2009-05-26 16:10:14

“Për një Evropë të drejtë e solidare, besnike ndaj rrënjëve të krishtera.”Kështu u shpreh Benedikti XVI në takim me delegacionet e Bullgarisë e të Maqedonisë


(26.5.2009 RV)RealAudioMP3 “Për një Evropë të drejtë dhe solidare, besnike ndaj rrënjëve të veta të krishtera.”Kështu u shpreh Ati i Shenjtë Benedikti XVI gjatë takimit me delegacionet e Republikës së Bullgarisë dhe të ish-Republikës jugosllave të Maqedonisë, të cilët i priti në audiencë në Vatikan të premten e kaluar.
Gjatë audiencës Papa bëri një ftesë delegacioneve të Bullgarisë dhe të Maqedonisë për t’i ndenjur besnikë dëshmisë së dy pajtorëve Cirilit e Metodit, ungjillëzues të popujve sllavë. Në fjalën e tij Ati i Shenjtë shprehu ndjenjat miqësore më të përzemërta për popujt e këtyre dy Shteteve si edhe ndaj përfaqësuesve të Kishës ortodokse e të asaj katolike të pranishme në vend. Takimi qe u organizua me rastin e festës së dy Shenjtorëve Cirili e Metodi që kremtohet me 7 korrik, shërbeu për të nënvizuar edhe një herë rëndësinë që ka dëshmimi i ungjillit në jetën e njeriut krahas ndërtimit të një shoqërie të drejtë dhe solidare.
“Trashëgimia e tyre shpirtërore – tha më tej Benedikti XVI duke folur për shenjtorët Cirilin e Metodin – ka shënjuar jetën e popujve sllavë; Shembulli i tyre ka mbështetur dëshminë dhe besnikërinë e shumë të krishterëve të cilët përgjatë shekujve ia kanë kushtuar ekzistencën e vet përhapjes së mesazhit të Shpëtimit duke punuar njëkohësisht edhe për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe solidare.
Le të mbesë e gjallë dëshmia e tyre në kombin tuaj, në mënyrë që Bullgaria, duke marrë shembull nga ky burim drite dhe shprese të kontribuojë në mënyrë efikase në ndërtimin e një Evropë besnike ndaj rrënjve të veta të krishtera!”.
Vlera si solidariteti dhe drejtësia, liria dhe paqja të cilat sot përmenden aq shumë, vijoi Papa Racinger, vetëm sa fitojnë më shumë forcë e qëndrueshmëri nga mësimi i përjetëshëm i Jezu Krishtit, mësim ky që u zbatua në jetë nga të gjithë dishepujt e tij të të gjitha kohrave.
Në mbyllje të audiencës me delegacionet e Vendeve të përmendura, Benedikti XVI theksoi se Selia e Shenjtë vazhdon të ndjekë me interes zhvillimet në Bullgari dhe në Maqedoni si dhe impenjimin e të gjithë atyre që punojnë për të mirën e këtyre vendeve.







All the contents on this site are copyrighted ©.