2009-05-31 17:24:05

Lutu, puno e lexo! Editorial i Atë Lombardit për Octava Dies.


(31.05.2009 RV)RealAudioMP3 “Kultura evropiane ka qenë kërkim i Zotit e gatishmëri për ta dëgjuar zërin e tij. E kjo vlen edhe për kohën tonë”: kështu u shpreh Benedikti XVI të dielën e kaluar gjatë vizitës në Montekasino. Lutje, punë, kulturë: Evropa e ndërtoi vetveten pikërisht mbi këtë përmasë të trifishtë të veprës benediktine. E kësaj përmase ia kushton editorialin e fundjavës për Octava Dies, e përjavshme informative e Qendrës Televisive të Vatikanit, edhe Atë Federiko Lombardi:

 
“Ora et labora et lege”: “Lutu, puno e lexo”. Me këtë moto të dielën, më 24 maj, Papa ripërmblodhi e ripropozoi me forcë mesazhin e Shën Benediktit, që mbetet gjithnjë aktual. Mbi të gjitha, lutja: vendi i parë i përket Zotit e Jezu Krishtit, në jetën personale e shoqërore. Pastaj puna: mundi i përditshëm, që duhet zbutur e idealizuar, duke zbuluar e duke respektuar vlerën e rendit të gjithësisë. Së fundi, leximi, dmth kultura e edukimi.
Në të vërtetë, të gjithë i kishim përherë në mendje fjalët ‘lutu e puno!”, por jo të gjithë e kujtonim aq shpesh elementin e tretë: “et lege”, dmth ‘Lexo, studio!”. Nuk është rastësi që na e kujton këtë Papa Benedikti XVI, një Papë tek i cili sinteza e lutjes, shërbimit e kulturës paraqitet jo vetëm si mesazh, por para së gjithash, si dëshmi personale.
Që në fjalimin e madh, drejtuar botës së kulturës në Paris, Papa pati sqaruar se ‘kërkimi i Zotit” është forca fillestare e zhvillimit të kulturës evropiane në të gjitha përmasat e saj. Në Montekasino Papa e rikujtoi këtë dhe – duke folur për Arkivin e Bibliotekën e Abacisë – theksoi se aty “ruhen dëshmi të panumërta të impenjimit të burrave e të grave, që medituan e u përpoqën ta përmirësojnë jetën shpirtërore e materiale të njeriut”. Edhe për këtë, pas njëmijë e pesëqind vjetësh e katër rrënimesh, Monatekasino ka ende diçka tepër të rëndësishme për të na të na thënë: “Lexo, studio”. Nuk mjafton të lundrosh e të klikosh e të ndërrosh vazhdimisht kanale, të kopiosh e të ngjitësh pa fund. Në se nuk e bën këtë, nuk mbetet asgjë, as për ty e as për të tjerët”.







All the contents on this site are copyrighted ©.