2009-05-27 17:38:54

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme: bota ka nevojë për thjeshtësi e respektim të rregullave, që të dalë nga varfëria e ta humanizojë punën.


(27.05.2009 RV)RealAudioMP3 “Të thellohet bashkimi i përsosur i Korpit të Krishtit e të mbrohet nga forcat, që e shtyjnë njeriun të vlerësojë vetëm vetveten, gjë që shkatërron indin shoqëror e paqen e shpirtrave, çnjerëzon punën e nuk e njeh solidaritetin me të varfërit. Të krishterët duhet ta përhapin në botë frymën e thjeshtësisë e të dashurisë, për t’iu kundërvënë formave të ndryshme të egoizmit, që e shkatërrojnë shoqërinë, duke e varfëruar botën”. Këto janë pohimet e guximshme të Benediktit XVI në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit përballë 20 mijë besimtarëve e shtegtarëve, ardhur nga vise të ndryshme. Katekizmi u frymëzua nga Shën Teodori Studita, murg që jetoi ndërmjet shekujve VIII-IX e që shkriu gjithë jetën duke iu kundërvënë lëvizjes së ikonathyersve e duke fuqizuar përkatësinë e krishterë të murgjërve të tij.

Përsëri një burrë i fortë, i fshehur pas veshjes së përvujtë, zhgunit murgar, ishte protagonist i katekizmit të sotëm të Benediktit XVI, i cili kohët e fundit vijon të thellohet në studimin e epokës bizantine, ndërmjet shekullit VIII e IX, epokë e luftës kundër ikonoklastisë. Një burrë i formuar e i informuar nga Feja, mësimet e të cilit u theksuan e u aktualizuan energjikisht nga Papa, që bëri shpesh paralelizma historike ndërmjet periudhës së turbullt në të cilën jetoi Shën Teodori Studita e trazirave analoge të mijëvjeçarit të tretë të krishterë:
“Sot ka rryma të shumta, që rrezikojnë bashkimin në fe e shtyjnë drejt një lloj individualizmi të rrezikshëm shpirtëror e krenie shpirtërore. Është e nevojshme të impenjohemi në mbrojtjen e në përpjekjen për ta rritur bashkimin e përkryer të Korpit të Krishtit, në të cilin mund të ndërthuren në harmoni paqja e urdhërit e marrëdhëniet e sinqerta personale në Shpirtin Shenjt”.
Persekutimi ikonoklast, për shkak të të cilit Shën Teodori Studita u burgos, u torturua e u internua vite me radhë, lidhet ngushtë – tha Papa – me reformën e jetës murgare, të cilën murgu e vuri në jetë me frymëzim të madh. Duke e ndjerë veten të fortë, sepse në gjirin e një bashkësie tejet të madhe, me treqind murgjër, kur të tjerat mezi numëronin mesatarisht tridhjetë, Shën Teodori nguli këmbë në nevojën e rendit e të nënshtrimit, përveç rreptësisë e thellësisë së jetës së krishterë. E bëri këtë, për shembull, duke u ndaluar posaçërisht tek kushti i varfërisë e duke na lënë trashëgim mësime, që vlejnë edhe sot e kësaj dite:
Nuk duhet të varemi nga pasuria materiale, por duhet të mësojmë flijimin, thjeshtësinë, rreptësinë e përkorjen. Vetëm kështu mund të zhvillohet një shoqëri solidare e mund të kapërcehet problemi i madh i varfërisë në këtë botë”.
Një tundim tjetër, nga i cili Shën Teodori Studita u përpoq t’i mbronte murgjërit e tij, të çmësuar të jetonin si një korp i vetëm, pas persekutimeve, që i kishin shpërndarë, qe ai i përparësisë së vullnetit, në kuptimin që murgu duhet t’i kundërvinte egoizmit, kushtin e bindjes. E kjo është e nevojshme edhe në një shoqëri si jona, e cila shpesh herë i harron vlerat, që përbëjnë themelin e saj:
“Në se njeriu ndjek vetëm vetveten, indi shoqëror nuk mund të funksionojë. Vetëm duke mësuar të zëmë vendin që na takon në lirinë e përbashkët, ta ndajmë së bashku e t’i nënshtrohemi asaj, të mësojmë ligjshmërinë, dmth nënshtrimin e bindjen ndaj rregullave të së mirës së përbashkët e të jetës së përbashkët, mund të shërohet shoqëria e edhe vetvetja nga mburrja, që të shtyn ta vësh veten në qendër të botës”.
Por përveç sundimit të vetvetes, që nis nga bindja, për të arritur tek praktikimi i varfërisë dhe i pastërtisë, Benedikti XVI theksoi edhe një virtyt tjetër, karakteristik për jetën e misionin e murgut të lashtë të Bizantit: dashurinë për punën:
“Ai, që është i zellshëm në impenjimet materiale - argumenton murgu i lashtë- që punon me vullnet, është kështu edhe në impenjimet shpirtërore. Prandaj nuk pranon që, me pretekstin e lutjes e të kundrimit, murgu të largohet nga puna, edhe nga puna e dorës, e cila sipas tij e sipas gjithë traditës murgare, është mjet për të gjetur Hyjin (…). E pikërisht kështu bota e punës humanizohet e njeriu, përmes punës, ndjehet më pranë vetvetes e, sidomos, më pranë Zotit”.
Përshëndetjet dhe përmbledhja e katekizmit, shqiptuar sot në nëntë gjuhë të ndryshme të botës, e përmbylli audiencën e përgjithshme, në përfundim të së cilës Papa, përveç grupeve të ndryshme famullitare, iu drejtua posaçërisht anëtarëve të Fondacionit të Shën Mateut, themeluar në kujtim të kardinalit Van Thuan, shoqëruar nga kardinali Renato Rafaele Martino, kryetar i Këshillit Papnor Drejtësi e Paqe. Papa i ftoi ta përhapin doktrinën shoqërore të Kishës e, posaçërisht, të impenjohen në veprimtari të tilla, që i bëjnë njerëzit, materialisht e shpirtërisht të varfër, ta ndjejnë afërsinë e Kishës. Më pas, duke u ndaluar me besimtarët në Shesh, Papa bisedoi për disa minuta me Margaret Thatcher, ish-kryeministre britanike në vitet 1979-1990.







All the contents on this site are copyrighted ©.