2009-05-25 18:04:08

Papa në Kasino: kultura evropiane është kërkim i Zotit e vëmendje për të ligshtit.


(25.05.2009 RV)RealAudioMP3 Dje Benedikti XVI ishte për një vizitë baritore njëditore në Kasino, tokë e Shën Benediktit dhe e Shën Skolastikës. Paradite, gjatë Meshës në zemrën e Kasinos, “Qytet Martir” i Luftës II Botërore, Papa bëri thirrje për paqen në botë dhe ripohoi se humanizmi i vërtetë nuk mund të shkëputet nga kërkimi i Zotit. Humanizmi i vërtetë lidhet ngushtë me vëmendjen për më të fundmit, për nevojtarët, për emigrantët. Papa u shprehu solidaritetin e tij edhe të papunëve e të pastrehëve të zonës.

Pasdite Benedikti XVI kremtoi Lutjet Mbrëmësore në Bazilikën e Abacisë, themeluar nga Shën Benedikti, në praninë e abatëve e abateshave, ardhur nga mbarë bota. U kthye, kështu, në një vend ku ka kaluar çaste të paharrueshme lutjeje, një një vend ku dhuna e luftës nuk ia doli mbanesh ta shlyejë paqen e në të cilin, ashtu si pesëmbëdhjetë shekuj më parë, jehon fuqishëm thirrja e përhershme për të kërkuar Zotin! I shoqëruar nga kënga Laudes Regiae, Benedikti XVI hyri përsëri, këtë herë si papë, në bazilikën abaciale, ku nderohen reliket e Shën Benediktit. ‘Mësues i qytetërimit’ e quajti Papa, duke theksuar se nga ky vend buron gjithnjë paqja:
“Nuk është rastësi që fjala Pax i pret shtegtarët e vizitorët te porta e abacisë, rindërtuar pas shkatërrimit të plotë të shekullit të kaluar: ajo lartohet si qortim i heshtur, që të fton të heqësh dorë nga çdo formë dhune, për të ndërtuar paqen: në familje, në bashkësi, ndërmjet popujve e në gjirin e mbarë njerëzimit. Shën Benedikti e fton çdo njeri që ngjitet mbi këtë Mal, ta kërkojë paqen e ta ndjekë”.
“Succisa virescit” (E dërrmuar, por e rilindur): Papa kujtoi fjalët e skalitura në stemën e Abacisë, që përmbledhin gjithë historinë e saj: “Abacia e Montekasinos, si një rrap madhështor, i mbjellë nga Shën Benedikti, u dërrmua nga dhuna e nga lufta, por rilindi edhe më e fuqishme”. Më pas Ati i Shenjtë u ndal tek programi, që Shenjti u la trashëgim murgjërve të tij: “Të mos i kundërvënë asgjë dashurisë së Krishtit”; një imperativ, ky, që edhe Benedikti XVI e ka bërë të vetin. Më pas theksoi me forcë se “njeriu nuk mund ta realizojë plotësisht vetveten e nuk mund të jetë vërtetë i lumtur pa Zotin:
“Të mos jetosh më për vetveten, por për Krishtin: kjo i jep kuptim të plotë njeriut, që i kushtohet Atij. Na e tregon këtë Shën Benedikti, që braktisi gjithçka e u vu për rrugë në gjurmët e Jezusit. Duke e mishëruar në jetën e tij Ungjillin, u bë nismëtar i lëvizjes së gjërë shpirtërore e kulturore të Perëndimit”.
Në vijim Papa kujtoi manastiret benediktine që, në shekuj, u bënë qendra dialogu e që, falë studimit e punës, i dhuruan mbarë popujve evropianë zhvillimin moral, shpirtëror e kulturor:
“Të lutemi që Evropa ta vlerësojë këtë trashëgimi parimesh e idealesh të krishtera, e cila përbën një pasuri të pashterrshme kulturore e shpirtërore”.
Nga ky vend – përfundoi Benedikti XVI – Shenjti Pajtor i Evropës vijon t’i ftojë të gjithë ta vijojnë veprën e tij të ungjillëzimit e të përparimit njerëzor.

 
Pasi përfunduan Lutjet mbrëmësore, Papa u gjunjëzua pranë varrit të Shën Benediktit e të motrës së tij të shenjtë, Skolastikës.
Ati i Shenjtë XVI e përfundoi vizitën baritore në Kasino me një lutje prekëse për të rënët, në Varrezën polake të Montekasinos. Në këtë varrezë pushojnë në paqe 1052 ushtarë të rënë në betejën tragjike për të marrë me sulm majën e pushtuar nga trupat gjermane, në maj të vitit 1944. Papa ndezi një llambë kushtore e, më pas, iu lut Zotit t’i japë mbarë botës dhuratën e paqes, “më e çmuar nga çdo thesar që prishet”. Këtu, para kryqeve të bardha, dëshmitare të prekshme të tragjedisë së jetuar 65 vjet më parë në këto troje, Papa u lut për të rënët e të gjitha kombeve e i lartoi Zotit uratën, që njerëzimi të mos vuajë më nga luftërat vëllavrasëse:
“Na e jep Shpirtin tënd Jetëdhënës, që njerëzit e kohës sonë të kuptojnë se dhurata e paqes është më e çmuar se çdo thesar që prishet e se, në pritje të ditës pa perëndim, të gjithë jemi të thirrur të sigurojmë paqen për të nesërmën e bijve tanë. Bëji të gjithë të krishterët dëshmitarë më të bindur në shërbim të jetës, dhanti e paçmuar e dashurisë sate”.
Shën Benedikti e monakizmi mund t’i ofrojnë ende shumë Evropës, popujve e qytetërimeve të saj: ky është mesazhi i fuqishëm që përcolli Benedikti XVI nga Kasino, në Meshën e bashkëkremtuar me ipeshkvijtë e Lacios, përballë më se njëzet mijë besimtarëve, që e pritën me valavitje flamujsh të Vatikanit e me këngë festive.
Papën e përshëndeti kryetari i bashkisë së Kasinos, Bruno Shitareli i cili, i ndërprerë nga duartrokitje të stuhishme, njoftoi se tani e tutje ‘Sheshi Miranda’ do të quhet ‘Sheshi Benedikti XVI’.
Pasi ndoqi me emocion edhe përshëndetjen e ipeshkvit-abat Pietro Vitoreli, Papa Racinger i kujtoi Kontinentit të vjetër mbi ç’ themele u ngrit kultura e tij:
“Në abacinë tuaj preket me dorë fakti se kultura evropiane ishte kërkim i Zotit e gatishmëri për ta dëgjuar zërin e tij. E kjo vlen edhe për kohën tonë”.
Ora et labora – lutje, punë e kulturë: kjo moto – shpjegoi Papa - përmbledh gjithë programin ungjillor, që vijon të na e propozojë përshpirtëria benediktine.
Ati i Shenjtë preku edhe plagën e papunësisë, duke kërkuar rrugëzgjidhje përmes krijimit të vendeve të reja të punës, për të shpëtuar kështu edhe familjet e për t’i hapur të rinjve rrugë të reja në gjurmët e traditës benediktine, pa harruar njerëzit e ligësht e, sidomos, emigrantët.
Dje, në solemnitetin e të Shëlbuemit, Papa reflektoi për këtë mister, që duhet të na i mbushë zemrat me paqe e entuziazëm, duke na nxitur ta kumtojmë kudo lajmin e Ngjalljes së Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.