2009-05-24 14:21:11

Rubrika “Shenjtorët e javës” 24 - 31 maj


(24.05.2009 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën VII të Pashkëve e po sot në të gjitha Kisha në botë është kremtuar solemniteti i festës të të Ngjiturit të Jezu Krishtit në Qiell. Festa e të Shëlbuemit, rrezaton mbi gjithë universin dritën e Krishtit Zot të ngjitur në qiell e na kujton se shëlbimi u përket të gjithë popujve, pa dallim e pa përjashtim.
Po këtë të diele kalendari kishtar kremton edhe festën e Zojës Ndihmëtare që na kujton se Shpirti Shenjt Zot, Shpirt i vërtetësisë dhe i dashurisë, i prin Kishës në rrugën drejt Krishtit e Atit të tij qiellor.


Nesër e hënë më 25 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Gegën VII, papë, e Shën Bedën Venerabile, meshtar benediktin e doktor i Kishës dhe e Shën Maria Madalena de Paci, virgjër. Liturgjia e kësaj dite na kujton se mbretëria e Zotit shtrihet në botën mbarë dhe u përket të gjithë njerëzve pa dallim e pa përjashtim.
Të martën më 26 maj, sipas kalendari kishtar do të përkujtohen Shën Filip Neri, themelues i Kongregatës së Priftërinjve të Oratorit; Shën Eleuteri papë e Shën Simetri, martir, që na kujtojnë këngën e Psalmistit: “Vetëm në Zotin pushon shpirti im”. E Jezusi na siguron: “Lum ata që vuajnë, sepse do të ngushëllohen”.

Të mërkurën më 27 maj do të kremtohet Shën Agostini, kryeipeshkëv i Kanterbërit. Duke na kujtuar se Ati na do e na krijon mundësinë të nxjerrim prej tij hiret që i kërkojmë në emër të Krishtit, na fton të bashkojmë zërin në himnin e lavdit që ia këndojnë Zotit mbarë popujt e tokës.

Të enjten më 28 maj, kalendari kishtar do të përkujtojë Shën Gjermanin, ipeshkëv i Parisit. Liturgjia e kësaj dite na kujton se feja e besimtarëve rritet në bashkim të ngushtë me transmetimin e pandërprerë të Fjalës së Krishtit të ngjallur nga ana e Kishës

Të premten më 29 maj, sipas kalendarit kishtar do të përkujtohet Shën Ursula Ledohovska, themeluese e motrave Orsoline të Zemrës së Jezusit në agoni. Liturgjia e ditës na kujton se ndjekja e Zotit përjashton çdo kompromis. Në se pranon ta ndjekësh Krishtin, duhet të heqësh dorë nga gjithçka tjetër. E atëherë do të vërejmë me gëzim se që në këtë jetë realiteti ynë nis të ndryshojë e zemra nis të na rrahë me ritmin e Zemrës së Zotit.

Të shtunën e ardhshme më 30 maj bie përkujtimi i Shën Zhanë d’Ark, virgjër dhe Shën Ferdinandit, mbret i Kastiljes. Liturgjia e së shtunës pohon se në se duam t’i tregojmë botës se i përkasim Krishtit, duhet ta dëgjojmë Fjalën e Hyjit dhe ta zbatojmë në jetën tonë. Vetëm kështu njerëzit mund të binden se jemi të krishterë jo me fjalë boshe, me predikime të zbrazta, nga të cilat bota është e velur, por me vepra.
Të dielën e ardhshme më 31 maj, Kisha kremton solemnitetin e Rrëshajëve, që bie 50 ditë pas festës së Pashkëve. E kujtojmë se Festa e Rrëshajëve shënon ditëlindjen e Kishës së Krishtit Zot e Shëlbues.
Po të dielën e ardhshme më 31 maj bie edhe festa e vizitës që e Lumja Mari Virgjër i bëri kushërirës së vet Elizabetës, kjo festë njihet me emrin Pasia e Virgjërës Mari. Kjo festë na kujton Pasinë e së Lumes Mari Virgjër te Shën Elizabeta, nga e cila lind ‘Magnificat’, ‘Madhërimi’ kënga e cila madhëron të Gjithëpushtetshmin Zot për punët e mëdha që kryen në jetën e bijve të vet.







All the contents on this site are copyrighted ©.