2009-05-24 14:15:49

Papa në Kasino: vendet që vizitoi.


(24.05.2009 RV)Sot, pasi kreu pjesën e parë të programit të shtegtimit, kushtuar plotësisht popullsive të qytetit të Kasinos e dioqezës së tij, Benedikti XVI u ngjit nga lugina, në Manastirin e famshëm benediktin të Montekasinos, ku përfundoi vizitën e tij baritore.
Vendet ku u takua me besimtarët, pas arritjes së tij me helikopter në ‘Stadiumin Salveti’, janë: ‘Sheshi Miranda’ (Sheshi Benedikti XVI), ku kremtoi Meshën Shenjte: Eukaristia e parë e një pape, kremtuar në zemër të qytetit; ‘Shtëpia e Bamirësisë’ (ish-spitali Xhema De Pozis) dhe ‘Varreza polake’, me rastin e 65-vjetorit të bombardimit të aleatëve, në Luftën II Botëore.

Kasino- pak histori
Qyteti i Kasinos shtrihet në pjesën jugore të Zonës së Lacios (520 metra mbi nivelin detit). Është komunë e provincës së Frozinones, me rreth 33 mijë banorë. Në epokën romake quhej ‘Casinum’, që duhet të ketë rrjedhë nga fjala sabine ‘cascum’ (i lashtë). Për një kohë të gjatë qyteti pati emra të tjerë: Kastelum Sankti, Petri, Eulogjimenopoli (Qyteti i Shën Benediktit) e Shën Gjermani. Zona ka qenë e banuar që në parahistori. Në vitin 211 para Krishtit këtu kaluan ushtritë e Hanibalit, që synonin pushtimin e Romës. Në shekujt I e II pas Krishtit qyteti arriti një nga kulmet e lulëzimit. Në këtë epokë kishte teatër, terme, ujësjellës, rrjet rrugor, që e lidhte me Romën, me Kapuan e me zonat e tjera të Tirrenit. Më pas u shkel nga Gotët, Vandalët e barbarë të tjerë, që u përshkuan në këto troje, duke lënë pas shkatërrim e vdekje, e pothuajse u braktis. Ndërkohë në malin mbi qytet ishte një vend i lulëzuar kulti pagan.
Kështu e gjeti Shën Benedikti, që u ngjit mbi Montekasino, rrënoi pyllin e shenjtë dhe i shndërroi tempujt paganë në ndërtesa të kultit të krishterë. Ishte viti 529. Themelohej, kështu, një nga Urdhërat më të rëndësishme të Kishës katolike, ai Benediktin. Në gjurmët e Shenjtit ecën katër abatë: Kostandini, Vitali, Simpliçi e Boniti. Vepra e tyre u ndërpre nga sulmi i ushtarëve të dukës Zotone, që në vitin 574 e shkatërruan për herë të parë Manastirin, duke i detyruar murgjërit të largohen.
Në fund të shekullit VI Longobardët e Zotonit e pushtuan zonën dhe e sunduan deri në shekullin VIII. Kasino e sotme asokohe quhej ‘Shën Gjermani’.
Më 787 në Montekasino u ngjit Karli i Madh. Pasuan, pastaj, sulme të reja, këtë herë nga ana e saraçenëve, të cilët më 4 shtator të vitit 883 e shkatërruan krejtësisht Montekasinon. Ishte shkatërrimi i dytë. Kjo gjendje vijoi deri në vitin 915 kur, me betejën e Garilianos, saraçenët u munden dhe u dëbuan nga këto vise. Me ikjen e tyre, murgjërit u rikthyen në Montekasino, që nisi të lulëzojë rishtas. Në shekujt, që pasuan, manastiri fitoi një rëndësi të madhe strategjike e ia doli mbanesh të përballojë pushtimet e revoltat në kohët e turbullta të Anzhuinëve, Aragonezëve, Burbonëve e ushtrive të Bonapartit.
Me Dekretin mbretëror të 23 korrikut 1863, qyteti i Shën Gjermanit mori emrin Kasino, që e ka edhe sot. Ndërmjet viteve 1863 e 1943 pësoi sulme të reja nga ana bandave të hajdutëve e, më pas, u trondit deri në themele nga tërmeti i 13 janarit 1927. Ky tërmet do ta rrënonte pothuajse plotësisht edhe Manastirin në maje të malit. Ishte rrënimi i tretë.
Në Luftën II Botërore, ndërmjet viteve 1943-1944 gjermanët vendosën këtu vijën e fuqishme mbrojtëse ‘Gustav’ kundër aleatëve. Nga shtatori i vitit 1943 Kasino pësoi një valë bombardimesh të rënda, që shkatërruan shumë shtëpi e mbytën civilë të pambrojtur e të pafajshëm. Më 14 tetor në Kasino arriti nën-koloneli austriak Shlegel, në krye të divizionit ‘Panzer Göring’. Abati Gregorio Diamare e ndjeu menjëherë rrezikun që i kërcënohej abacisë, prandaj u kujdes t’i shpëtonte thesaret e saj, të cilat u dorëzuan më 8 dhjetor në Vatikan, ngarkuar mbi 120 kamionë. Mjafton të kujtojmë se ndërmet këtyre thesareve, ishin disa nga librat bazë të kulturës evropiane. Ndërkaq e gjithë popullsia u shpërngul e vendi u kthye në një zonë të vërtetë beteje, përplot me mjete të rënda ushtarake, me fusha të minuara e me ushtarë gjermanë . Vetëm manastiri nuk u fortifikua. Mbeti në mëshirën e ndeshjes vigane ndërmjet kundërshtarëve derisa, më 15 shkurt, fazë e parë e betejës, u shkatërrua për herë të katërt nga një bombardim i aleatëve. Në përfundim të fazës së dytë (25 mars) qyteti i Kasinon ishte katandisur në një grumbull gërmadhash. Pas përfundimit të fazës së tretë (maj 1944) me humbje të rënda nga të dyja palët, Aleatët ia dolën mbanesh t’i dëbojnë gjermanët nga e gjithë zona, gjë që shënoi fundin e një periudhe të llahtarshme.
Pas luftës, sapo u muar vesh se vija ‘Gustav’ ishte thyer e Kasino kishte rënë në dorë të Aleatëve, banorët e shpërngulur u rikthyen e nisën të rindërtojnë shtëpitë e shkatërruara. Ngrinin përsëri në këmbë një vendbanim, që e meritoi vërtetë titullin ‘Qytet Martir’ e që më 15 shkurt 1949 u dekorua nga Presidenca e Republikës së Italisë me ‘Medaljen e artë për merita ushtarake’ . Më 15 mars 1945 u vu guri i parë për rindërtimin e Manastirit të Montekasinos. Bazilika u shugurua nga papa Pali VI më 24 nëntor 1964.

Kasino sot
Sot Komuna e Kasinos, në provincën e Frozinones, zonë e Lacios, shtrihet në një sipërfaqe prej 82, 8 kilometrash katrore, me një dendësi prej 395, 68 banorësh për kilometër: gjithsejt 32 mijë e 762 banorë.

Dioqeza e Montekasinos
Ipeshkvi i dioqezës është abati-prelat, Dom Pietro Vitoreli, i 191-ti pasardhës i Shën Benediktit, i pesti me emrin Pjetër.
Dioqeza përfshin një territor prej 567 kilometrash katrore , me 78. 900 banorë. Ka 53 famulli, nën kujdesin e 40 meshtarëve shekullarë, 34 rregulltarëve e një diakoni të përhershëm.

Stadiumi komunal ‘Gjino Salveti’
Stadiumi, që u përurua në vitin 1967 e u pajis me hapësira të reja në vitin 2004 e 2008, zë 3000 vetë. Ka fushën e futbollit, pistat atletike e mjedise të tjera sportive, të nivelit evropian.
Me këtë vend, shumë të dashur për kasinezët, lidhen dy figura: ajo e shkrimtarit e gazetarit të sportit nga Kasino, Xhino Salvati e ajo fituesit të Medaljes së dytë Olimpike italiane, Pietro Menea, i cili pikërisht mbi këtë pistë komunale, më 22 mars 1983, theu rekordin botëror në vrapimin 150 metra, të cilin e mban edhe sot e kësaj dite.
Këtu zhvillohen garat e ‘Shoqërisë sportive Kasino 1927’ e po këtu zbriti sot nga helikopteri Benedikti XVI.

Sheshi i Mirandës
Më të moshuarit e quajnë ‘Sheshi i Mirandës’, ndërsa më të rinjtë ‘Sheshi i tregut’. Pas Meshës që kremtoi këtu sot Benedikti XVI, së bashku me 27 ipeshkvij të Lacios, u pagëzua rishtas me emrin ‘Sheshi Benedikti XVI’.
Është një hapësirë, që ndodhet në zemër të qytetit, ndërmjet rrugëve Verdi e Dante e që, falë interesimit të një ministri të kohës, me emrin Dario Miranda, u caktua si fushë futbolli, ku nisi të stërvitet skuadra vendase. Tani të shtunave shërben si shesh tregu, ndërsa gjatë javës, për nevoja të ndryshme si dhe për shfaqje e manifestime të të gjitha llojeve.

Shtëpia e bamirësisë pranë Spitalit ‘Xhema De Pozis’
Kasino ka dy spitale: “Xhema de Pozis’ dhe “Shën Skolastika. I pari, që njihet edhe me emrin ‘i vjetri’, jo vetëm sepse u themelua më 1357 nga një banore e pasur e Shën Gjermanos, Xhema De Pozis, bashkëshorte e një noteri, por edhe pse ndërtesa deri pak kohë më parë dukej si e braktisur. Ishte ideja e abatit të Montekasinos, Dom Pietro Vitorelit, t’i përdorte disa nga mjediset e kompleksit të madh spitalor, si ‘Shtëpi e bamirësisë’, për të strehuar, për të mbrojtur e për të ndihmuar të varfërit, gjë që krijon mundësitë për rindërtimin e gjithë strukturës. Kjo ka ngjallur një diskutim të ndezur në qytezën laciale, ku ka lindur edhe ideja që kompleksi të shndërrohet në banesa popullore, për bashkëshortët e rinj.

Varreza polake
Në Kasino e në rrethinat ka katër varreza, ku prehen të rënët e Luftës II Botërore: varreza angleze, franceze, italiane, gjermane e polake. Në Varrezën polake pushojnë – më në fund – në paqe, trupat e 1.052 ushtarëve të Korparmatës II polake, me gjeneralin e tyre, Vladislav Anders e me kapelanin, kryeipeshkvin Jozef Gavlina, që vdiq më 1970 e u varros këtu, sipas dëshirës së tij. Më se 250 ushtarë që vdiqën gjatë betejës së Montekasinos e u kallën në Varrezën polake, ishin me kombësi bjelloruse.
Një kronist e përshkruan kështu Varrezën Polake të Kasinos: “Arti u mundua t’i japë frymëmarrje e paqe shpirtit të ushtarit, jeta e të cilit u këput dhimbshëm nga breshëritë e zjarrit të armëve. Ngriti këtu një gjysëmrrethi me kryqe, një elter të ndriçuar nga qirinjtë e të profumuar nga lulet, një rrugicë rrethuar në të dyja anët me qeparisa gjithnjë të blertë, dy shqiponja mermeri, që ruajnë gjumin e amshuar të mikut bujar, ushtarit polak”.
Në qendër të sheshit kryesor të Varrezës lartohet kryqi i ‘Virtyteve ushtarake’, 16 metra i lartë, me drita gjithnjë të ndezura.
Maja e Montekasinos dhe vetë abacia, ndonëse plotësisht e shkatërruar, u çliruan nga ushtarët polakë, që paguan një haraç të rëndë gjaku. Në orën 10.20 të 18 majit 1944 ushtarët e regjimentit të 12-të të ‘Ulanëve të Podoles’ ngulën flamurin e tyre bardh e kuq mbi rrënojat e Manastirit të Montekasinos, për t’i treguar botës se abacia ishte çliruar e se portat e Romës ishin të hapura. Ndërsa humbjet ishin tejet të dhimbshme: 72 oficerë e 788 nënoficerë e ushtarë, pa llogaritur numrin e madh të të plagosurve. Prandaj rreth sheshit të Varrezës shkruhet: “Kalimtar, thuaji Polonisë se ramë, duke i shërbyer besnikërisht! Për lirinë tonë e tuajën, ne, ushtarët polakë, i dhuruam Zotit shpirtin; tokës së Italisë, trupat; Polonisë, zemrat!”.
Në këto vise, pra, ishte sot për vizitë baritore Benedikti XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.