Përfundimi i muajit të Zojës së Bekuar në Vatikan e në botë.
(30.05.2009 RV)Në Vatikan muaji kushtuar Zojës së Bekuar do të përfundojë edhe
sivjet me procesionin tradicional që do të fillojë në orën 20. 00, nga Kisha e Shën
Shtjefnit të Abisinëve për të përshkuar rrugëzat e Kopshteve të Vatikanit, deri tek
Shpella e Lurdës. Në përfundim Papa do t’u drejtojë fjalën besimtarëve dhe do t’u
japë bekimin e tij apostolik. Por, si lindi devocioni i muajit të Zojës? Përgjigjen
na e jep rregulltari monfortan, Atë Stefano Fiores:
Përgjigje:
- Devocioni i muajit të Zojës, muajit të majit, filloi në vitet 1700, përmes
veprimtarisë së tre jezuitëve, që kryenin misionin e tyre në veri, në qendër e në
jug të Italisë. Më i njohuri është atë Alfons Muxareli. Etërit jezuitë zgjodhën pikërisht
muajin më të bukur të vitit, kur natyra është në kulmin e lulëzimit, që t’i ftonin
të gjithë besimtarët për ta nderuar Nënën e Zotit, lulen më të bukur të njerëzimit.
Pyetje:
- Ç’përfaqëson Maria për gratë e kohëve tona?
Përgjigje: -
Gruaja e ditëve tona frymëzohet nga Maria, por sipas figurës biblike, e jo sipas disa
klisheve tradicionale, që e paraqesin si grua pasive, që pëson pa bëzajtë. Pali VI
në ‘Marialis Cultus”, e kundërshton këtë mënyrë paraqitjeje, duke i ftuar besimtarët
të shfletojnë Ungjillin për ta njohur Marinë, grua aktive, që e kupton mirëfilli përgjegjësinë
e vet, që merr vendime e ‘Madhëron Zotin’, sipas kritereve të dijes hyjnore e jo
të dijes njerëzore.
Pyetje: - Rruzarja Shenjte nuk është praktikë
që i përket së kaluarës, e aq më pak lutje mekanike – na kujton shpesh Papa; ç’vlerë
ka sot kjo lutje mariane?
Përgjigje: - Rruzarja duhet konsideruar
si mënyrë për të vënë në jetë atë që kremtojmë në liturgji e që e shpallim në Shkrimin
Shenjt. Është e qartë se Rruzarja nuk është sakrament, e as kremtim liturgjik
i mbarë Kishës. Megjithatë Rruzarja lidhet ngushtë me liturgjinë: ashtu
ai ajo, ushqehet nga Shkrimi Shenjt e zhvillohet rreth misterit të Krishtit. Madje
cikli i mistereve të Rruzares mund të krahasohet me zhvillimin e vitit liturgjik. Me
kohën liturgjike të Ardhjes e të Krishlindjes
përkojnë misteret e gazmendit, të përqendruara tek Mishërimi. Me kohën
e Mundimeve e të Javës së Madhe, përkojnë misteret
e mundimeve të Shëlbuesit në Kryq. Koha e Pashkëve dhe e Rrëshajëve
pasqyrojnë misteret e lumturisë së Krishtit të ngjallur, që rrezatojnë mbi Kishën. Festat
e të Ngjiturit të Zojës në qiell dhe e Marisë Mbretëreshë e qiellit dhe e tokës, përkojnë
me dy misteret e fundit. Ndonëse në plane të ndryshme, kremtimi liturgjik
e kundrimi përmes Rruzares, na çojnë tek të njëjtat ngjarje të shëlbimit, kryer nga
Krishti. Ashtu si liturgjia, Rruzarja ka në qendër misterin e Krishtit Shëlbues. Me
qartësinë e tri serive të mistereve, Rruzarja nënvizon aspekte themelore, ashtu si
në skemën e predikimit të Apostujve: Biri i Hyjit u bë njeri, u kryqëzua për mëkatet
tona, u ngjall për lumturinë tonë.