Radioja e Papës hap dyert për reklama: ENEL i pari.
(27.05.2009 RV)Pas gati 80 vjetësh jetë, Radio Vatikani i hap dyert për reklamat.
Drejtori i përgjithshëm, atë Federiko Lombardi e quan këtë hap si “revolucionar”,
të tillë që do të ndryshojë thellësisht fizionominë e një emitenteje, e cila nga viti
1931 transmeton zërin e Papëve e të Vatikanit. Sipas atë Lombardit, radioja do të
vazhdojë t’i përgjigjet thirrjes së saj të natyrshme: ungjillëzimit të të gjithë kontinenteve.
Ndërmarrjet që do të bëjnë reklamë përmes Radio Vatikanit do të zgjidhen me vëmendje,
në mënyrë që mesazhi i tyre të jetë në përputhje me natyrën e saj. E para që do të
bëjë reklamë në Radio Vatikan është Eneli, Enti Kombëtar Italian për Energjinë Elektrike.
Që nga 6 korriku deri më 27 shtator, ndërmarrja e dytë energjitike e Evropës do të
transmetojë një reklamë në pesë gjuhë: italisht, anglisht, spanjisht, frëngjisht e
gjermanisht. Reklamat do të transmetohen fillimisht në kanalin e drejtpërdrejtë të
Radio Vatikanit “One-O-Five”, i cili dëgjohet kryesisht në zonën e Romës e përmes
internetit. Reklama të tjera nuk do të transmetohen pa u shqyrtuar më parë e pa dyshim,
fjalimet e Papës nuk do të ndërpriten. Benedikti XVI e ka përkrahur idenë, ashtu siç
ka bërë me pjesëmarrjen e Vatikanit në Youtube e internet. “Ai ka besim në sensin
tonë të përgjegjësisë e na i lë ne në dorë vendimet, që duhen marrë”, sqaroi atë Federiko
Lombardi.