2009-05-25 17:00:31

13-14 maj: Betlehem, në Shpellën ku lindi Krishti e gjurmë të tjera


Territoret Autonome Palestineze
Këto territore përfshijnë dy entitete gjeografike, të ndara nga 30 kilometra territori izraelit: Çisjordaninë (West Bank), që kufizohet me Izraelin e me Jordaninë, dhe Rripin e Gazës, që kufizohet me Izraelin e Egjiptin. Entiteti u njoh nga OKB-ja pas Marrëveshjeve të Oslos ndërmjet Izraelit e Organizatës për Çlirimin e Palestinës (28 gusht 1993), pas një procesi tejet të gjatë bisedimesh të fshehta, nën drejtimin e diplomacisë norvegjeze. Territoret qeverisen nga Autoriteti Palestinez, me seli në Ramallah, Çisjordani. Presidenti i Autoritetit Palestinez është Mahmud Abaz, mandati presidencial i të cilit ka përfunduar që më 15 janar 2008, por është shtyrë për një vit.

Sheshi i Grazhdit
Sàhat Al-Mahd - Sheshi i Djepit në gjuhën arabe, kundruall Bazilikës së Lindjes së Krishtit, është sheshi kryesor i Betlehemit. Këtu ndodhen Pallati i Bashkisë, një xhami e lashtë dhe Qendra e Betlehemit për Paqen. Në Shesh kryqëzohen Udha e Barinjve (që të çon në vendin ku u duk Engjëlli, në fshatin palestinez Beit Sahur); Udha e Shpellës së Qumështit (shenjtërore e ngritur në një shpellë me shtuf të bardhë ku, sipas traditës, Maria mëkoi Krishtin Fëmijë), dhe Rruga Pali VI (për kujtim të vizitës së Papës më 6 janar 1964). Është Sheshi ku sot, më 13 maj 2009, kremtoi Meshën Shenjte Papa Benedikti XVI.

Bazilika e Lindjes së Krishtit
Qendër historike, fetare e kulturore e Betlehemit, ku të krishterët sot janë tepër pak (kalë kaluar nga 90% në 20%), Bazilika konsiderohet si Kisha më e lashtë e botës. Ndërtesa e parë kishtare u ngrit nën kujdesin e Kostandinit (326). Në vitin 540 Perandori Justinian e zbukuroi me një dysheme prej mozaiku. Më 614, hordhitë persiane të Kosroes hynë në bazilikë, por nuk e cënuan fare, sepse në afreskun e fasadës panë Tre Mbretërit me veshje persiane. Në vitet e para të pushtimit arab, krerët myslimanë e respektuan shumë kultin e krishterë; kalifi Omar vinte të lutej në vendin shenjt të Marisë, Nënës së Profetit Isa, siç quhet Jezusi në Kuran. Në epokën e Kryqëzatave, bazilika arriti kulmin e shkëlqimit. Për zbukurimin e saj punuan si mbreti i Jeruzalemit, ashtu edhe Perandori i Kostandinopojës. Qe periudhë e shumëlumtur në marrëdhëniet ndërmjet Kishës latine e asaj greko-ortodokse. Në vitin 1187, pas rënies së mbretërisë latine, Sulltan Saladini e respektoi bazilikën, e cila u rihap për kultin disa vjet më vonë, me detyrimin për të paguar një haraç. Në vitin 1347 këtu u vendosën françeskanët, që zunë vendin e Kanonikëve të Shën Agostinit si në Bazilikë, ashtu edhe në Shpellë. Duke nisur nga shekulli XVI, marrëdhëniet ndërmjet greko-ortodoksëve e françeskanëve bëhen herë të ndera e herë miqësore, në përkim me marrëdhëniet ndërmjet Sulltanit Otoman e Republikave detare italiane. Dekreti otoman i shekullit të kaluar i dha fund grindjeve, duke vendosur ‘Statu quo’-në për disa shenjtërore, në pritje të zgjidhjes përfundimtare, që nuk është arritur akoma.
Bashkëpronarë të sotëm të Bazilikës janë greko-ortodoksët, armeno-ortodoksët e latinët. Kompleksi monumental i ndërtesave kishtare, zemër të cilave është Bazilika e Lindjes së Zotit, mbulon një hapësitë prej 12 mijë metrash katrore e përfshin, përveç Bazilikës, kuvendin latin (veri), grek (jug-lindje) armen (jug-perëndim) dhe Kishën e Shën Katerinës, ku kremtohet sipas ritit romak. Shpella e Betlehemit, poshtë Bazilikës, pronë e françeskanëve, është e ndarë në dy pjesë: Elteri i Lindjes së Krishtit, i grekëve, dhe Elteri i Grazhdit, (Shpella e Mbretërve Dijetarë), i latinëve.

Shpella e Lindjes së Krishtit
Duke kaluar nga ana e Korit, nëpër Portat prej bronzi, që i përkasin kohës së kryqtarëve, mund të zbresësh në Shpellën ku lindi Krishti (12,30 x 3.15 metra). Nën Elterin e Shpellës është një yll argjendi, i fiksuar mbi një pllakë mermeri me një mbishkrim latin, që tregon vendin ku lindi Krishti. Nuk dihet me saktësi në se Shpella ishte një nga zgavrrat natyrore, që këtu nuk mungojnë, apo stallë e ndjonjë bujtine. Gjithsesi tradita, që nis nga gjysma e shekullit II, e shpjegon qartë: këtu ishte një shpellë, që përdorej edhe si stallë. Shpella ka qenë gjithnjë poshtë Bazilikës, me të cilën komunikonte në fillim me një e pastaj me dy shkallë. Fasadat e të dy hyrjeve janë të kohës së Kryqëzatave; ashtu edhe portat, që duhet të kenë pësuar mjaft ndryshime, gjë që e tregon fakti se njëra është e vënë praptazi.
Shpella është katrore, e errët. Ndriçohet nga 48 llamba, 21 nga të cilat u përkasin latinëve. Në sfond të Shpellës duket ende shkëmbi i dikurshëm, ndonëse muret janë veshur me mermere, që nga dyshemeja, deri në qemer. Në këmbët e Elterit, Kometa tregon se shì këtu lindi Zoti. Përballë vendit të Lindjes së Krishtit, një elter i vogël të kujton vizitën e Tre Mbretërve: është elteri ku kremtojnë Meshën latinët.

14 maj:
Nazareti
‘Nazaret’ në hebraisht, ‘An-Nasira’ në arabisht, do të thotë ‘lulja e Galilesë’. Dyzet e pesë vjet më parë Pali VI e quajti ‘shkolla e Ungjillit’.
Qyteti hapet në formë amfiteatri mbi malet e para të Galilesë, në një lartësi ndërmjet 350 e 495 metrash. Është qyteti më i madh arab i shtetit të Izraelit, më i rëndësishmi i Galilesë e qendër e saj administrative. Qyteti i vjetër, bashkia e të cilit është arabe, ka 40 mijë banorë, të krishterë e myslimanë. Në kodrat përqark në vitet ’48 nisi të ndërtohej qyteti i epërm ‘Illit’, i populluar nga hebrenj emigrantë (30 mijë banorë), që ka administratë më vete.
Gjurmët e para të qytetit i takojnë epokës së bronzit, por historia e tij e vërtetë nis me ngjarjet e mëdha ungjillore: Lajmërimin e Zojës së bekuar, jetën e fshehtë të Jezusit, dëbimin nga sinagoga. Zona nisi të banohej që në fillim të shekullit I, kryesisht nga judenj e të krishterë me prejardhje hebraike, ndërmjet të cilëve, farefisi i Jezusit, që ishte në krye të Kishës. Ky farefis ruante kujtimet e familjes e ndahej në dy degë: pasardhësit e fisit të Jozefit e pasardhësit e fisit të Marisë. Shtëpitë e tyre u shndërruan në vende kulti e kështu mbetën deri në ditët tona. Në shekullin V në Nazaret vendosen edhe të krishterë me prejardhje nga paganët. Judenjtë e Nazaretit u bashkuan me persianët e Kosroes II për të shkatërruar kishat e manastiret. Me fitoren e bizantinit Eraklio (629) u dëbuan nga qyteti. Erdhën, më pas, arabët, që shkaktuan trazira të reja. Tankredi, i emëruar nga kryqtarët Princ i Galilesë, i rindërtoi vendet e krishtera të kultit. Por më 1187 Nazareti u pushtua rishtas, këtë herë nga Saladini, e iu rikthyer të krishterëve vetëm në vitin 1240. Në vitin 1263 Bibars i rrënoi përsëri kisha e manastire e fshati mbeti për më se 400 vjet i varfër e i banuar vetëm nga një numër i paktë myslimanësh. Në vitin 1650, Emiri i Malit të Libanit e Princ i Galilesë, Fahredini II, i dhuroi françeskanëve vendin e Lajmërimit të Zojës (dhuratë e përjetësuar në lapidarin e hyrjes), ku ngritën shtëpinë e tyre të re. Këtu u strehua Napoleon Bonaparti në vitin 1799.
Nazareti pret çdo vit një milion vizitorë, dmth gjysmën e të huajve që hyjnë në Izrael. Rruga kryesore e qytetit quhet e ‘Palit VI’, për kujtim të shtegtimit të Papës (5 janar 1964). Këtu është selia e Vikariatit të Patrikut të Jeruzalemit të latinëve për Izraelin, aktualisht Imzot Gjaçinto–Bulos Markuco. Në qytet janë të shumta bashkësitë katolike: fretërit e vegjël, salezianët, salezianet, vëllezërit e shkollave të krishtera, fatebenefrateli, motrat e Nigricisë, guanelianët etj etj.
Amfiteatri natyror, i zgjedhur për Meshën e Benediktit XVI sot, më 14. 05. 2009, pranë pyllit të vogël ‘Gjoni XXII’, zë rreth 20 mijë vetë. Por ishin të pranishëm 45 mijë.

Bazilika e Lajmërimit të Zotit
Që në shekullin I, pasardhësit e familjes së Zojës së Bekuar e shndërruan në vend kulti Shtëpinë-Shpellë, ku Engjëlli i kishte dhënë Marisë lajmin e madh të Mishërimit të Zotit. Këtu, në shekullin V, u ngrit Bazilika e parë, sipas stilit bizantin të epokës.
Në shekullin XI, kur Tokën Shenjte e sundonin të krishterët latinë me Baldovinin I, bazilika e vjetër, në rrënim e sipër, u rindërtua me stil romanik. Monumenti madhështor, jashtëzakonisht i pasur me vepra arti, u bë rrafsh me tokën nga Bibars, emër me të cilin njihet sulltani mameluk egjiptian, al-Malik al-Zahir Rukn al-Din Baybars al-Bunduqdari. Shpëtoi vetëm Shpella shenjte.
Vetëm në vitin 1629, Rojtari i Tokës Shenjte, Atë Tomazi nga Novara, mundi të nxirrte lejen të kujdesej për rrënojat e bazilikës.
Kisha françeskane e vitit 1730 përfshinte edhe Shtëpinë-Shpellë- të Familjes së Shenjtë, vendosur në një kriptë poshtë Elterit të madh. E ngritur në dinjitetin e famullisë, bazilika u zmadhua në vitin 1877 e pastaj u shemb përsëri më 1959, për t’i lëshuar vendin Kishës së re.
Bazilika e sotme, ende e papërfunduar, u vizitua nga Papa Pali VI e u kushtua ditën e festës së Zojës Nunciatë, në praninë e kardinalit Garrone, më 25 mars 1969.
Bazilika, vepër e arkitektit Gjovani Mucio, është e ndërtuar me betonarme dhe e veshur me gurë vendi. Përmbi fasadën kryesore lartohet shtatorja e Krishtit Shëlbues; poshtë saj, skena e Lajmërimit të Zojës e katër Ungjilltarët.
Fasada e jugut i kushtohet Marisë në moshën e vashërisë. Në të majtën, shihet një mur në formë kryqi. Brenda janë dy Kisha, të vendosura njëra mbi tjetrën, me një derë qëndrore, nga e cila shihet Shtëpia-Shpellë e Familjes Shenjte: pjesa e poshtme, me stilin e kriptës, ruan Shpellën dhe elterin françeskan të viteve ‘600, me mbishkrimin: “Verbum caro hic factum est”; Kisha e epërme i kushtohet ngjitjes së në qiell të Zojës së Bekuar, Nënës së Zotit të mishëruar; mozaiku i madh qëndror është i Salvatore Fiume-s; në mure soditen disa piktura, që i kushtohen devocionit marian në shenjtëroret e ndryshme të botës (Kamerun, Etiopi, Taivan, Venezuelë, Brazil, Poloni, SHBA, Portugali, Spanjë, Francë, Kanada, Japoni, Meksikë, Australi, Liban, Argjentinë, Angli). Kupola, e lartë 55 metra, lartohet në formë vravashke, ndërsa nga brenda ka formën e palmës. Dyshemeja, që lidh dy Kishat, duket si qilim mermeri shumëngjyrësh, me katër pamje, që paraqesin Magjisterin e Kishës për Marinë: Marinë, Nënë e Zotit, Të ngjiturit e Zojës në Qiell, Dogmën e së Papërlyerës, Ndërmjetësimin Universal, Shenjtërinë e Përkryer, Dinjitetin Mbretëror, Amësinë Shpirtërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.