2009-05-25 16:59:45

Jordani, 8 maj: vende, institucione, veprimtari.


Selia Apostolike e Toka e Shenjtë
Më 11 shkurt 1948, me dëshirën e Piut XII, nisi misionin e vet “Delegacioni Apostolik në Jeruzalem e në Palestinë”, duke përfshirë Izraelin, Jordaninë e Ishullin e Qipros. Që nga koha e vendosjes së marrëdhënive diplomatike të Selisë së Shenjtë me Izraelin (14 qershor 1994), e me Jordaninë (3 mars 1994), Delegacioni Apostolik vijon ta përfaqësojë Selinë e Shenjtë në Jeruzalem e në Territoret Autonome Palestineze (Çisjordani e Rripi i Gazës). Në zonë janë dy nunca apostolikë, përkatësisht në Jordani (Aman) e në Izrael (Tel Aviv), si dhe një delegat Apostolik në Jeruzalem.
Në Jordani aktualisht nunc apostolik është imzot Frensis Asizi Çullikat, ndërsa ambasador i Jordanisë pranë Selisë Apostolike, zonja Dina Kavar.

Aman
“Rabbat Bene Amon”- qytet i madh i bijëve të Amonit, qendër e pushtetit amonit, është Filadelfia e lashtë greke, 758 metra mbi nivelin e detit, me 1. 580.00 banorë. Kryeqytet i mbretërisë Hashemite të Jordanisë, u ndërtua mbi kodrat në perëndim të maleve Ajlun, në veri të luginës Vadi Aman. Vendbanimet më të lashta i takojnë mijëvjeçarit IV para Krishtit. Qyteti mbretëror, i pushtuar nga trupat e Davidit, ka shumë mundësi të ketë qenë akropoli. Kreshniku Uria Hitita, burri i Betsabesë, me të cilën ishte dashuruar Davidi, u vra pikërisht gjatë betejës rreth mureve të Rabbatit. Mbas pushtimit nga mbreti egjiptian Ptolomeu II Filadelfius (285-246 p. Kr), u quajt përsëri Filadelfia. U rindërtua nga romakët në shekullin II. Të panumërta dëshmitë arkeologjike të epokës së krishterë, nga shekulli III në shekullinVII, kur u pushtua nga islamikët. Pushtimi përfundoi në vitin 635. Për shkaqe krejt të panjohura, në shekullin XIII qyteti zhduket. Trojet popullohen rishtas nga otomanët në vitin 1878, me kolonë çerkasë e çeçenë, por deri në fund të Luftës I Botërore, mbetet vend fare i vogël. Me rënien e perandorisë otomane, Transjordania (në lindje të lumit Jordan, Jordania e sotme) kaloi nën mandatin britanik për Palestinën. Më 1921 Qeveria e Londrës e ndau Transjordaninë nga Palestina, duke ngritur në të parën një emirat nën komandën e Abdullah Bin Hysen, asokohe mbret i Hegjiazit e i Nderuar i Mekës. Kryeqyteti i shtetit të ri ishte Amani, që rifilloi zhvillimin posaçërisht pas shpalljes së pavarësisë, më 1946. Me shpalljen e shtetit të Izraelit, drejt Amanit u dynd vala e refugjatëve palestinezë. Në vitin 1967 Jordania e humbi kontrollin mbi Çisjordaninë. Në këtë kohë nisi ndikimi i fortë palestinez, si përsa i përket rritjes së popullsisë, ashtu edhe në fushën politike e ushtarake. Pasojnë ndeshjet e armatosura të shtatorit 1970, që përfundojnë me largimin e guerriljes palestineze e me dëmtimin e rëndë të kryeqytetit. Amani sot është qendra më e madhe tregtare e financiare e vendit, e jo më pak edhe kulturore, seli e universitetit, themeluar më 1962. Interes të veçantë paraqet qyteti i lashtë, me kështjellën, muzeun arkeologjik e amfiteatrin romak, të gjitha të ruajtura shumë mirë.

Patriarkati i Jeruzalemit të Latinëve.
U themelua më 1099 e, pas shumë trazirash, u rithemelua më 23 korrik 1847 nga Papa Piu IX. Përfshin alfabetikisht Qipron, Jordaninë, Izraelin dhe Territoret Autonome të Palestinës, me 160.700 katolikë. Besimtarët janë të organizuar në 65 famulli, nën kujdesin e 76 priftërinjve dioqezanë. Statistikat aktuale flasin për 15 seminaristë; 197 meshtarë rregulltarë (5 të shuguruar vitin e fundit), 488 rregulltarë jo meshtarë; 947 rregulltare me kushte të përjetshme; 284 institute arsimore e 49 bamirësie. E vetëm vitin e fundit janë regjistruar 1. 274 të pagëzuar.

Me mbretin dhe mbretëreshën e Jordanisë
Mbreti i Jordanisë, Lartmadhëria e Tij, Abdallah II Bin Al-Hussein, djali i parë i Mbretit Hussein dhe i gruas së tij të dytë, Princeshës Muna (Antoinette Gardner), lindi në Aman më 30 janar 1962. Studioi në Akademinë Ushtarake Britanike të Sandhurst, në Oksford dhe në Georgetown në SHBA. Gjeneral divizioni në Ushtri, Komandat i Njësive speciale kundër terrorizmit, zuri në fron vendin e të jatit, pak ditë para vdekjes së tij. Sovran që nga 7 shkurti 1999, është pritur në audiencë nga Gjon Pali II më 18 shtator 1999 në Kastel Gandolfo. Është i martuar me mbretëreshën Rania (Al-Yassin) me të cilën ka katër fëmijë. Mbreti Abdallah është pasardhësi i 43-të i drejtpërdrejtë i Profetit Muhamed, në vijë mashkullore, që nis me nipin e Profetit Al-Hasan, sepse vetë Profeti nuk pati djalë. Dinastia hashemite ka qeverisur në Mekë që nga viti 1201, deri në vitin 1925. I nderuari Hussein Bin Ali (stërgjysh i Mbretit Abdallah), Emir i Mekës e mbret i Hegjiazit, udhëhoqi revoltën e madhe arabe të vitit 1916 kundër pushtimit otoman, që përfundoi me çlirimin dhe me krijimin e shteteve të Hegjiazit, Sirisë, Irakut e Transjordanisë. Djali i dytë i mbretit Hussein, Abdallah, themeloi emiratin e Transjordanisë më 11 prill të vitit 1921. Emirati, pasi fitoi pavarësinë nga Britania e Madhe më 22 mars 1946, që nga kjo datë quhet Mbretëria hashemite e Jordanisë. Mbreti Hussein (që mbretëroi nga 1952 deri më 1999), priti Palin VI gjatë shtegtimit të tij në Tokën Shenjte në vitin 1964 dhe e shoqëroi deri tek portat e Jeruzalemit. U prit disa herë nga Gjon Pali II.

Prania e krishterë në Jordani
Prania e të krishterëve në Jordani fillon që nga shekulli I pas Krishtit. E vërtetojnë këtë shkrimet e Euzebit të Çezaresë (264-240) i cili pohon se të krishterët e Jeruzalemit, në vitin 68 pas Krishtit, para rrënimit të qytetit nga ana e Titit, ikën në Pella e në zonat përqark. Shumë fise vendase u kthyen në fenë e krishterë e, sidomos, fisi i Gasasinës në qendrën veriore të vendit e nabatejtë në jug. Në shumë zona, krishterimi iu përshtat jetës fisnore të banorëve vendas. Çdo fis zgjidhte ipeshkvin e vet, që drejtonte jetën shpirtërore të besimtarëve. Ndërmjet shekullit V e VI, të krishterët ndërtuan shumë Kisha, rrënojat e të cilave i bënë ballë kohës, si dëshmi e gjallë e pranisë së krishterimit të parë në këto troje. Pas pushtimit arab, numri i myslimanëve u rrit vazhdimisht, ndërsa ai i të krishterëve, u pakësua. Sot në Jordani numrohen rreth 107 mijë besimtarë, të cilët nuk e braktisën vendin gjatë emigrimit të madh, që nisi në vitet ’50.

Mali i Nebos - nga Libri i Deuteronomit
Kreu 34
 
Në ato dit Mojzehi, prej stepet të Moabit, u ngjit mbi malin Nebo, maje kjo e Pisgës që asht përballë Jerikut.
Zoti ia kallëxoi tanë vendin: prej Galaadit deri në Dan, tanë Neftalin, vendet e Efraimit e të Manasses, mbarë krahinën e Judës deri në Detin Mjesdhé e në Negeb, ngushticën e luginës së Jerikut, qytetit të hurmave, deri në Zoar.
Zoti i tha: “Ky asht vendi për të cilin i jam përbetue Abramit, Izakut e Jakobit: unë kam me ua dhanë mbasardhësave tú.
Të bâna ta shohësh me sy tú, por ti s’ke me hy në tê!”.
Mojzehi, shërbëtori i Zotit, diq më atë vend, në dhenë e Moabit, simbas urdhnit të Zotit. Kje vorrue në luginë, në dhenë e Moabit, përballë Bet-Peorit; kurrkush deri më sot s’ e din se ku asht vorri i tij.
Mojzehi kishte njëqind e njëzet vjet kur diq; sytë nuk i ishin terratisë e të kërthnestit nuk i ishte ligështue. Izraelitët e vajtuen në stepën e Moabit për tridhetë dit rresht; mbrapa u kryen ditët e vajit për zinë e Mojzehit.
Jozuehi, i biri i Nunit, ishte plot me frymën e urtisë, përsè Mojzehi i kishte pushue duert mbi krye të tij; izraelitët i ndigjuen e bânë çka Zoti i kishte urdhnue Mojzehit.
Në Izrael s’ka lé ma një profetë si Mojzehi, - ai me të cilin Zoti folte fëtyrë për fëtyrë - për të gjitha ato shenje e mrekullí, të cilat Zoti ia kishte ngarkue t’i bânte në dhé të Egjiptit kundra faraonit, kundra ministrave të tij e kundra tanë vendit të tij e për dorën e tij të fuqishme e tmerën e madhe me të cilën Mojzehi kishte veprue para syve të gjithë Izraelit.







All the contents on this site are copyrighted ©.