2009-06-01 15:26:16

Botohet kalendari i kremtimeve liturgjike kryesuar nga Papa: qershor- shtator.


(01.06.2009 RV)RealAudioMP3 Sot Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë botoi kalendarin e kremtimeve liturgjike që do të kryesohen nga Papa deri në muajin shtator. Ka shumë çaste të rëndësishme, ndërmjet të cilave, dy vizita baritore në Itali, një shtegtim apostolik ndërkombëtar e, akoma, hapja e kremtimeve për Vitin Meshtarak.

Të enjten, më 11 qershor, Solemniteti i Korpit e Gjakut të Krishtit, Benedikti XVI do të kremtojë Meshën në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, në orën 19.00 e, më pas, do të kryesojë procesionin deri në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe.
Të premten, më 19 qershor, Solemniteti i Zemrës së Krishtit, në Bazilikën e Vatikanit, Papa do të kremtojë Mbrëmësoret e dyta për fillimin e Vitit Meshtarak.
Të dielën, më 21, do të shkojë për vizitë baritore në San Giovanni Rotondo, dmth në viset e Shën Pios nga Pietrelçina.
Më 28 qershor, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës, Papa do të kremtojë Mbrëmësoret e para për mbylljen e Vitit kushtuar Shën Palit.
Të nesërmen, Solemniteti i Shën Pjetrit e i Shën Palit, do të kremtojë Meshën në Bazilikën e Vatikanit e do t’u japë palion kryeipeshkvijve të rinj metropolitë.
Në gusht, më 15 të muajit, Solemniteti i të Ngjiturit të Zojës në Qiell, në orën 8.00, do të kremtojë Meshën në Kishën famullitare të Shën Tomës nga Vilanova, në Kastel Gandolfo.
Në shtator Papa do të shkojë për vizitë baritore në Viterbo e Banjorexhio.
Së fundi, nga e shtuna, 26 shtator, deri të hënën, 28, do të jetë në Pragë, në Republikën Çeke, për shtegtimin e tij të 13-të apostolik ndërkombëtar.







All the contents on this site are copyrighted ©.