2009-05-26 16:55:31

Udhëheqësit e Kongresit botëror Hebraik falënderojnë Papën për pëforcimin e marrëdhënieve hebraiko-kristiane.


(26.5.2009 RV)Udhëheqësit e Kongresit Botëror Hebraik (World Jewish Congress, Wjc) kanë falënderuar Papën Benediktin e XVI për shtegtimin që ka bërë në Tokën e Shenjtë nga data 8 deri më 15 maj. Falenderimi i është dorëzuar Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Tarçizio Bertone të premten e kaluar gjatë një audience në Vatikan nga presidenti i Kongresit Botëror Hebraik, Roland S. Lauder.
Sipas Kongresit, “megjithëse ishte një udhëtim i ndërlikuar, shtegtimi i Papës ka qenë pozitiv dhe përbën një gur themeli të çmueshëm për përforcimin e mirëkuptimit reciprok ndërmjet të krishterëve e hebrenjve”. Presidenti Lauder është i mendimit se çdo pohim mbi “çështjen e ndjeshme të Holokaustit duhet bërë me shumë vëmendje”. Duke ju përgjigjur liderëve hebre, konstaton teksti i Kongresit Botëror Hebraik, kardinali Bertone ka pohuar se Kisha “ka njohur natyrën unike të Holokaustit”. Njëkohësisht, kardinali ka deklaruar në mënyrë të qartë se “në institucionet e Kishës nuk ka vend për ata që e mohojnë Holokaustin, siç ishte rasti i ipeshkvit Williamson”.
Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Bertone i ka ftuar liderët e Kongresit Botëror Hebraik dhe studiuesit të bashkëpunojnë në gjurmimin e materiali të arkivit privat të Papës Piut XII mbi periudhën para vitit 1938 e ka njoftuar se Vatikani ka bërë përparime në këtë drejtim duke krijuar mundësinë e hyrjes së historianëve në arkivin e dokumentave mbi Piut XII relativisht me periudhën ndërmjet 1939 - 1945.







All the contents on this site are copyrighted ©.