2009-05-29 17:58:26

Kisha përgatitet për Rrëshajë. Atë Kantalamesa: Shpirti Shenjt është prani e Krishtit ndër zemra.


(29.05.2009 RV)RealAudioMP3 Kisha universale përgatitet për të dielën e ardhshme, kur do të kremtojë solemnitetin e Rrëshajëve, në kujtim të ndikimit të Shpirtit Shenjt mbi Apostujt, mbledhur së bashku me Marinë në Çenakull, me të cilin përfundon Koha e Pashkëve. Për të na shpjeguar domethënien e këtij solemniteti, intervistuam Atë Raniero Kantalamesën, predikatar i Shtëpisë Papnore:

Pyetje: - Atë Kantalamesa, si duhet të përgatitemi për Rrëshajët? Ç’mund të presim, sot, si dishepuj të Krishtit, nga zbritja e Shpirtit Shenjt ndërmjet nesh?

Përgjigje: - Për t’u përgatitur, kemi një mjet të përbashkët, që është liturgjia, me leximet e me ritet e saj, të cilat arrijnë kulmin në Lutjet mbrëmësore të Rrëshajëve e në festën e së dielës. Pastaj është edhe përgatitje individuale, që ka të bëjë me dëshirën për zbritjen e Shpirtit Shenjt në zemrën e secilit. Kushti kryesor, që ka vënë Jezusi për ta pasur Shpirtin Shenjt, nuk ka të bëjë me pagesa, sepse Shpirti i Zotit nuk mund të blihet. Ka të bëjë me etjen e njeriut për ta pasur: “Kush ka etje, të vijë tek unë e të pijë” – thotë Ungjilli i Gjonit. Ungjilltari i komenton këto fjalë, duke shtuar: “Ai fliste për Shpirtin Shenjt”. Ç’presim, në ditët tona, nga festa e Rrëshajëve, është diçka shumë e thjeshtë: që të vijnë për ne Rrëshajët e reja, dmth që Rrëshajët të mos jenë thjeshtë kremtim i një feste, por përvojë e pranisë së Shpirtit Shenjt. E ne kemi nevojë të dëshpëruar për Shpirtin Shenjt. Në shekullin e kaluar, filozofi Haideger thoshte: “Vetëm një Zot mund të na shpëtojë!”. E unë do të thosha se ky Zot mund të na shpëtojë, mund ta shpëtojë shoqërinë tonë të teknologjizuar, me zemër të akullt.

Pyetje: - Pra, Atë Kantalamesa, ka rrezik që edhe ne, të krishterët, të mungojmë në këtë takim të madh me Shpirtin e Zotit?

Përgjigje: - Po, ky rrezik ekziston, edhe për shkak të një keqkuptimi. Jemi mësuar, posaçërisht në teologjinë parakonciliare, ta konsiderojmë Shpirtin Shenjt si një lloj shtese, si një ‘optional’ që i shtohet organizmit të krishterë, mjeteve të hirit, por me një qëllim të dorës së dytë, që t’i japë Kishës forcë për ta çuar Lajmin e Mirë deri në skajet më të largëta të tokës. Ky është vizion i kufizuar e i paplotë. Shpirti Shenjt është shëlbimi, është zanafilla e Besëlidhjes së Re. Sigurisht që Jezusi, mbi Kryq, me vdekjen e me ngjalljen e tij, përmbushi gjithçka, realizoi Besëlidhjen e Re e të amshuar. Por është Shpirti Shenjt ai, që e bën këtë shpërblim të Krishtit aktual, të disponueshëm për çdo njeri e në çdo çast të historisë. Prandaj, për ta shmangur këtë rrezik, them se barinjtë, teologët, prijësit shpirtëror të bashkësisë, duhet të paraqesin figurën e vërtetë të Shpirtit Shenjt, që nuk është abstraktim, nuk është ide, por është prani, është prania e Krishtit të ngjallur në zemrën e të krishterëve.

Pyetje:- Atë Kantalamesa, dihet se Shpirti Shenjt është Vetja e tretë e të Shenjtnueshmes Trini, prandaj, mendoj, duhet ta kemi gjithnjë pranë në jetën tonë të përditshme…

Përgjigje: - Po, madje Shpirti Shenjt, sipas Shkrimeve, është ai që e bën Trininë të pranishme në zemër, është ai që, duke banuar ndër ne, na bën tempullin e vet, tempullin e Zotit. Kjo duhet të ndodhë gjithnjë e festa e Rrëshajëve duhet të shërbejë si një lloj nxitjeje: e gjithë jeta e Kishës, liturgjia, ka për qëllim të na çojë ditë për ditë tek ky burim, që është Shpirti Shenjt.







All the contents on this site are copyrighted ©.