Konferencë shtypi e kardinalit Banjasko, në përfundim të mbledhjes së Kii-e
(29.05.2009 RV)Kardinali Anxhelo
Banjasko mbajti sot në Vatikan konferencën përfundimtare të shtypit për Asamblenë
e 59-të të përgjithshme të Konferencës së ipeshkvijve italianë. Ndërmjet temave që
u prekën sot, ishte edhe impenjimi i kishave të Bashkimit Evropian, organizimi i javës
së ardhshme shoqërore të katolikëve italianë dhe miratimi i kalendarit të veprimtarive
të Konferencës ipeshkvnore për dyvjeçarin 2009-2010. Asambleja e Kii-e është një
nga takimet më të dëshiruara të kësaj Konference: këtë theksoi kardinali Banjasko
në takimin e sotëm me shtypin. E në vijim kujtoi se tema kryesore, që u prek këto
ditë, në të cilat pjesëmarrja qe vërtetë e madhe, ishte zgjedhja e orientimeve baritore
për dhjetëvjeçarin e ardhshëm e cila – siç theksoi kryetari i Konferencës ipeshkvnore
– u përqendrua krysisht tek urgjenca edukative. Horizonti, pra, mbetet ai i ungjillëzimit: “Na
u duk se detyra edukative ishte një shprehje, një përmasë, posaçërisht urgjente përballë
nesh!”. Prej këndej kardinali Banjasko nënvizoi rëndësinë e temës së etikës,
që nuk është e re e që u përket të gjithë njerëzve. Ashtu si u përket të gjithëve
edhe Doktrina shoqërore e Kishës – shpjegoi kryetari i Kii-e - duke theksuar, në
vijim, mendimin e shumë analistëve e specialistëve, në nivel botëror, sipas të cilëve
ka presione të forta e lobe ekonomiko-financiare, që i kundërvihen si Doktrinës shoqërore
të Kishës, ashtu edhe magjisterit të Papës. Megjithatë Kisha vijon ta propozojë magjisterin
e vet e konceptin e vet mbi njeriun, edhe atëherë kur ky propozim u kundërvihet interesave
egoiste – shpjegoi Kardinali – sepse: “… është funksioni i Kishës, detyra
e Kishës ta kumtojë Ungjillin në tërësinë e tij, me të gjithë vlefshmërinë e tij,
si në planin doktrinor – të së vërtetës së fesë - ashtu edhe në planin e sjelljeve
– të pasojave morale”. Në përfundim kardinali Banjasko ceku edhe votimet
e afërme evropiane, duke shpjeguar: “Na nevojitet më shumë Evropë. Shpresojmë që Bashkimi
Evropian të ketë një shpirt të vetëm, të jetë shtëpia e Popujve”.