2009-05-28 19:21:30

Raporti Amnesty International :"në Shqipëri dhunohen të drejtat e njeriut”.


(28.5.2009 RV)Organizata për të Drejtat e Njeriut Amnesty International publikon raportin për Shqipërinë. Sipas kësaj Organizate, në Shqipëri shkelen të drejtat e njeriut. Korrupsioni shtetëror, papunësia e lartë, dhuna në familje, trafikimi i qenieve njerëzore dhe gjendja e keqe e burgjeve janë fenomene që ende mbizotërojnë në Shqipëri. Sipas raportit të fundit për 2009 për të drejtat e njeriut të organizatës Amnisty International, me seli në Londër, në pjesën kushtuar Shqipërisë evidenton gjitha fushat e të drejtave të njeriut, progresin apo regresin e Shqipërisë në to.
Raporti citon ngjarjen e rëndë të Gërdecit ku u shkel e drejta e jetës. “Shpërthimi i 15 marsit 2008 la 26 të vdekur e 300 të plagosur, shkatërroi qindra shtëpi, solli dorëheqjen e ish ministrit të Mbrojtjes dhe arrestime të zyrtarëve të kësaj ministrie. Kjo ngjarje nxori ne pah akuzat për korrupsion shtetëror dhe tregtinë e paligjshme të armëve”- thuhet në raportin e AI. Raporti vazhdon më tej se populli ka pak besim te sistemi juridik. Ndjekjet penale për korrupsion janë shtuar por ato kanë goditur kryesisht zyrtare të nivelit të ulet dhe jo të nivelit të lartë.
Raporti vëren se papunësia në Shqipëri mbetet e lartë, “Pavarësisht progresit ekonomik të vendit, sot në Shqipëri më shumë se 18% e popullsisë jetojnë nën minimumin e varfërisë prej 2 dollarë në ditë”- thekson raporti.
Raporti vëren shkelje të mëdha të të drejtave të grave dhe fëmijëve. “Dhuna familjare është shtuar- shkruan raporti- dhe prek një në tre gra. Vetëm në vitin 2008 janë regjistruar në polici 612 incidente të dhunës në familje por ka shumë raste të tjera të pa raportuara.
Një tjetër element shqetësues është edhe trafikimi i qenieve njerëzore që vazhdon, po kështu dhe shfrytëzimi i punës së fëmijëve”.
Raporti vazhdon me gjendjen degraduese të burgjeve në Shqipëri si dhe me incidente të torturave dhe të keqtrajtimeve të të burgosurve nëpër burgje e stacione policie. Raporti kritikon gjithashtu edhe për shkeljen e të drejtës së jetimëve për garantimin e një shtëpie, pasi ato rriten e mbushin moshën 18 vjeçare. Raporti vëren se e drejta e strehimit nuk sigurohet as për mijëra të tjerë të deklaruar si të pastrehë.







All the contents on this site are copyrighted ©.