2009-06-01 17:40:23

General Motors deklaron falimentimin. Ndërhyn Shtëpia e Bardhë për të shpëtuar së paku një pjesë


(01.06.2009 RV)RealAudioMP3 Firma e parë automobolistike e botës, amerikania General Motors, deklaroi sot falimentimin. Shtëpia e Bardhë do të japë gjithsesi ndihma për 30.1 miliard dollarë, duke u bërë kështu aksionistja kryesore me 60% të kuotave. Procesi falimentar do të bëhet hap pas hapi, duke shkëputur prej firmës pjesët më të shëndosha, që do të themelojnë një firmë të re, me pjesëmarrjen e Kanadasë dhe të Fiatit italian. Por, pse prodhimi automobilistik është kaq i rëndësishëm për ekonominë bashkëkohore? Pyetëm një ekonomist ndërkombëtar në Universitetin e Torinos, Marko Dealion. Ta dëgjojmë:
Është e rëndësishme për dy arësye. Së pari, nevoja për t’u zhvendosur është diçka e rrënjosur thellë, një nga nevojat të cilave u është përgjigjur më shumë shoqëria industriale, duke u bazuar mbi firmat private. Së dyti, industria e makinave është e rëndësishme pasi është pikëmbërritja e shumë industrive, pikë kyçe për prodhimin e shumë sektorëve, që kanë të bëjnë me makinat. Të mendojmë për shembull, gomat, pjesët elektrike, kambion, frenat etj. Vlerësohet se për çdo punëtor të firmave automobilistike, ekzistojnë së paku katër që furnizojnë komponentet përbërëse të makinës, dhe së paku një ose dy, që vijnë pas prodhimit, si punonjësit e sigurimeve, apo të pompave të benzinës.
Profesor, kurrë si për industrinë automobilistike, qeveritë nuk kanë qenë kaq të gatshme të financojnë me paratë e taksave, pra me paratë publike, firma private. Deri dje, parimi që mbizotëronte ishte ai i mosndërhyrjes e kjo vlen si për SHBA-të, ashtu edhe për Evropën. A është kështu?
Po, ashtu është. Këto kritere nuk zbatohen më pas krizës financiare. Po të ndiqeshin, do të kishim miliona e miliona të papunë e asnjë vend nuk mund ta lejojë diçka të tillë, as Shtetet e fuqishme të Bashkuara të Amerikës. Të papunët do të shkaktonin një krizë edhe më të madhe, pasi do të ulej konsumi i të mirave materiale në të gjithë vendin. Nga pikpamja e ekonomisë së tregut, është momenti i një emergjence për të cilën tregu duhet të heshtë, për hir të shëndetit publik – ta quajmë kështu – e qeveritë të ndërhyjnë. Nga pikpamja e atyre që nuk e duan ekonominë e tregut mund të themi se sistemi i bazuar mbi të ka dështuar. Duhet që në çdo moment të kemi një lloj pranie shtetërore, si siguri.







All the contents on this site are copyrighted ©.