2009-05-24 14:18:05

U kremtua sot Dita e 43-të Botërore të Komunikimeve.


(20.05.2009 RV)RealAudioMP3 Tema e mesazhit të Benediktit XVI për Ditën e 43-të Botërore të Komunikimeve 2009, është “Teknologji të reja, marrëdhënie të reja. Të promovohet kultura e respektit, e dialogut dhe e miqësisë”. Analizon, pra, marrëdhëniet e ndërlikuara ndërmjet mjeteve të reja të komunikimit dhe shndërrimeve shoqërore e kulturore, që përcaktohen prej tyre.
Mesazhi, sipas traditës, u botua më 24 janarin e kaluar në festën e Shën Françeskut të Sales, doktor i Kishës, shpallur pajtor i shtypit katolik nga Piu XI me Enciklikën Rerum Omnium të 26 janarit 1923. Një ditë para kësaj feste, u hap një faqe e re në historinë e Selisë së Shenjtë: në kanalin ‘You Tube” mund të shihet figura e Papës e mund të dëgjohet fjala e tij, mesazhi i tij, edhe në gjuhën shqipe në rastet e mëdha. E për herë të parë Papa përcolli shqip mesazhin ‘Urbi et Orbi’, Ditën e Pashkëve 2009. Kanali i ri i Vatikanit në You Tube, i cili mund të ndiqet kryesisht në anglisht, spanjisht, gjermanisht e italisht, u krijon mundësi të reja të pakufishme njerëzve, që dëshirojnë të dinë ç’mendon Papa e ç’propozon Kisha katolike për problemet e mëdha të botës së sotme.
Ndërsa në Mesazhin për Ditën Botërore të Komunikimeve shoqërore 2009, që u kremtua sot, Papa u drejtohet sidomos të rinjve ‘breznisë dixhitale’, që posaçërisht prej saj të vijë hovi i ri për ta ungjillëzuar internetin, këtë ‘dhuratë të vërtetë të njerëzimit’, duke e bërë mjet të aftë për të promovuar vlerat e mëdha të jetës, e jo për t’i banalizuar marrëdhëniet njerëzore. Papa, pasi bën thirrje për t’iu kundërvënë çdo gjëje që ushqen urrejtjen e intolerancën, që poshtëron intimitetin seksual njerëzor, që shfrytëzon të ligështit e të pambrojturit, i fton të rinjtë të vihen në kërkim të së vërtetës, të së mirës e të së bukurës.
E pak para përfundimit të audiencës së përgjithshme, të mërkurën e kaluar, Benedikti XVI kujtoi Ditën e sotme të Komunikimeve shoqërore dhe bëri, në gjuhën angleze, një thirrje drejtuar të gjithë përdoruesve të teknologjive e reja mediatike, duke i nxitur t’i përdorin pozitivisht, për të shfrytëzuar forcën e madhe të këtyre mjeteve e për t’i vënë në shërbim të miqësive e të solidaritetit, që mund të ndihmojnë për ndërtimin e një bote më të mirë:
“I wish to encourage all those who access cybersapce…
“Dëshiroj t’i inkurajoj të gjithë ata, që hyjnë në hapësirën kibernetike, t’i kushtojnë vëmendje ruajtes e promovimit të kulturës së respektit, të dialogut e të miqësisë së vërtetë, përmes të cilave mund të lulëzojnë vlerat e vërtetësisë, të harmonisë e të mirëkuptimit. Të rinj, ju drejtohem posaçërisht ju: dëshmojeni fenë tuaj përmes botës dixhitale! Përdorini teknologjitë e reja për të kumtuar Ungjillin, në mënyrë që Lajmi i Mirë i Hyjit, dashuria e pafundme për të gjithë njerëzit, të rikumbojnë në mënyrë të re në botën tonë gjithnjë më teknologjike”.







All the contents on this site are copyrighted ©.