2009-05-30 12:52:55

Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Rrëshajve


(30.5.2009 RV)Dëgjues të nderuar të Radio Vatikanit, ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të dielës. Kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të solemnitetit të Rrëshajve, festës së Zbritjes së Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Çenakull: që nga ajo ditë, historia e njerëzimi ka një hov apo shtytje të ri.
Kanë kaluar 50 ditë nga solemniteti i Pashkëve e sot, me Kishën në festë, kremtojmë dhuratat që Jezu Krishtit Zot na i ka falë: Shpirtin Ngushëllues që vjen nga Ati Qiellor e që na është dhuruar në zemrat tona, në mënyrë që të mund të ecim e të jetojmë sipas Shpirtit të Zotit e t’i mishërojmë vepra e tija në jetën e në marrëdhëniet tona të përditshme me tjerët.
Festa e Rrëshajëve, ardhja e Shpirtit Shenjt mbi Apostujt, shënon ditëlindjen e Kishës dhe ditëlindjen e gjallërimit tonë si besimtarë e dëshmitarë të Krishtit të Gjallë, Shpëtimtarit të njerëzimit. Pra, nga kjo ngjarje, Shpirti Shenjt Zot banon në shpirtin tonë njerëzor, Zoti është bërë më i afërt, më intim me ne, se sa ne jemi me veten tonë, thotë Shën Agostini. Kështu, festa e Rrëshajëve na siguron se Zoti nuk na braktis kurrë, por Ai është miku e shoku i përjetshëm i udhës sonë në jetë.
Është Shpirti Shenjt Zot që na jep kuptimin e ri të misterit të Jezusit. Pa Të është e pamundur të depërtojmë në këtë mister. Është Shpirti Shenjt që na bën të aftë t’i lexojmë ngjarjet në dritën e fesë, në fenë e Krishtit që është dhuratë e tij
Me kremtimin e solemnitetit të festës së Rrëshajëve, Kisha e mbyll ciklin e Pashkëve për të vijuar me kohën e rëndomtë liturgjike gjatë vitit.
Leximet biblike të festës së Rrëshajëve dhe komentin e dom Mark Shtjefnit, mund t’i dëgjoni në faqen tonë të internetit.
Leximet biblike të festës së Rrëshajëve nga: Vp 2,1-11; Gal 5,16-25; Gjn 15,26-27;16,12-15 dhe komentin nga dom Mark Shtjefni, mund t’i dëgjoni në faqen tonë të internetit....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.