2009-05-24 14:20:33

Benedikti vijon të na porositë: “Lutuni, mësoni e punoni!”.


(24.05.2009 RV)Benedikti e shokët e tij sodisin peizazhin, që duket nga maja e Malit Kasino. Këtë vend kanë zgjedhur për të ngritur kuvendin e ri; vend mahnitës, që ngrihet mbi rrafshirën italiane.
Jemi në vitin 529 e Benedikti, burrë rreth të pesëdhjetave, ka shumë kohë që jeton si murg. Por kuvendet ku ka jetuar më parë, nuk i kanë pëlqyer. Asokohe murgjërit kalonin një jetë të vështirë. Agjëronin shumë shpesh. Rrinin gjatë pa ngrënë e pa fjetur dhe e mundonin pa kurrfarë mëshire veten , kur mendonin se kishin mëkatuar. Mendonin se kjo ishte rruga më e mirë që duhej ndjekur, për t’i pëlqyer Hyjit e për t’u bërë të krishterë të mirë. Por Benedikti mendon ndryshe. Ka një karakter të butë e të ëmbël. Është i bindur se për t’i pëlqyer Zotit, duhet jetuar në mënyrë të drejtpeshuar. Kështu, në sa ndërton kuvendin e tij të ri, vendos të shkruajë edhe Rregullën e re, për t’u shpjeguar murgjërve si të jetojnë, duke respektuar plotësisht tri kushtetet e domosdoshme të jetës murgare: bindje, varfëri, pastërti. E akoma: lutje, heshtje, përvujtëri. Benedikti i ndalon të tregohen tepër të ashpër me vetveten, i fton të ushqehen e të flenë mirë. Në kuvendin e Kasinos, ndryshe nga kuvendet e tjera, murgjërit nuk mblidhen në zemër të natës për t’u lutur. Koha që i kushtohet lutjes duhet të jetë më e shkurtër, për t’u krijuar kështu murgjërve kushtet që të përqendrohen plotësisht gjatë gjithë kohës që takohen me Hyjin në uratë.
Benedikti mendon se edhe puna duhet të zërë një vend tepër të rëndësishëm në jetën e përditshme. Murgjërit e tij nuk duhet të merren vetëm me librat, por edhe me punë të tjera dore, si për shembull, me punimin e tokës, duke e siguruar me duart e veta bukën e përditshme në kuptimin e drejtpërdrejtë të kësaj fjale. Gjë fare e re kjo për jetën murgare. Deri në atë çast, puna e dorës konsiderohej ‘punë e ndyrë’. Ndërsa Benedikti mendon se puna është një nga mënyrat më të mira për t’iu afruar Zotit, sepse është një lloj si të lutesh me duart që punojnë. Benedikti flet edhe për rolin abatit, eprorit të kuvendit, i cili ka për detyrë të ruajë Rregullën, të sigurojë respektimin e saj, që në bashkësi të mbretërojë paqja e drejtësia veprimtari që duhet kryer me dashuri, duke i falur pa ngurrim ligështitë e murgjërve. Kjo pjesë e Rregullës fillon të ndiqet edhe nga njerëz të zakonshëm që nuk janë murgjër: disa sovranë shembullorë kërkojnë shumë shpejt të jetojnë e të sundojnë sipas këshillave që Benedikti u jepte abatëve të manastireve!
Mali i Kasinos nis të tërheqë shumë shpejt murgjër të rinj, që vijnë nga të katër anët, e edhe shumë murgesha. Skolastika, motra e Benediktit, themelon aty një kuvend femëror.
Kështu, ndërsa shembej Perandoria Otomane e disa zona të Evropës dukej sikur kridheshin në errësirë, ndërsa të tjerat jetonin pa qytetërim e pa vlera shpirtërore, Benedikti, me impenjimin e tij të palodhshëm, bëri që në këtë Kontinent të muzgët të lindë agimi i një epoke të re. Ai e bijtë e tij me kryq, libër e parmendë, qenë të parët që çuan progresin e krishterë ndërmjet popujve të përhapur nga Mesdheu e deri në Skandinavi; nga Irlanda e deri në rrafshinat e Polonisë.
Me Kryq, domethënë me Ligjin e Krishtit, siguruan qëndrueshmërinë dhe lulëzimin e rendit të jetës publike e private… duke çimentuar atë unitet shpirtëror evropian, me forcën e të cilit popuj që flisnin gjuhë të ndryshme, ndjenë se po formonin një popull të vetëm. Popullin e Zotit.
Me libër, pastaj, domethënë me kulturë, vetë Shën Benedikti, nga i cili shumë manastire morën emër e forcë, shpëtoi me guxim providencial, në çastin kur trashëgimia humanistike rrezikonte të zhdukej, traditën klasike të botës së lashtë, duke i përcjellë të paprekur breznive të ardhshme, kultin e diturisë.
Me parmendë, së fundi, domethënë me kultivimin e arave e nisma të tjera me rëndësi të dorës së parë për zhvillimin e bujqësisë, ia doli mbanesh t'i shndërronte tokat djerr në fusha pjellore e kopshte të lulëzuara; e duke bashkuar lutjen me punën materiale, sipas motos së tij të famshme "ora et labora" - "lutu e puno!" fisnikëroi e lartoi djersën që rrjedh nga balli i ndershëm.
Sot mijëra vetë jetojnë duke ndjekur rregullën e Shën Benediktit, e cila, falë thjeshtësisë së saj, mund të kuptohet nga njerëz të të gjitha kulturave.







All the contents on this site are copyrighted ©.