejtoi veprimtaritë muzikore të festave të mëdha në Katedralen e Shën Palit. Por tani u rikthye përgjithnjë në Shkodër, ku trupi i tij pushon në paqë në varrezat familjare të Rrëmajit.







All the contents on this site are copyrighted ©.