Kriza: Papa shqetësohet për të varfërit, e kërkon të mos ndërpriten ndihmat.
(31.05.2009 RV)Thirrje e re e Benediktit
XVI në favor të viktimave të krizës ekonomike e financiare. Kjo krizë – nënvizoi
me shqetësim të madh Benedikti XVI të premten e kaluar, duke pritur tetë ambasadorë
të rinj për paraqitjen e Letrave kredenciale, ndërmjet të cilëve, edhe ai i Indisë,
i Jugut të Afrikës e i Norvegjisë - mund të kthehet në katastrofë njerëzore për banorët
e shumë vendeve me ekonomi të dobët. Të parët që u dëmtuan prej saj, janë njerëzit
më të ligshtë, por nuk duhet harruar se kjo krizë po vijon t’i varfërojë edhe ata
që jetonin në mënyrë dinjitoze. Amullia – vijoi me keqardhje Ati i Shenjtë - mund
të ketë pasoja të pandreqshme dhe të vërë në lojë vetë jetën e shumë njerëzve. E të
parët që kërcënohen janë fëmijët, të cilët duhet edhe të mbrohen të parët. Nga ana
tjetër – shpjegoi Benedikti XVI - dëshpërimi që shkakton kriza ekonomike, i shtyn
disa njerëz të kërkojnë rrugëzgjidhje të dhunshme, për të mbijetuar. E kjo nuk mund
të mos bëhet burim për lindjen e konflikteve të brendshme, që rrezikojnë t’i destabilizojnë
shoqëritë, edhe kështu, tejet të ligështuara.