2009-05-29 17:59:11

U paraqit në Romë një libër i ri kushtuar Sindonës


(29.05.2009 RV)“Sekretet dhe misteret e pëlhurës, me të cilin e mbështollën Jezusin e zbritur nga kryqi”- ky është, pak a shumë, nëntitulli i librit, shkruar nga gazetari Marko Tozati, dalë nga Shtëpia Botuese ‘Piemme’. Libri i propozon lexuesit analizën e studimeve të bëra deri më sot për Sindonën – siç quhet pëlhura prej liri, me të cilën mendohet ta kenë mbështjellë Krishtin e sapo zbritur nga kryqi, përpara se ta varrosnin. Mbi të stampohet qartë fytyra e masakruar e një burri, e edhe i gjithë trupi, me plagët ndër duar e në kraharor, që flasin për një të kryqëzuar e që i njohim mirë nga Ungjijtë.
Shkenca nuk është akoma në gjendje të shpjegojë si është stampuar e është ruajtur në shekuj kjo figurë mbi lirin e Sindonës. Disa studiues të ENEA-s (Enti për Teknologjitë e Reja, Energjinë e Mjedisin) mbi bazën e eksperimenteve, hamendësojnë një rreze energjie shumë të fuqishme, por deri më sot nuk ekziston një makinë e aftë për të shtypur një figurë në një pëlhurë kaq të madhe, si ajo që ruhet në dioqezën e Torinos. Këtë mundohet të shpjegojë Marko Tozati me hetimet e tij gazetareske mbi Sindonën, të cilën analiza e karbonit 14, kryer më 1988 në laboratorët e Tuksonit, Oksfodit e Xurihut e përcakton, me një gabim në llogaritjet matematike, si të epokës mesjetare. Këtë e të reja të tjera na i shpjegon vatikanisti i gazetës italiane ‘La Stampa’ në librin e ri kushtuar Sindonës.







All the contents on this site are copyrighted ©.