2009-05-25 17:00:23

11-12 maj, Shtegtar në Izrael.


Tel Aviv
Tel Aviv-Jafa, është qendra më e madhe urbane, ekonomike e kulturore në Izrael, me 360. 000 banorë, 1. 142 . 000 në qendrat qytetare të banimit, pothuajse një e katërta e popullsisë izraelite. Jeta e qytetit nisi më 1950, kur Porti i lashtë i Jafës u shkri me rrethinat hebraike të tij, të quajtura Tel Aviv (Kodra e Pranverës). U rrit me shpejtësi nga ardhja e vazhdueshme e emigrantëve të rinj. Jafa njihet që në epokën kananèe (shek XV para Krishti). U pushtua më parë nga egjiptianët e, më pas, nga filistenjtë. Mbreti David e çliroi e i biri, Salomoni, nisi të mblidhte nga porti, drurin e çedrit që fenikasit e lëshonin në ujë në Tir, për ndërtimin e Tempullit të Jeruzalemit, Më pas u sulmua nga pushtues të panumërt: nga Aleksandri i Madh, romakët, kryqtarët, mamelukët e otomanët. Në vitin 1948, kur u njoftua se do të krijohej shteti i Izraelit, popullsia arabe e qytetit (65 mijë vetë, gjysma e banorëve) u largua nga vendi, të cilin e zunë menjëherë emigrantët hebrenj, që gjetën një qytet gjysëm të zbrazët. I ndërtuar mbi tri kodra, qyteti shtrihet sot në një hapësirë prej 10 kilometrash gjatë bregdetit mesdhetar, në qendër të vendit. Më se gjysma e instalimeve industriale izraelite: industri tekstile, ushqimore, metalurgjike, elektronike, informatike, e përpunimit të diamanteve etj. etj., ndodhen në zonën metropolitane të Tel Aviv-Jafës. Tel Avivi është qendra kryesore e shtypit dhe e editorisë izraelite. Ishte porti i dytë i rëndësishëm i vendit deri më 1965, kur u përurua porti i Ashdodit, 30 kilometra më në jug. Universiteti i Tel Avivit u hap më 1956 ndërsa ateneu fetar i Bar-Ilan, më 1953. Institute e shkolla të shumta teologjike e rabinike tërheqin studentë nga të katër anët e botës.
Në Tel Aviv e kanë selinë edhe Orkestra Simfonike dhe Teatri Kombëtar i Operas.

Jeruzalemi
“Yerushalaym” (themeluar nga Zoti Shalem, në hebraishte “Al-Quds”: Vend i Shenjtë, emër arab, pas pushtimit islamik), ngrihet 770 metra mbi nivelin e detit Mesdhe e 1.165 metra mbi Detin e Vdekur. I shtrirë mbi dy kodra, qyteti i lashtë, mbyllur brenda mureve të ndërtuara më 1542, ruan kujtime të shenjta e monumente të rëndësishme të Besëlidhjes së Vjetër e të Re: Tempullin e parë, Kullën e Davidit, Udhën e Dhimbshme të Kryqit, Kapelën që të kujton rrahjen e Krishtit me kamzhik, Varrin e Shenjtë, Kishën e Fjetjes së Zojës së Bekuar, etj. etj. Ndahet në katër lagje kryesore: lagjja hebraike, ajo e krishterë, armene e islamike. Lagjja hebraike (juglindje) shtrihet në Qytetin e Epërm të kohës së Herodit; atje mund të soditet Kulla izraelite dhe Muri Perëndimor (i njohur si ‘Muri i Lotëve’).
Lagjja e krishterë zë pjesën perëndimore të qytetit. Ndërmjet monumenteve më të rëndësishme, kujtojmë Bazilikën e Varrit të Shenjtë, Kishën e Shën Gjon Pagëzuesit dhe Kishën e Shën Veronikës, gjatë Udhës së Kryqit.
Lagjja islamike, më e madhja e qytetit, përfshin shumë vende të shenjta të krishtera: Udhën e Kryqit, Kuvendin e rrahjes me kamzhik, Kishën e Shën Anës, Kapelën e ‘Ecce Homo’ dhe Sheshin e Xhamive (Kupola e Shkëmbit, vendi i tretë i shenjtë i islamit e Xhamia Al-Aksa).
Së fundi, lagjja armene, në pjesën më jugore të mureve, e banuar pothuajse krejtësisht nga armenët, që duhet të kenë ardhur këtu aty nga shekulli I. Aty ndodhet Selia e Patriarkanës armeno-ortodokse, një nga tri Rojtaritë e Tokës Shenjte (së bashku me Patriarkanën greko-ortodokse e Rojtarinë e fretërve të vegjël), juridiksioni i të cilave shtrihet mbi të gjithë Tokën Shenjte e edhe mbi Jordaninë. Katedralja e Patriarkanës, kushtuar Shën Jakut, është ndërtuar mbi themelet e shtëpisë së Apostullit, i pari ipeshkëv i Jeruzalemit.
Qyteti i lashtë ka shtatë porta: Bab Al-Khali (Porta e Jafës), Bab An-Nabi Daud (Porta e Davidit), Bab Al-Mugharba (Porta e Mugrabinëve), Bab Sitti Mariam (Porta e Luanëve ose e Zojës së Bekuar), Bab Az-Zahira (Porta e Herodit) e Bab Al-Xhadid (Porta e Re).
Udhët brenda mureve janë të ngushta e të pjerrëta, nganjëherë me pjerrtësi tepër të madhe ose me këmbë të gjëra shkallësh; të shpeshta rruginat e qemeret .
Qyteti i ri është i kthyer nga ana e Ramallahut në veri, nga Betlehemi në jug, depërton në shkretëtirë, në lindje; në viset e Shefelah, në perëndim. Ka gjysëm milion banorë, nga të cilët ¼ janë arabë (myslimanë e të krishterë).
Me rëndësi, prania e katolikëve në Jeruzalem, me Delegacionin Apostolik në Malin e Ullinjve, Patriarkatin Latin, Rojtarinë e Tokës Shenjte dhe Kishën e të Shëlbuemit (kishë famullitare e latinëve të Jeruzalemit), Vikariatet Patriarkale greko-katolike, siro-katolike e maronite, Vikariatin armeno-katolik e kaldeo-katolik, Shkollat Biblike dhe Arkeologjike Franceze(1890), Studium Biblicum Franciscanum (1927), Shkollën amerikane për kërkime shkencore lindore, Istitutin Papnor Biblik, Qendrën Kristiane të Informacionit (që përfshin edhe Zyrën françeskane të shtegtimeve) si dhe institute të tjera fetare, arsimore e shoqërore.

Memoriali i Yad Vashem
Është monumenti përkujtimor i Holokaustit, shfarosjes masive të hebrenjve nga nazistët. Yad Vashem do të thotë: ‘Një përkujtim e një emër”. Vendimin për ndërtimin e tij e mori Parlamenti Izraelit (Knesset) në vitin 1953. Ndërtesa ka Sallën përkujtimore, Muzeun historik, Galerinë e artit, Sallën e emrave, Arkivin, Luginën e bashkësive të humbura, Qendrën edukative dhe Kopshtin e famshëm të të Drejtëve ndërmjet kombeve, për nder të njerëzve nga të gjitha kombet e fetë, që vunë në rrezik jetën e tyre për të shpëtuar hebrenjtë nga shfarosja.
Memoriali ngrihet pranë Malit Herzl, në Majën e Har Hazikaron (Mali i Kujtimit). Mbrenda është ‘Hall of Remembrance”, një strukturë në formë çadre, që përkujton vrasjen e 6 milionë hebrenjve, shpesh bashkësi të tëra hebraike të zhdukura. Këtu, para një flake, që nuk shuhet kurrë, janë shkruar emrat e njëzet e dy kampeve të përqendrimit e ruhen disa nga urnat me hirin e viktimave të furrave krematore. Ndërsa në Arkivin Qendror të Holokaustit e të Heroizmit, ruhen 50 milionë dokumente mbi shfarosjen në masë të hebrenjve.
Papa Gjon Pali II e vizitoi këtë vend më 23 mars të vitit 2000.
Po ju njohim me tekstin e identifikimit të viktimave, që u lexua gjatë vizitës:

“Duke lartuar flakën, që digjet në përjetësi,
në këtë Memorial, para hirit të shenjtë
të vëllezërve tanë, një me ta e ndjejmë veten
një me kujtimine tyre;
me 6 milionë bij prej popullit tonë
që pësuan martirizimin e vdiqën
nga dora e nazistëve dhe e bashkëpunëtorëve të tyre,
së bashku me grupe të vogla e të mëdha hebraike,
të shkatërruara me synimin e ultë për të shlyer
emrin e kulturën e Izraelit në botë.
Me druajtje të shenjtë kujtojmë forcën e shpirtit
të vëllezërve tanë, madhështinë, guximin
e luftëtarëve që ndër geto ndezën
flakën e kryengritjes, duke shpëtuar nderin
E dinjitetin e popullit hebre; kujtojmë luftën
krenare e sublime të Kombit tonë për të shpëtuar
trashëgiminë e etërve e fytyrën njerëzore të bijve.
Kujtojmë, së fundi, ‘ të Drejtit e Kombeve’
që vunë në rrezik jetën e tyre
për të shpëtuar atë të hebrenjve”.
E, në përfundim të vizitës në Yad Vashem, Benedikti XVI shkroi në librin e vizitorëve këtë frazë:“‘His mercies are not spent’ (“Fara e tyre nuk u shua”), shkëputur nga Libri i Vajtimeve (Vaj 3-22): Poshtë, nënshkrimi: Benedictus PP. XVI”.

Instituti papnor “Zoja e Qendrës së Jeruzalemit”
Etërit francezë augustinianë të të Ngjiturit të Zojës në Qiell (asuncionistë) filluan në vitin 1884 ndërtimin e Qendrës “Zoja e Bekuar e Francës”, që të ndihmonin shtegtarët francezë në Tokën Shenjte. Terreni prej 4 mijë metrash katrore u pat blerë nga konti i Pielasë dhe dhurimet e paratë e besimtarëve e të shtegtarëve bënë të mundur që të ndërtohej një strehë për ta në vitin 1888. Gjatë Kongresit Eukaristik Botëror të Jeruzalemit (1893) u vendos guri i parë i kapelës dhe ndërtesa përfundoi në vitin 1904. Gjatë konfliktit të parë arabo-izraelit, në vitin 1948, ndërtesa u dëmtua seriozisht nga shpërthimi i dy minave dhe u bë pikë vëzhgimi izraelite në linjën “no man’s land”; ana e kundërt dhe shtëpitë e oborrit u kthyen në strehë për izraelitët pa shtëpi. Shtegtarët ishin të paktë e për të përballuar shpenzimet, asuncionistët shitën pronën. Në vitin 1973, Papa Pali VI vendosi shndërrimin në Qendër Ndërkombëtare të Selisë së Shenjtë në favor të shtegtarëve, duke e zgjeruar edhe me seksione për promovimin kulturor dhe profesional. Gjon Pali II e ktheu Qendrën në Institut papnor me emrin “Zoja e Qendrës së Jeruzalemit”, më 13 dhjetor 1978(Statuti u miratua më 2 shkurt 1981). Qendra konsiderohet “vend i shenjtë ekumenik” dhe është prelaturë territoriale, ku prelati është Delegati Apostolik në Jeruzalem dhe në Palestinë. Qendra disponon 144 dhoma, 2 salla për mbledhje dhe një auditorium me 500 vende, ku u mbajt sot takimi me organizatat për dialogun ndërfetar. Administrimi i Institutit, që gëzon të drejta extra-territoriale, i është besuar nga Papa Gjon Pali II Legjionarëve të Krishtit, përmes Motu Proprio “Në Vazhdim” (26 nëntor 2004). Prelati territorial është Nunci apostolik në Izrael, imzot Antonio Franko. I ngarkuari i Selisë së Shenjtë për Qendrën është atë Solana Rivera Huan Maria, i Legjionarëve të Krishtit, i cili është edhe Atashe Kulturor pranë Delegacionit Apostolik në Jeruzalem dhe Palestinë (www.notredamecenter.org).

Instituti i ri “Notre Dame” i Magdalës ka qëllim ta shtrijë misionin e Qendrës së Jeruzalemit edhe në Galile, në pjesën veriore të Izraelit. Projekti do të realizohet në një terren prej 4,3 hektarësh, blerë me ofertat e mijëra besimtarëve, në vendin ku lindi Maria Magdalena, në brigjet e Liqenit të Galilesë. Do të shërbejë si strukturë për pritjen e shtegtarëve dhe si qendër shpirtërore sëbashku me Bazilikën e ardhshme të Shën Maria Magdalenës.

12 maj
Mbi Sheshin e Xhamive të Jeruzalemit
Sheshi i Xhamive, i njohur edhe si Al-Hàram Ash-Sharìf (rrethimi fisnik i shenjtë, në arabisht) është një rrafshinë artificiale në formë trapezi (gjatësia 462-491 m, gjerësia 281-310 m), që zë një të gjashtën e sipërfaqes së Qytetit të Vjetër. Zona është tri herë e shenjtë: hebrenjtë e mbajnë si vendin e episodit të Abrahamit e të Isakut dhe si vendin e Tempullit të Salomonit; myslimanët e konsiderojnë si vendi i tretë i shtegtimeve, pas Mekës dhe Medinës; së fundi, për të krishterët është vendi i profecisë së Krishtit për shkatërrimin e Tempullit të Jeruzalemit. Në shesh ngrihen dy xhami të mëdha (Kupola e Shkëmbit dhe Xhamia Al-Aksa) me vende të tjera të shenjta me minare, shatërvane e galeri. Tek sheshi mund të arrihet përmes tetë shkallëve, në majë të të cilave ndodhen harqe që quhen Mauazìn (peshore në arabisht): aty, sipas fesë islamike, do të varen peshoret për të matur shpirtrat, ditën e Gjykimit të Mbramë.

Kupola e Shkëmbit
(Qubbet As Sakhra, në arabisht) është monumenti më i lashtë islamik në Tokën Shenjte. Xhamia e parë, e ndërtuar në vitin 640, u zëvendësua në vitin 687 nga vendi aktual i kultit, me bukuri të pakrahasueshme. Në shekullin XII shndërrohet nga kryqtarët në kishë me emrin Templum Domini, e prej këndej e ka origjinën urdhëri kavaleresk i Templarëve. Tempulli i kthehet kultit mysliman me Salahedinin, në vitin 1187. Ndërtesa është tetëkëndëshe; të gjitha anët kanë dekorime të çmuara, pjesa e fundit në mermer shumëngjyrësh, maja me pllaka majolike arabeske. Materiali i ndërtimit vjen nga shtëpi e kisha të mëparshme, bizantine dhe romake. Brenda, xhamia është e pasur me piktura e fraza të Kuranit, shkruar me ar, pas pasqyrime të natyrës, pasi Islami është ikonathyerës. Dyshemeje, me pllaka meremeri, mbulhet nga tapete të çmuara persiane. Në qendër të ndërtesës ngrihet Shkëmbi i Shenjtë, mbi të cilin është lutur Muhameti para se të ndërmerrte udhëtimin e tij drejt Qiellit, e mbi të cilin do të bien trumpetat në Ditën e Gjykimit të Mbramë. Kupola që mbulon Shkëmbin nga sipër mbahet nga 12 kolona të gjata, prej mermeri shumëngjyrësh. E formuar nga dy qemerë druri të vendosura njëra mbi tjetrën, kupola është e veshur nga jashtë me alumin të larë me ar. U la me ar në vitet ’90 nga mreti jordanez hussein. Brenda, tavani është i veshur krejtësisht me një mozaik me sfond të artë.

Xhamia Al-Aksa
(më e largëta, në arabisht), sipas traditës myslimane, është vendi më i largët nga Meka, në të cilin është transportuar Muhameti gjatë Natës së Kadrit (të fatit). Ndërtesa është e fillimit të shekullit VIII; shkatërruar krejtësisht nga tre tërmete, bëhet seli i Templarëve për t’u kthyer në kultin islamik me Salahedinin. U rindërtuar dhe i rizbukurua shpesh, sidomos gjatë pushtimit otoman. Gjatë restaurimit të fundit, në vitin 1938, mbreti faruk i Egjiptit bëri një tavan të ri dhe Musolini i Italisë dhuroi kolonat prej mermerit të famshëm të Karrarës. Në vitin 1966 u restaurua kupola, me zëvendësimin e mbulesës prej plumbi me fleta alumini. Mbi Shesh ndodhet edhe një Muze Islamik, që ruan dorëshkrime interesante, ndërmjet të cilave spikat një Kuran i epokës së mamelukëve (shekulli XIII).
  “Muri i Lotëve” në Jeruzalem
Muri Perëndimor (në gjuhën hebraike : הכותל המערבי HaKotel HaMa'aravi), ose thjeshtë Kotel, është mur rrethues i Tempullit të parë të Jeruzalemit, i ruajtur deri në ditë tona. Njihet edhe si ‘Muri i Lotëve” ose si ‘Muri al-Buraq’. Tempulli ishte ndërtesa më e shenjtë e hebraizmit. Herodi i Madh ndërtoi mure të forta rreth Malit Moriah, duke e zgjeruar sheshin e vogël mbi të cilin qenë ndërtuar si Tempulli i parë, ashtu edhe i dyti, në majën e Malit të Tempullit.
Tempulli i parë, ai i Salomonit, i ndërtuar rreth shekullit X para Krishtit, u shkatërrua nga babilonezët në vitin 586, gjithnjë para Krishtit. Tempulli i dytë u rrënua nga Perandoria romake në vitin 70 pas Krishtit, si rezultat i luftës judaiko-romake. Që të dy qëndruan në këmbë për një periudhë prej 400 vjetësh.
Sipas gojëdhënës, kur legjionet e Titit e dërmuan Tempullin, muri rrethues perëndimor i oborrit të brendshëm mbeti në këmbë, pjesërisht i dukshëm e pjesërisht i mbuluar nga rrënojat e mureve të tjera. Thuhet se Titi e la në këmbë, si relikt tragjik, që do t’u kujtonte hebrenjve në shekuj shpartallimin nga Romakët. Ndërsa hebrenjtë e shikojnë këtë pjesë të murit si simbol i premtimit të Zotit për t’i lënë në këmbë disa pjesë të shenjta të Tempullit, në kujtim të besëlidhjes së pathyeshme me popullin hebraik, pavarësisht nga gjëma që i ra mbi kokë.
Hebrenjtë luten këtu që prej dymijë vjetësh, duke i parë rrënojat e lashta si vendin më të shenjtë mbi faqe të dheut.
E jo më pak të krishterët, feja e të cilëve lidhet ngushtë me Besëlidhjen e Vjetër, e edhe myslimanët, që e mbajnë Salomonin si Profetin e tyre.
E po këtu lindën tradita të shumta, ndër të cilat, zakoni për të vënë ndërmjet plasave të gurëve viganë copa të vogla letrash me lutje të zjarrta drejtuar Zotit për rikthimin e të gjithë hebrenjve mërgimtarë në dheun e Izraelit, për rindërtimin e Tempullit (të tretë), për ardhjen e epokës mesianike e, me të, të mesisë (hebrarisht Mashiach) së hebrenjve.

Çenakulli
Është selia e parë e Kishës në fasha, vend ku u themelua sakramenti i Shugurimit meshtarak, sakramenti i Eukaristisë e ai i Rrëfimit, apo i pajtimit me Zotin. Fjala latine ‘Coenaculum’ tregonte ‘vendin ku hahej darka’, por, në kuptim më të përgjithshëm, edhe katin e epërm, pjesën e shtëpisë të caktuar për miqtë, apo ‘dhomën e miqve’. Tradita e krishterë mbi vërtetësinë e Çenakullit, është shumë e lashtë. Nis që nga fundi i shekullit II. Në shekullin IV pranë Çenakullit u ndërtua Kisha e re e ‘Sionit të Shenjtë’. E shkatërruar nga persianët në vitin 614, e rindërtuar, e shkatërruar rishtas nga myslimanët, ishte në rrënim e sipër, me përjashtim të kapelës me dy kate të Çenakullit, kur këtu erdhën kryqtarët. Pas ardhjes së tyre, në këtë vend u ndërtua një bazilikë me tri navata e cila, përveç Sallës së epërme të miqve (Kapela e Çenakullit) përfshinte edhe vendin e ‘Fjetjes së Marisë’ si dhe një kapelë tjetër, në kujtim të ‘Larjes së këmbëve’.
Në vitin 1187, ndonëse Jeruzalemi ra në dorë të Saladinit, shtegtarët lejoheshin të hynin në këtë vend të shenjtë e meshtarët, të kremtonin Meshën shenjte për shtegtarët.
Bazilika e Kryqtarëve, e braktisur, ishte pothuajse rrafsh me tokë, kur më 1335 arritën françeskanët. Mbreti Roberti i Napolit dhe mbretëresha Sançia, pasi paguan një shumë të madhe të hollash, e bindën Sulltanin e Egjiptit t’ua dhuronte Çenakullin françeskanëve. Fretërit thirrën menjëherë disa artistë qipriotë për ta ringritur në këmbë vendin e shenjtë me dy kate, ashtu siç ishte në zanafillë. U ndërtua edhe një kuvend françeskan për rregulltarët, që do të kryenin edhe detyrën e famullitarëve për Çenakullin dhe për të gjitha viset e shenjta të Jeruzalemit të Betlehemit. Që asokohe eprori i Rojtarisë së Tokës Shenjte ka titullin “ Rojtar i Malit të Sionit”.
Në vitin 1524 myslimanët i përvetësuan sallat poshtë Çenakullit, me pretendimin se aty ishte ‘Varri i Profetit David”. Pas një dekreti otoman, françeskanët u detyruan ta dorëzojnë edhe Sallën e Epërme e, më në fund, të largoheshin fare nga kuvendi. Salla e Epërme, dmth Çenakulli, u kthye në Xhami, ku të krishterët nuk kishin të drejtë të shkelnin.
Në Sallën e epërme të Çenakullit (15.30 x 9,40), e cila në shekullin XIV u rindërtua me stil gotik, me harqe e qemere të larta, shihet shkalla që shërbente për t’u ngjitur nga kati poshtë, në atë të sipërmin si dhe një shkallë me tetë këmbë, që të çon tek kapela e shuguruar për kujtim të zbritjes së Shpirtit Shenjt ditën e Rrëshajëve. I dukshëm edhe ‘mi’ rab’, ndërtuar në vitin 1929 për t’u treguar myslimanëve drejtimin e Mekës.
Pali VI u lut në Çenakull më 5 janar 1946; e Gjon Pali II kremtoi këtu Meshën më 23 mars të vitit 2000.
Sot ndërtesa është pronë e Shtetit të Izraelit.
Në Katin poshtë, që përkon me Kapelën kushtuar kujtimit të ‘Larjes së këmbëve’, sot kthyer në sinagogë, është Varri monumental i Davidit, cak shtegtimesh kombëtare hebraike. Përmes kiostrit të dikurshëm të kuvendit françeskan, ngritur më 1335, mund të hyhet në Muzeun e Shoah (fjalë që në gjuhën hebraike do të thotë shfarosje), ku ruhen kujtime të viktimave që gjetën vdekjen në kampet naziste të shfarosjes së hebrenjve.

Rojtaria e Tokës Shenjte e Fretërve të Vegjël
u themelua në vitin 1217. Në vitin 1291, pasi ra Mbretëria Latine e Jeruzalemit, kuvendet e Sirisë e të Palestinës u shkatërruan nga saraçenët, bashkësitë e ritit lindor i përzunë nga rajoni dhe shumë rregulltarë u vranë. Në vitin 1333, mbretërit e Napolit, Roberti dhe e shoqja Sança, blenë nga Sulltani i Stambollit (Kostandinopoja e dikurshme) disa vende të Shenjta dhe ia besuan ruajtjen e tyre Urdhërit të Fretërve të vegjël. Kjo u konfirmua nga Papa Klementi VI me një Letër Apostolike të 21 nëntorit 1342. Fretërit e Vegjël u lejuan të qëndronin si përfaqësues të katolikëve në Rojtarinë e Vendeve të Shenjta, pranë Çenakullit. Të dëbuar nga Shenjtërorja, në mesin e shekullit XVI, Fretërit e Vegjël, pas ndërhyrjes së Republikës së Venedikut, mundën të blinin nga murgjërit gjeorgjianë kuvendin, që quhet “i Kolonës”, kuvendi aktual i Shëlbuesit të Shenjtë. Përveç pushtetit të Eprorit, Rojtari kishte jurisdiksion mbi klerin e mbi popullin e Jeruzalemit, deri në vendosjen e Patriarkatit Latin (Letra Apostolike “Nulla celebrior”, 23 korrik 1847). Rojtari i Tokës Shenjte, që e ka selinë në kuvendin e Shëlbuesit të Shenjtë që nga viti 1558, ndihmohet nga një Vikar e nga gjashtë Diskretë (këshilltarë), të cilët u takojnë grupimeve të ndryshme gjuhësore (francez, anglez, italian, lindor, spanjoll, sllavo-gjerman). Ai ka gjithashtu privilegjin e shenjave ipeshkvnore dhe e shtrin juridiksionin mbi të gjitha kuvendet françeskane të rajonit (Jordania, Izraeli, Libani, Qipro, Egjipti dhe Rodi). Rojtari aktual i Tokës Shenjte është atë Pierbatista Picabala (www.custodia.org).

Patriarkati Latin i Jeruzalemit
Kisha e Jeruzalemit u ngrit në seli patriarkale me Koncilin e Kalçedonisë (541). Me ardhjen e Islamit, bashkësia e krishterë u zvogëlua dalëngadalë dhe Patriarkati, i dobësuar, i kërkoi mbështetje Kishës më të fuqishme të Kostandinopojës. Kur Bizanci, në gjysmën e parë të shekullit XI, kaloi përfundimisht me skizmatikët, edhe Kisha e Jeruzalemit e ndoqi pas. Kur kryqtarët hynë në Jeruzalem, në vitin 1099, gjetën një seli patriarkale vakante, pas vdekjes së Patrikut grek Simeon, në Qipro ku ishte strehuar. Atëherë u emërua Arnuli, Patriku i parë latin. Patrikët latinë ndoqën njëri-tjetrin në Jeruzalm deri në vitin 1187, më pas u transferuan në Akri deri në rënien e qytetit në vitin 1291. Nga ajo datë, Selia patriarkale u bë titullare, deri në rivendosjen si Seli rezidenciale nga Piu IX (Nulla celebrior, 23 korrik 1847). Më 17 prill 1848, Patriku Xhuzepe Valerga hyri në formë solemne në Varrin e Krishtit, Katedrale e Patrikëve të Jeruzalemit. Që nga ajo ditë janë ulur në atë fron gjashtë Patrikë të tjerë: Imzot Vinçenc Brako (1873-1889), Imzot Luigj Piavi, ofm (1889-1905), imzot Filip Kamasei (1907-1919), imzot Luigj Barlasina (1920-1947), Imzot Albert Gori, ofm (1949-1970), imzot Xhakomo Beltriti (1970-1987), Imzot Mishel Sabah, emëruar nga Papa Gjon Pali II dhe shuguruar prej tij në Bazilikën e Shën Pjetrit më 6 janar 1988. Patriku aktual është Fuad Tual, që nga 21 qershori 2008.

Lugina e Kedrave ose e Jozafatit.
Në Jeruzalem natyrisht nuk mungojnë Kishat: janë shumë madje, por asnjëra prej tyre nuk ka hapësirën e duhur për t’i hapur krahët të gjithë besimtarëve që dëshironin të merrnin pjesë në Meshën e Papës në shtegtim.
Papa Gjon Pali II pati kremtuar dy Meshë në Qytetin e Shenjtë: një mbi Varrin e Krishtit, përballë një turme të vogël, aq sa zinte vendi i kufizuar; e një tjetër, private, në Çenakull, duke gëzuar kështu një privilegj të pashoq, po të kemi parasysh se vendi ku u themeluan Eukaristia e Meshtaria, nuk është më kishë, por kapelë në të cilën, pasi u dëbuan françeskanët më 1551, lejohet vetëm lutja private. Prandaj as Pali VI nuk e kremtoi këtu Eukaristinë.
Kisha katolike më e madhe është Bazilika e Kombeve, që njihet edhe si Bazilika e Gjetsemanit: zë 800 vetë. E pamjaftueshme, pra, për turmën që pritej të marrë pjesë në Meshën e Benediktit XVI.
U propozua, atëherë, që Mesha të kremtohet nën qiell të hapur e për këtë qëllim françeskanët vunë në dispozicion një truall që e patën blerë rreth vitit 1666, i cili në kohë të Krishtit ka shumë mundësi të ketë qenë ngjitur me Kopshtin e Ullinjve. Tani i ndan vetëm rruga që kalon përmjet.
Mesha, pra, u kremtua në sheshin pranë Kopshtit të Gjetsemanit, ku ishin të pranishëm 5000 vetë.
Nga tre vendet e zgjedhura për meshët e Benediktit XVI, ky ishte, pa dyshim, më i përshtatshmi, sepse krijoi mundësinë për të ecur drejtpërdrejtë në gjurmët e Krishtit. Nuk dihet me siguri në se Krishti u kthye, kur u rrit, në vendlindje, në Betlehem, por është më se e sigurt se shkeli shumë herë në këto shtigje, që ngjiten drejt Malit të Ullinjve e Tempullit të Jeruzalemit.
Ndonëse nuk e ka hapësirën e dikurshme, ky vend u ofroi shtegtarëve një panoramë që të mahnit jo vetëm me bukurinë e saj natyrore, por edhe me pasurinë e Historisë së saj të Shenjtë.
Sapo hyn në Luginën e Kedrave, e quajtur edhe e Jozafatit, shtegtari gjindet menjëherë në udhëkryq ndërmjet dy Besëlidhjeve. E kjo, sepse Jezusi ishte besimtar hebre praktikant, që shkonte rregullisht në Tempull, duke nderuar festat e shtegtimet e duke hyrë në dialog me rabinët, siç vijojnë të bëjnë akoma sot e kësaj dite, ata që studiojnë në shkollat talmudike.
Jezusi u ndesh me klerin e epokës, pikërisht sepse hapi një rrymë të re të judaizmit. E pikërisht sepse e donte Jeruzalemin, u ngjit në shtigjet e Malit të Ullinjve, për ta kundruar e për të lotuar mbi të.
Kur ngjitet atje ku u ngjit shpesh Jezusi, e shikon djathtas, drejt perëndimit, shtegtari vëren shtegun prej nga pritej të hyjë Mesia në Jeruzalem. E, sipas traditës së krishterë, pikërisht këtu Joakimi takoi Anën. Nga bashkimi i tyre lindi Virgjëra Mari. E po prej këtu duhet të ketë hyrë Jezusi në Jeruzalem të Dielën e Larit.
Duke shikuar drejt jugut, shtegtari mund të kundrojë pinaklin, siç quhet maja më e lartë e Tempullit, ku djalli tundoi Jezusin.
Duke vijuar t’i shëtisë sytë nga jugu, shtegtari mund të soditë, ndërmjet dy ullinjve, Varrin e Absalonit, pranë atij të Zakarisë e varrin, që njihet me emrin “i së bijës së faraonit”, pranë e pranë njëri–tjetrit. Janë monumentet e kësaj zone që Jezusi i ka parë me sytë e tij e që janë ruajtur të paprekur deri në ditët tona. Kujtojmë se i përkasin shekujve II e I para Krishtit.
Në se i kthen sytë majtas, nga lindja, mund të soditësh Malin e Ullinjve, me varrezën e hebrenjve, Dominus Flevi, ku përkujtohet edhe sot vaji i Jezusit mbi Jeruzalem, kishën ruse të Marisë Magdalenë me kupolat e saj të praruara në formë qepujke; Bazilikën e Kombeve dhe fasadën e Portës së Artë, pranë së cilës, drunjtë mijëravjeçarë të ullinjve.
Duke i kthyer sytë nga veri-lindja, mund të shikosh varrin e Virgjërës; në veri-perëndim, kuvendin greko-ortodoks ku nderohet skaji i rrugës, ku u mbyt me gurë i pari martir i krishtërimit, Shën Shtjefni.
Ky vend përmbledh një mori ngjarjesh të historisë biblike, në një hapësirë që ka mbetur ashtu siç ishte prej mijëra vjetësh. Është e do të mbetet, edhe për Meshën e Papës, i mbjellur me ullinj, duke krijuar një kënd vërtetë baritor, që të kujton menjëherë Bariun e Mirë. Këtu mund të kundrosh edhe disa varre. Është varreza e famullisë latine, ku françeskanët varrosin të vdekurit e kësaj famullie.
Puna më e rëndësishme ishte ndërtimi i tribunës, ku Benedikti XVI bashkëkremtoi Meshën me më se njëqind meshtarë, realizuar nga një shoqatë e specializuar izraelite.
Duke ndjekur këtë intinerar, Papa mundi të admirojë muret e Qytetit Shenjt, duke shkelur drejtpërdrejt mbi gjurmët e Krishtit! Ngjarje e jashtëzakonshme!








All the contents on this site are copyrighted ©.