Selia e Shenjtë pjesëmarrëse në Konferencën ndërkombëtare të Firencës, mbi rishikimin
historik të “Çështjes Galileo”
(28.5.2009 RV)Pas 400 vjetësh, akoma mungon një rishqyrtim i qetë dhe objektiv
mbi çështjen e Galileo Galileit, shkencëtarit italian, të mirënjohur për shprehjen
e famshme “Gjithsesi rrotullohet”, e cila qe përgjigja e tij ndaj pretendimeve të
Inkuizicionit se Toka nuk rrotullohej rreth vetes e rreth Diellit. Për këtë
arsye, në Firence pranë Bazilikës së Shëna Kryqit, vend ku është varrosur astronomi
nga Pisa, Galeleo Galilei, Instituti Stensen i Jezuitëve ka organizuar këtyre ditëve,
në kuadrin e Vitit të Astronomisë, një konferencë ndërkombëtare mbi temën: “Çështja
Galileo: një rishikim e rilexim historik, filozofik e teologjik”. Konferenca u hap
pardje, në praninë e presidentit të Republikës Italiane, Xhorxho Napolitano e do të
vazhdojë deri të shtunën. Në takim marrin pjesë 18 institucione, ndër të cilat edhe
disa të Selisë së Shenjtë. Punimet e kësaj konference synojnë të favorizojnë
dialogun ndërmjet arsyes e fesë në çështjet etike bashkëkohore. Të dëgjojmë nënsekretarin
e Këshillit Papnor për Kulturën, imzot Melhor Sançez de Toka: "Para Gjon Palit
II, qe Koncili II i Vatikanit, ai që kritikoi keqkuptimet në bazën e “Çështjes Galileo”,
keqkuptime që lindën pasi nuk u perceptua dhe nuk u respektua autonomia e ligjshme
e shkencave natyrore. Ç’të re mund të sjellë kjo konferencë? Ne do të uronim që më
në fund të shihet përpara, në vend që të shihet mbrapa, e të mbyllet idealisht procesi
historik, në të cilin, në këtë rast, i akuzuar nuk është Galileo, por Kisha Katolike.
Besoj se gjatë këtyre shekujve, e në veçanti gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, ka pasur
një përpjekje serioze për rishqyrtimin e çështjes". Cilat ishin gabimet e Kishës
në rastin e Galileo Galileit? "Së pari, është e qartë, mospranimi i teorive
të Kopernikut, megjithëse është një gabim, që kuptohet në kontekstin shkencor të asaj
kohe. Gabimi themelor ishte ndërhyrja në fushën e shkencës, pra mendimi se lëvizja
e Diellit dhe e Tokës kishte të bënte me fenë, kur në të vërtetë është thjesht çështje
e natyrës. Edhe kjo mund të kuptohet duke iu referuar kohës së Galileit: një teori
shkencore e re, që nuk ishte provuar mjaftueshëm, e që prekte sidomos vizionin mbi
botën, mbi njeriun, mbi universin. U deklarua e kundërt me fenë e ky qe pa dyshim
një vendim i gabuar".