2009-05-28 12:20:50

Kisha na fton t’i afrohemi festës së Rrëshajëve në bashkim me Virgjërën Mari.


(28.5.2009 RV)Pas festës të të Shëlbuemit, Kisha pret solemnitetin e madh të Rrëshajëve, që do të kremtohet të dielën e ardhshme, më 31 maj. E liturgjia kishtare i fton besimtarët të mblidhen në uratë, siç patën bërë Apostujt, e të luten për ndikimin e Shpirtit Shenjt, në bashkim shpirtëror me Virgjërën Mari, të cilës i kërkojmë që, me ndërmjetësinë e saj, të na nxjerrë hirin e Rrëshajëve të reja. Po si mund të bashkohemi shpirtërisht me Virgjërën Mari, në sa përgatitemi për këtë takim me Shpirtin Shenjt?
Le t’i mendojmë Apostujt, të cilët pas të ngjiturit të Krishtit në qiell, për një çast do të jenë shastisur e ndoshta-ndoshta edhe do të jenë trembur, sepse Jezusi u pati thënë atyre: “Unë po ju dërgoj në mbarë botën. Shkoni e predikojani Ungjillin të gjitha krijesave”. Kështu mendojmë se në atë çast apostujt do të kenë pyetur vetveten: “E si mund të shkojmë në gjithë botën, kështu siç është e siç jemi e ta kumtojmë Ungjillin, që duket krejt në kundërshtim me atë çka bota e shoqëria mendon ? Si mund të shkojmë e t’u themi njerëzve: “Lum të varfërit”, kur të gjithë s’kërkojnë tjetër, veçse të bëhen të pasur? Po si mund të shkojmë e të predikojmë duke thënë: “Lum të butët”, kur të gjithë duan të sundojnë mbi të tjerët? E si mund të shkojmë e t’i themi njerëzve “Lum ata që e kanë zemrën e pastër ”, kur jemi të sigurtë se do të tallen me ne? Besojmë se në atë çast të të menduarit të Apostujve do të ketë ndërhyrë Zoja e Bekuar e do t’u ketë thënë nxënësve të Mësuesit Hyjnor: “Pse keni frikë? E harruat atë që ju tha Jezusi? Ai ju tha që para se të niseni, duhet të shkoni në Jerusalem e të mos lëvizni nga Jerusalemi, para se të përmbushet premtimi; premtimi që Ai u bëri: “Do të jeni përplot me Shpirtin Shenjt”.Atëherë Apostujt u mblodhën në lutje e Shën Luka ungjilltar në ‘Veprat e Apostujve’ tregon: “ Ishin një zemre e një zëri me Marinë”. Kjo pra është fotografia e Kishës së parë. Ishin një zemre: atëherë krenaria ishte zbehur, për t’ia lë vendin lutjes. E ishin së bashku me Marinë, gruan që të edukon në fe: e erdhën Rrëshajët. Mund të themi, pra, se Rrëshajët janë parakusht i apostullimin. Kisha e ka për detyrë të shkojë si misionare në botë; e ka për detyrë të shkojë tek të gjithë njerëzit e të gjithë popujt, ashtu si e ka për detyrë të ndalohet në Jerusalem:“Prisni – pati thënë Jezusi: Prisni, derisa të përmbushet premtimi”: këtë u kujtoi Zoja e Bekuar Apostujve e po këte na kujton edhe neve sot. Duhet të hyjmë vazhdimisht në Çenakull e të dalim prej andej vetëm atëherë, kur të mbushemi përplot me Shpirtin Shenjt. Në se nuk do ta kemi forcën e Shpirtit Shenjt, s’jemi tjetër, veçse përsëritës të Ungjillit, por jo dëshmitarë të Ungjillit, e misioni autentik është dëshmia e Ungjillit të Krishtit, dëshmia e dashurisë së Zotit ndaj çdo njeriu.







All the contents on this site are copyrighted ©.