2009-05-24 14:19:46

Stigmatinet në 200-vjetorin e themelimit: intervistë me Nënën Gjovana Pedali.


(22.05.2009 RV)RealAudioMP3 Sot, në Firence të Italisë, përfunduan kremtimet jubilare, organizuar nga Kongregata e Rregulltareve Stigmatine, me rastin e 200-vjetorit të lindjes së themelueses, së Nderuarës Ana Fioreli Lapini.
Ditë e pasur me veprimtari, që nisi në bazilikën e Shëna Krygjës, me një liturgji solemne kryesuar nga Kryeipeshkvi i Firences, imzot Gjuzepe Betori e përfundoi me shfaqjen muzikore: ‘Ana dje… sot… nesër, në udhët e dashurisë”, përgatitur nga fëmijët e shkollës së Stigmatineve në Netuno.
Po ç’lidhje ka Ana Lapini me Shqipërinë. E kush ishte kjo grua?
Përgjigjet Nëna Gjovana Pedali, disa herë drejtuese e përgjithshme e Kongregatës, sot vikare, e mirënjohur për veprimtarinë e saj në Shqipëri, në mikrofonin e Katarina Nushit:

Përgjigje: - Motër Ana lindi në Firence, në lagjen popullore të Shëna Krygjës, në një familje modeste, më 27 maj 1809. Prindërit, njerëz të thjeshtë e punëtorë, e edukuan me fe e me frymë solidariteti për të varfërit. Në moshë të re ndoqi një shkollë rrobaqepësie e më pas, punoi dantella për të ndihmuar familjen.
Akoma e re, trokiti në portat e disa kuvendeve, por nuk iu hapën, sepse nuk kishte prikë. Kujtojmë se asokohe edhe vajzat, që hynin në kuvend, duhet të sillnin me vete një farë prike, sado të vogël. Atëhere vendosi të martohej. Ishte viti 1833 kur vuri kurorë me Gjovani Lapinin, me të cilin jetoi disa vjet si bashkëshorte shembullore, ndonëse nuk e pati të lehtë. Si mbeti e vejë, ndjeu përsëri dëshirën e vjetër për t’iu kushtuar plotësisht Zotit. Gjeti një shtëpizë të vjetër në këmbët e Malit të Kryqeve, ku nisi të mbledhë rreth vetes vajzat e fshatarëve, të cilave u mësonte shkrim, këndim e rrobaqepësi. Ungjillëzoi, kështu, duke mikpritur me gëzim në vafëri. E ky është edhe tipari kryesor i dhantisë së saj të veçantë françeskane, i stilit të saj françeskan, që ka për bazë varfërinë, përvujtërinë, gëzimin e përkryer, trashëgim i Atit Serafik për të gjithë bijtë e bijat e tij.
Numri i vajzave që vinin tek Ana nisi të shtohej me shpejtësi, gjë që e bëri të domosdoshëm transferimin në një shtëpi më të madhe. Nisi, kështu historia e shtëpisë së parë, themeluese, në Fantina të Firences, marrë me qira nga etërit Skolopë. Por Ana nuk u kufizua në punën me vajzat. Nisi të endet rrugëve të Firences, duke u bërë nënë e motër e të sëmurëve nga kolera, e vajzave të rrugëve, e të burgosurve, e njerëzve më të braktisur të kohës.
Në Rrëshajët e vitit 1850, së bashku me një grup të vogël të rejash, themeloi Kongregatën e Motrave Stigmatine. Që asokohe vepra e saj vijon të përhapet me shpejtësi në të gjithë Italinë e përtej. Sot Stigmatinet janë në Spanjë, në Shqipëri, në Ekuador, në Brazil, në Republikën Demokratike të Kongos e në Mozambik.
Motua e saj: “Të shkojmë, tani na përket neve!” e çoi atë e vijon t’i çojë motrat e saj në vendet më të varfëra të botës.

Pyetje: - Dy fjalë për historinë gati 200-vjeçare të Stigmatineve në Shqipëri, ndonëse nuk është aspak e lehtë…

Përgjigje: - Motrat tona dolën për herë të parë jashtë Italisë, për t’u vendosur pikërisht në Shqipëri, në vitin 1879. Merrnin pjesë në planin që kishin nisur të realizonin etërit françeskanë për shkollimin e fëmijëve të popullit. Etërit punonin me djemtë, motrat do të punonin me vajzat e të tre besimeve, për të cilat hapën shkollën, ku filluan të përgatisin edukatoret e ardhshme të fëmijëve shqiptarë. Shkolla nisi një lulëzim të jashtëzakonshëm. Por, për fat të keq, ky lulëzim u ndërpre brutalisht në vitin 1944. Kuvendi u mbyll e me të, edhe shkolla. Stigmatinet italiane u dëbuan, u detyruan të rikthehen në Itali, ndërsa motrat shqiptare, në familjet e tyre. Mbetën në tokën e tyre, por që u bë e huaj për ta. Në një truall, që do t’i nënshtrohej martirizimit të klerit, ku u bënë model e shembull besnikërie ndaj Krishtit e Kongregatës, duke vënë në rrezik edhe jetën, sepse ndihmonin të burgosurit politikë e familjet katolike, posaçërisht të përndjekura nga regjimi ateist, duke ngjallur shpresa të reja për një ardhmëri më të mirë, atje ku dukej se ishte shuar çdo shpresë. Madje edhe u martirizuan: në listën e 40 martirëve, çështja e lumnimit të të cilëve vijon, është edhe një Stigmatine: Maria Tuci.
Më 1991 u rikthyem. Unë e para, personalisht, hyra në Shqipëri për t’u takuar me motrat që kishin shpëtuar gjallë e për t’i mbledhur sërisht së bashku, si dikur… Hyra në maje të gishtërinjve, sepse terreni ishte ende i panjohur, e prandaj s’mund të bënim plane të mëdha, si në fillim. Rinisëm, pra, miqësinë e këputur me njerëzit, sidomos me fshtatarët, për të ndarë së bashku të mira e të këqija, mundime e gëzime, në sa liria bënte hapat e para, të dridhshme, mbi këtë tokë të plagosur rëndë me stigmate – sepse fjala stigmate do të thotë pikërisht plagë, plagët e Krishtit. Tani kanë mbetë pak motra të vjetra, sepse një nga një ndërruan jetë, fatmirësisht në atë kuvend, ku kishin hyrë për të mos dalë më. Ndërsa ata që mbetën, janë gjithnjë aktive e gjithnjë ndërmjet njerëzve.

Pyetje: - Me ç’sy ju shikojnë në Shqipëri, duke pasur parasysh sa ndryshimet, aq edhe faktin se në vend ka njerëz të tri besimeve, si në fillimet tuaja, por këtyre u shtohen edhe ata që krijoi ateizmi, dmth njerëz pa kurrfarë feje…

Përgjigje: - Sot jemi në Shqipëri pa veprimtari të veçanta. Punojmë kryesisht mes njerëzve të thjeshtë në fshatra, për të ecur në një hap me ta. E, para së gjithash, për ta jetuar lirinë, por sidomos, për ta rijetuar fenë katolike së bashku. Motrat, disa italiane, një spanjolle e të tjerat shqiptare bashkëpunojnë me famullitë në katekizëm, në edukimin e të rinjve, në punën baritore me familjen, sidomos me më nevojtarët, me të sëmurët rëndë, me të papunët, që t’u ndezin rishtas zjarrin e fesë e të shpresës për ditë më të mira. Këto janë veprimtaritë tona të sotme. Në se në të kaluarën kishim shkollën, që nga cikli i ulët, deri në të mesmin, që përgatiste mësuese për shkollat e Shqipërisë, sot e jetojmë jetën tonë rregulltare duke ecur krah për krah me shqiptarët më të thjeshtë. E kjo vlerësohet shumë prej tyre. Kur shkova së pari në Shqipëri, në sa regjimi komunist po lëkundej, takova, përveç motrave që i rigjetëm jo pa vështirësi, shumë njerëz që na përshëndesnin me çudi e, sidomos, me përzemërsi të madhe, duke falënderuar Zotin që u kthyem përsëri në këto troje. Ndjeheshin krenarë kur shikonin përsëri zhgunin femëror françeskan, paksa të modernizuar, në rrugët tyre, në shtëpitë e tyre, e sidomos, në atë shtëpi të tjetërsuar, ku dikur ishte kuvendi ynë, në atë rrugë, së cilës dhe gjatë regjimit ateist, ia patën ruajtur emrin e vjetër: “Rruga e Murgeshave”. Tashti, në hyrje, është vendosur një pllakë, që e njeh zyrtarisht me emrin e vjetër-të ri: ‘Rruga e murgeshave’. Stigmatinet janë përsëri atje, ku nisi udha e tyre 200 vjet më parë. Unë nuk mund ta vlerësoj punën e stigmatineve në Shqipëri; këtë mund ta bëjnë vetëm njerëzit e thjeshtë, pranë të cilëve jetojmë e punojmë, në emër të Krishtit.

 
Pyetje: - Besoj se druri i vjetër, ka nisur të lulëzojë përsëri, me filiza të rinj, dmth me thirrje të reja për jetën rregulltare stigmatine…

Përgjigje: - Pas viteve të para të kthimit në Shqipëri, pas 1991-it, shqetësimi ynë nuk kishte të bënte aq me thirrjet, sa me riorganizimin e motrave, që kishin shpëtuar gjallë. Por Zoti na bëri menjëherë dhuratën e madhe të disa vajzave të reja. E tani kemi një grup prej 12 të rejash, disa prej të cilave me kushte të përjetshme, të tjerat në rrugë drejt tyre e edhe tri rishtare, që përgatiten në shtëpinë tonë në Shirokë, fshat peshkatar buzë Liqenit të Shkodrës. Këto vajza, pasi i thirri Zoti, na kërkuan t’i përgatisim për jetë rregulltare, duke qenë gjithnjë pranë njerëzve, në ndryshim nga e kaluara, kur dëshirtaret shkëputeshin plotësisht nga familja e nga njerëzit. Të shtunave e të dielave vajzat rikthehen në fshat, japin ndihmesën e tyre në përgatitjen e kremtimit të liturgjisë, marrin pjesë në katekizëm, në jetën e të rinjve. Bëjnë, kështu, hapat e para përgatitore për kohën kur do të kenë përgjegjësi të drejtpërdrejtë në këto veprimtari. Janë entuziaste dhe e bëjnë shumë mirë apostullimin, kryesisht sepse flasin gjuhën e popullit, ia njohin mendësinë, kulturën. Prandaj e kanë më të lehtë se motrat e huaja për të hyrë në lidhje të ngushta humane e fetare me njerëzit e thjeshtë, nga gjiri i të cilëve vijnë në kuvendin e murgeshave. Punojmë me familjet e varfëra, me të rinj të pashpresë, të papunë, me pleq e plaka, që kanë mbetur qyqe vetëm pranë vatrave gjysëm të shuara, sepse bijtë kanë marrë udhët e mërgimit. Ky është misioni i stigmatineve sot!

Pyetje: - Dy fjalë për ngjarjen që ju ka prekur më shumë gjatë këtyre kremtimeve?

Përgjigje: - Vitin e kaluar bëmë hapjen e veprimtarive përkujtimore për 200-vjetorin e lindjes së Themelueses, Ana Lapinit. Ishim si sot, në Firence, në bazilikën e Shenjtit Shëlbues, që na kujton ditët e para të veprimtarisë së Nënës sonë themeluese. Pikërisht në këtë ditë u preka më shumë se kurrë, kur para elterit të Bazilikës u paraqitën dy motra të reja shqiptare: motra Ana Gjolaj e motra Mira Ferraj. Vikari i kryeipeshkvit të Firences u dorëzoi të Kryqëzuarin dhe mandatin misionar për të hapur shtëpinë tonë të parë në Mozambik. Pak ditë më pas u nisën. I shoqërova unë. Tani janë në mision, pranë Maputos, kryeqytet i Mozambikut, ku dalëngadalë po lidhen me realitetin e vendit, me banorët, po mësojnë gjuhën portugeze…. Dy shqiptare e dy kongoleze janë misionaret e para stigmatine në Mozambik. Bashkësi ndërkombëtare, ndërkulturore. Tepër prekëse. Shqiptaret nisen për rrugët e pafundme të misionit për të çuar deri në skajet më të largëta të botës atë fe, që deshën t’ua shkulnin përgjithmonë nga shpirti. Rrugët e Zotit janë të pashqyrtueshme… E çasti, tejet emocionant e kuptimplotë në 200 vjetorin e lindjes së Themelueses e, bashkë me të, edhe të Kongregatës, e cila nis misionare nga një tokë e martirizuar, drejt tokave të reja, që presin Lajmin e mirë të Ungjillit!








All the contents on this site are copyrighted ©.