2009-05-26 15:46:42

Të dielën, Papa do të kremtojë Meshën në Solemnitetin e Rrëshajëve. Magjisteri i Benediktit XVI mbi Shpirtin Shenjt.


(26.05.2009 RV)RealAudioMP3 Të dielën e ardhshme, në orën 9.30, Papa Benedikti XVI do të kremtojë në Bazilikën e Vatikanit, Meshën e Shenjtë në Solemnitetin e Rrëshajëve. Me këtë ngjarje të jashtëzakonshme, Shpirti Shenjt kapërcen përçarjen e filluar në Kullën e Babelit, konfuzionin e zemrave dhe hap horizontet, duke i afruar njerëzit me njëri-tjetrin. Në Magjisterin e tij, Benedikti XVI nënvizon se Rrëshajët janë shenjë bashkimi dhe dashurie më e madhe se ndarjet e shkaktuara nga njeriu. Më 15 maj 2005, Papa kremton për herë të parë Rrëshajët pas zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit e paralajmëron: pa Shpirtin Shenjt, Kisha do të reduktohej në një organizatë thjesht njerëzore, e rënduar nga strukturat e veta. Për këtë arësye, ajo duhet të kujtojë gjithnjë si ka lindur, të ketë parasysh se si fryma e flaka hynë pa pritur në Çenakull:
“Kisha duhet të bëhet gjithnjë e sërish ajo që në të vërtetë është: duhet t’ia hapë kufijtë popujve e të hedhë poshtë barrierat ndërmjet klasave e racave. Në të nuk mund të ketë as të harruar, as të përbuzur… Fryma e flaka e Shpirtit Shenjt duhet të hapin pa pushim ato kufij, që ne njerëzit vazhdojmë t’i vendosim ndërmjet nesh: duhet gjithnjë e sërish të kalojmë nga Babeli, nga mbyllja në vetvete, në Rrëshajët”.
Pas një viti, Papa ndalet mbi domethënien e gjuhëve të zjarrta, që zbritën mbi Shën Marinë e Apostujt, ndërsa luteshin: kjo ngjarje, pohon Ati i Shenjtë më 4 qershor 2006, sanksionon shtrirjen e Paktit të lashtë të Zotit me Izraelin për të gjithë popujt e tokës:
“Shpirti Shenjt, me dhuratën e gjuhëve, tregon se prania e tij e shndërron konfuzionin në bashkim. Krenaria dhe egoizmi i njeriut krijojnë gjithnjë ndarje, ngrenë mure indiference, urrejtjeje e dhune. Shpirti Shenjt, në të kundërt, i bën zemrat të afta të kuptojnë gjuhën e të gjithëve, pasi rivendos urën e komunikimit të vërtetë ndërmjet Tokës e Qiellit. Shpirti Shenjt është dashuri”.
“Do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi”: ky rresht i Akteve të Apostujve u zgjodh nga Papa si temë e Ditës Botërore të Rinisë në Sidnei. Të rinjve, që u mblodhën në Romë më 13 mars 2008, para së Dielës së Larit, Papa u flet për gëzimin që vjen nga hapja e zemrës ndaj mëshirës së Zotit e ndaj Shpirtit të tij:
“Bëhuni bartës të këtij gëzimi, që vjen nga pranimi i dhuratave të Shpirtit Shenjt, duke dhënë me jetën tuaj dëshminë e fryteve të Shpirtit: “dashuri, gëzim, paqe, durim, mirëkuptim, mirësi, besnikëri, përvujtëri e zotërim i vetvetes” (Gal 5,22). Kujtohuni gjithnjë se jeni “tempulli i Shpirtit”; lëreni Atë të banojë në ju e bindjuni me butësi, për të sjellë kontributin tuaj në ndërtimin e Kishës e për të dalluar se për ç’vokacion iu ka thirrur Zoti”.
Dy muaj më vonë, më 11 maj, Papa përsërit: me Rrëshajët bëhet e qartë se Kishës i përkasin shumë gjuhë e kultura të ndryshme. Megjithatë, tërheq vëmendjen Ati i Shenjtë, Kisha Katolike nuk është federatë kishash, por një realitet i vetëm:
“Me Rrëshajët, Kisha themelohet jo nga vullneti njerëzor, por nga forca e Shpirtit të Zotit. E menjëherë duket se si ky Shpirt i jep jetë një bashkësie, që është njëkohësisht një e universale, duke kapërcyer mallkimin e Kullës së Babelit. Në fakt, vetëm Shpirti Shenjt, që krijon bashkim në dashuri e në pranimin e ndërsjelltë të ndryshimeve, mund ta çlirojë njerëzimin nga tundimi i vazhdueshëm i pushtetit tokësor, që dëshiron të dominojë e të uniformojë gjithçka”.







All the contents on this site are copyrighted ©.