2009-05-31 17:23:25

Maria e Shpirti Shenjt në fjalët e Benediktit XVI në përfundim të majit, kushtuar Zojës së Bekuar.


(31.05.2009 RV)RealAudioMP3 Për rëndësinë e Rrëshajëve, Papa foli edhe mbrëmë, në përfundim të Rruzares Shenjte, thënë nga qindra besimtarë në rrugëzat e Kopshteve të Vatikanit, në përfundim të muajit marian. Procesioni shpalosej, në sa mbi Kopshtet binte dalë-nga-dalë një muzg mahnitës, që të linte pa frymë nga bukuria, e ta thellonte dëshirën për t’i shprehur, përmes lutjes, mirënjohjen Zotit Krijues.
Mijëra yje ndizeshin në qiell e qindra flakëza, në rrugicat e bleruara. Ishin qirinjtë e besimtarëve, që u lutej e u këndonte vetë zemra, në sa ecnin nga Kisha e Shën Shtjefnit të Abisinëve, për të arritur tek Shpella e Lurdës, ku i priste Benedikti XVI, që theksoi lidhjen e ngushtë të Marisë me Shpirtin Shenjt, duke i ftuar të gjithë besimtarët të frymëzohen prej Nënës së Krishtit.
Festa e madhe e Rrëshajëve - kujtoi Benedikti XVI – na fton të meditojmë për lidhjen ndërmjet Shpirtit Shenjt e Marisë. Lidhje tejet e ngushtë, e privilegjuar, e pazgjidhshme, sepse feja e Marisë tërheq dhuratën e Shpirtit hyjnor:
“E gjithë ngjarja e lindjes së Jezusit dhe e fëmijërisë së tij të parë udhëhiqet në mënyrë pothuajse të dukshme nga Shpirti Shenjt, ndonëse nuk përmendet gjithnjë. Zemra e Marisë, në përkim të plotë me atë të Birit hyjnor, është tempull i Shpirtit të së vërtetës, ku çdo fjalë e çdo ngjarje ruhet me fe, me shpresë e me dashuri”.
Prej këndej, Papa i ftoi të gjithë t’i përngjasin Marisë, Nënës së Jezusit:
“Të dashur miq, në shkollën e Marisë edhe ne mësojmë ta njohim praninë e Shpirti Shenjt në jetën tonë, ta ndjejmë frymëzimin që vjen prej tij e ta ndjekim përvujtërisht. Ai na bën të rritemi, sipas natyrës së Krishtit, e na dhuron frytet e mira, që Shën Pali Apostull i numëron në Letrën drejtuar Galatëve: “Dashurinë, gëzimin, paqen, shpirtmadhësinë, dashamirësinë, butësinë, besnikërinë, përvujtërinë, vetsundimin (Gal 5,22).







All the contents on this site are copyrighted ©.