2009-05-24 14:15:32

Papa Benedikti XVI në Abacinë e Montekasinos. Intervistë me kryeabatin, dom Pietro Vitorelin.


(24.05.2009 RV)RealAudioMP3 Papa Benedikti XVI ishte sot për një vizitë baritore në Abacinë e Montekasinos në Itali. Abacia është e mirënjohur për faktin se këtë vend lutjesh e jete mungare e ka themeluar Shën Benedikti, Pajtor i Evropës, rreth vitit 529 pas Krishtit. Ka pësuar katër shkatërrime të plota dhe është rindërtuar e ka lulëzuar sërish. Është pikë referimi për benediktinët e të gjithë botës e aty ndodhet edhe varri i Shën Benediktit, të cilit i njihet merita e ungjillëzimit të kulturës evropiane. Por le ta përshkojmë këtë ditë të Benediktit XVI, sëbashku me kryeabatin e Abacisë së Montekasinos, dom Pietro Vitorelin, i cili në mikrofonin tonë, na shpjegon se cilat ishin momentet kulmore:
Një ditë e tërë, intensive, që në sintezë, mund ta përmbledhim në katër çaste domethënëse: paraditja, vizita baritore në dioqezë me Meshën, që për herë të parë në histori, një Papë e kremtoi në qendrën e qytetit të Kasinos, në një shesh, që me këtë rast, iu kushtua një herë e përgjithmonë Benediktit XVI. Ngjarja e dytë menjëherë pas Meshës: Papa përuroi “Shtëpinë e Bamirësisë”, që po ndërtohet në lokalet e spitalit të vjetër civil të Kasinos, e që Rajoni i Lacios, pas kërkesës sime, na e vuri në dispozicion. Po e përgatisim të presë emigrantët, që nuk kanë shtëpi e të afërm ku të shkojnë. Më pas, gjatë pasdites, pjesa e dytë e ditës iu kushtua krejtësisht botës benedektine ndërkombëtare. Ati i Shenjtë u takua me abatët dhe abateshat benedektine, që nga e gjithë bota, kanë ardhur në Montekasino, sëbashku me murgjër e murgesha. E së fundi, ngjarja e katërt para nisjes, ishte vizita në një varrezë lufte, me të cilat fatkeqësisht është plot territori ynë. Papa shkoi në varrezën polake pranë Abacisë, pasi këtë vit bie edhe 65-vjetori i bombardimit të Abacisë së Montekasinos e të qytetit të Kasinos.
Nuk është hera e parë që Jozef Racinger viziton Abacinë: në vitin 2001, kur ishte akoma kardinal, shkroi pikërisht në Montekasino librin “Zoti dhe bota”. Ç’mund të na thoni për atë periudhë?
E kujtoj shumë mirë atë periudhë e me emocion të madh, sepse unë – atëherë isha sekretari i paraardhësit tim – kisha për detyrë ta ndihmoja personalisht kardinalin Racinger, prandaj ato ditë kam qenë shumë afër tij. Kam një kujtim të mrekullueshëm për natyrën e tij, e do të thosha, edhe për përshpirtërinë e tij thellësisht mungare, aq sa duke bërë shaka, ndërmjet sivëllezërve, thuhej: “As që duket se kemi një kardinal në shtëpi!” Në përgjithësi, kur kemi miq të lartë, sidomos për ne benedektinët, që mikpritjen nuk e kemi vetëm detyrë, por bën pjesë në Rregullën e Shën Benediktit, ka gjithnjë një farë tensioni, një valë zelli në shtëpi. Ato ditë, gjithçka ishte e qetë, e heshtur, pa zhurmë. Kardinali Racinger hyri në majë të gishtave, me shumë takt, në orarin e ditës mungare, prandaj, as që e vinim re se ishte i pranishëm.
Në Rregullën e tij, Shën Benedikti shkruante: “Asgjë të mos vijë para Krishtit”. Cili është aktualiteti i këtyre fjalëve?
Sot më tepër se kurrë ndjejmë urgjencën dhe emergjencën për ta vënë sërish përparësinë e Krishtit në qendër të jetës, pasi nganjëherë, edhe në Kishë, krijohet përshtypja se ngjarjet, rastet rrokullisen njëra pas tjetrës. Por ajo që ka më shumë rëndësi, ngjarja që ka vërtet kuptim për jetën e të krishterit e për jetën e Kishës është Jezu Krishti. E kjo ka përparësi absolute mbi gjithçka. Mendoj se nganjëherë duhet të ungjillëzojmë sërish edhe veprimet tona baritore në dritën e primatit të Jezu Krishtit, siç na mëson Shën Benedikti në Rregull e siç predikon Papa Benedikti XVI. Ndër të tjerash, dëshiroj të kujtoj fjalimin e mrekullueshëm që mbajti shtatorin e kaluar, gjatë vizitës baritore në Paris, në Kolegjin e Bernardinëve, ku iu drejtua shkencëtarëve francezë, duke mbajtur një fjalim të ndërthurur me përshpirtërinë mungare. Ishte një ngjarje me të vërtetë e jashtëzakonshme.
Shën Benedikti është Pajtor i Evropës: cili ka qenë kontributi i tij?
Papa Pali VI, më 24 tetor 1964, gjatë asaj ngjarjeje të jashtëzakonshme për Kishën, që qe Koncili II i Vatikanit, kur erdhi në Montekasino për të rishuguruar Bazilikën e rindërtuar, deshi t’i japë këtë primat patronazhi hyjnor mbi Evropën Shën Benediktit, duke parë në të “Pacis Nuntius”, që përmes abacive, kuvendeve, qelave mungare, në 15 shekuj histori, ishte përhapur me të vërtetë në të gjithë kontinentin evropian, duke e shndritur me dritën e Ungjillit e me atë moto, që Shën Benedikti nuk e shkroi kurrë, por që u bë sinteza e mënyrës së tij të veçantë të ungjillëzimit, atë “ora et labora” të benedektinëve, me të cilën është inervuar krejt Evropa. Edhe sot u njihet kjo meritë benedektinëve, pavarësisht nga kushtet e ndryshuara historike e shoqërore brenda urdhërit tonë. Edhe sot, në krejt kontinetin evropian, janë të shumtë benedektinët, që garantojnë afërsinë me popullsitë evropiane, e edhe një afërsi kulturore, e cila përmbahet në mesazhin e Rregullës së Shën Benediktit.
Jemi në vitin 2009: si jeton sot një kuvend benedektin e cili është roli i tij në shoqëri?
Mënyra e ungjillëzimit të benedektinëve do të thosha se ka një veçori krejt të vetën: kur isha mësues i novicëve, përpiqesha tua shpjegoja e u thosha gjithnjë se forca e ungjillëzimit bendektin nuk është aq centrifuge, se sa centripete. Pra, kuvendi bëhet qendër tërheqëse, në të cilin kushdo mund të vijë, të pritet e ta hedhë vështrimin në kiostrin benedektin me dëshirën për të thithur diçka nga ajo jetë e Zotit, që murgjërit mundohen të pasqyrojnë me jetën e tyre të përditshme, normale, por me Zotin në plan të parë.
Siç përmendët më parë, këtë vit bie 65-vjetori i bombardimit të Kasinos gjatë Luftës II Botërore. Cili është mësimi që mbetet nga ajo ngjarje e tmerrshme?
Mësimi më duket se mund të “ikonizohet” lehtë – nëse më lejoni të përdor këtë neologjizëm – me një figure që më pas është botuar në njërin nga librat tanë, ku tregohet ajo ngjarje dramatike: të nesërmen e përfundimit të Luftës II Botërore, dy ish-luftëtarë të fronteve të kundërta, para portës së Abacisë, i japin dorën njëri-tjetrit e në sfond, gati si dëshmitar okular i këtij pajtimi, duket një murg. Më duket se në fund të fundit, mësimi është ky: siç pat thënë Pali VI në fjalimin e tij në OKB, gjithçka është e humbur me luftën, gjithçka rigjehet me paqen. Falenderojmë Zotin dhe qeverinë italiane që na bënë të mundur rindërtimin e Abacisë së Montekasinos, pas asaj tragjedie të tmerrshme. E sot, motoja e Abacisë, që thotë “Succisa virescit”, ose “Trungu i prerë përtërihet e lulëzon sërish”, është fakt. Pavarësisht nga ç’ndodhi në ato vite të tmerrshme, akoma sot një bashkësi e përbërë nga 25 murgjër i thur lavde Hyjit shtatë herë në ditë, lutet, duke u impenjuar të jetojë me punën e duarve të veta dhe pret këdo ka dëshirë ta provojë këtë jetë, për t’u magjepsur me hirin që vjen nga Jezu Krishti.







All the contents on this site are copyrighted ©.