2009-05-25 17:00:14

Jordani, 10 maj: në Jordan, ku u pagëzua Jezusi.


Al-Hussein Youth City
Eshtë një kompleks i rëndësishëm kulturor e sportiv, që nisi të ndërtohej në vitin 1964 nga Mbreti Hussein e që u zgjërua disa herë. Sot përfshin Pallatin e Kulturës, me tri salla për konferenca, një park natyror dhe Qytetin Sportiv. Në këtë qytet gjinden tri pishina, një nga të cilat, e mbuluar e një tjetër, olimpike. Vijnë, pastaj, terreni për lojën e tenisit, të regbisë, volejbollit, basketbollit si dhe disa palestra. Nuk mungon as terreni për vrapimet me kuaj, me stallat e ambulancën veterinare përkatëse, pa harruar fushën e futbollit për stërvitje, shtruar me bar sintetik dhe Stadiumin ndërkombëtar: fushë futbolli me livadhin tradicional, që mund të zërë 25 mijë veta.
Këtu e kremtoi sot Benedikti XVI Meshën Shenjte, në praninë e më se 30 mijë pjesëmarrësve.

Betania përtej Lumit Jordan
Zona e “Betanisë përtej Jordanit” ishte qëndra e veprimtarisë së Gjon Pagëzuesit dhe skena e jetës publike të Jezusit. Këtu Gjon Pagëzuesi nisi t’i ftonte njerëzit të bënin pendesë, sepse mbretëria e qiejve nuk ishte larg. Këtu kujtoi profecinë e Izaisë profet:

“Do të dëgjohet një zë,
që do të bërtasë në shkretëtirë:
Përgatitjani rrugën Zotit;
drejtoni shtigjet e tija;
luginat do të mbushen;
e malet e kodrat do të rrafshohen;
e rrugët e shtrembëra do të bëhen të drejta;
e shtigjet e thyeshme - të sheshta;
e njerëzimi mbarë do ta shohë
shëlbimin që vjen prej Perëndisë”.
 
Gjoni endej në këto vise i veshur me gozhup deveje e me një brez lëkure në përmjet; ushqimi i tij ishin karkalecat e mjalti i bletëve të egra. E tek ai ngarendnin njerëz nga Jeruzalemi, nga gjithë Judeja e nga viset e bregut të Jordanit e, duke rrëfyer mëkatet, pagëzoheshin prej tij në Jordan. E ai pohonte: “Unë ju pagëzoj me ujë në shenjë të pendesës suaj; por ai, i cili do të vijë mbas meje, është më i fuqishëm se unë, e unë s’jam i denjë as t’ia zbath sandalet; ai do t’ju pagëzojë në Shpirtin Shenjt e në zjarr. Ai ka ndër duar tërplotën e drithit, do ta pastrojë lëmin e do ta mbledhë grurin në hambarë, por bykun do ta djegë në një zjarr të pashueshëm”.
Këto vise, me emrin Betani, ku predikoi Shën Gjoni e ku pagëzoi Krishtin, sot janë ende të varrosura e pozicioni i tyre nuk është i përcaktuar plotësisht. Ka shumë mundësi të ndodhen rreth 200 metra në lindje të kodrës së Elisë Profet, ku nuk kanë filluar akoma gërmimet arkeologjike. Zona njihet me emrin Wadi Al-Kharrar’ (Lugina melodioze), për shkak të një melodie të lehtë, jashtëzakonisht të këndshme, e cila përhapet nga ujërat e Jordanit, që patën fatin të preknin korpin e Krishit.
Zona është 350 metra nën nivelin e Mesdhdeut, pak kilometra larg nga pika, ku lumi zgjërohet e derdhet në ‘Detin e Vdekur’; ‘Deti i Kripur’ i Besëlidhjes së Vjetër (Dt 3,17; Joz 3,16; Nr 34,12) e ‘Deti i Lotit’ i dorëshkrimeve arabe. Këtu ndodhet edhe qendra arkeologjike, që njihet si ‘Baptism Site”, pranë së cilës është ngritur edhe kantieri për ndërtimin e Kishës së latinëve. E pikërisht këtu Benedikti XVI bekoi sot gurët e parë të Kishave të latinëve e të greko-Melkitëve: ugur për të ardhmen e krishterimit në viset e Krishtit.

 
Pagëzimi i Jezusit

 
(Simbas Mateut, Markut e Lukës)
Mt. 3,13-17
13 Jezusi shkoi prej Galilejet në Jordan, te Gjoni, për t’u pagëzue prej tij.
14 Gjoni, përkundra, donte me ia prishë tue i thanë: “Jam unë që kam nevojë me kenë pagëzue prej tejet, e ti vjen te unë?”.
15 Por Jezusi ia kthei e i tha: “Lêne atë punë për tash, përsè asht ma mirë që në ketë mënyrë të plotësojmë gjithçka asht shkrue”. Atëherë Gjoni pranoi.
16 Porsá u pagëzue, Jezusi duel prej ujit; e qe se u çilën qiellët për tê e Gjoni pau Shpirtin e Hyut kah po zdrypte porsi një pëllumb e kah po xênte vend mbi tê. 17 E qe se një za prej qiellet tha: “Ky asht Biri em i dashtuni, në të cilin e kam vû kënaqësinë teme”.

Mk.1,9-11
Pagëzimi e tundimi i Jezusit
9 Në ato dit Jezusi erdh prej Nazaretit të Galilesë e kje pagëzue në Jordan prej Gjonit. 10 E, tue dalë prej ujit, pau kah çileshin qiellët e kah po zdrypte Shpirti Shenjt mbi tê në trajtën e një pëllumbit. 11E u ndie një za prej qiellet: “Ti je Biri em i dashtun, në ty e kam vû kënaqësinë teme”.
12E menjëherë Shpirti e shtyni Jezusin të shkojë në shkretí 13 e këtu ndei katërdhetë dit, i tunduem prej shejtanit: ndei në shoqní me bishë, e engjujt i shërbejshin.

Lk. 2,21-22
Pagëzimi i Jezusit

 
21 E ndodhi që, mbasi kje pagëzue tanë populli, në sa Jezusi, tue pasë marrë edhe ai Pagëzimin, ishte në lutje, u çil qiella 22 e mbi tê zdrypi Shpirti Shenjt në trajtën trupore në ngjasim të një pëllumbi, e u ndie një za prej qiellet: “Ti je Biri em i dashtuni, në ty e kam gjetë kënaqësinë!”.

 

 
‘Besëlidhja e Re’ – përkthye nga Atë Daniel Gjeçaj ofm Romë 1968







All the contents on this site are copyrighted ©.