2009-05-23 10:06:37

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Festës të të Ngjiturit të Jezusit në Qiell.


(23.5.2009 RV)RealAudioMP3 Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësa radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë Hyjnore të festës të të Ngjiturit të Jezu Krishtit në Qiell, që tek shqiptarët njihet si festa e të Shëlbuemit.
Kjo festë e të Shëlbuemit është solemnitet që kujton se çdo njeri është i thirrur për jetën e pasosur. Me këtë festë kujtohet përfundimi i qëndrimit të dukshëm të Zotit ndërmjet njerëzve, që u pasua me përhapjen e Lajmit të Mirë Ungjillit, e të krishterimit në mbarë botën.
Ishte një ‘mirupafshim’ e nevojshme Ngjitja e Krishtit në qiell, rikthimi tek Ati, që përmbushi shëlbimin: “Në se unë nuk shkoj, nuk do të vijë tek ju Ngushëlluesi, por në se shkoj, do t’jua dërgoj” - kështu u tha Jezusi Apostujve, siç na rrëfen Shën Gjoni Ungjilltar.
“Në këtë festë, bashkësia e krishterë është e thirrur t’i drejtojë sytë nga Ai që , dyzet ditë pas ngjalljes, në sa apostujt e ndiqnin të mahnitur, u ngjit lart para syve të tyre e u zhduk pas një reje. Duke u ngjitur në qiell, Ai na e rihapi udhën drejt atdheut tonë të përhershëm, që është parajsa. Tani, me pushtetin e Shpirtit të tij, na ndihmon në shtegtimin tonë të përditshëm mbi tokë”.
“Dyzet ditë pasi u qe dukur Apostujve me pamjen e tij të zakonshme njerëzore, që fshihte lumninë e të Ngjallurit, shpjegon Katekizmi i Kishës Katolike – Krishti ngjitet në qiell e rri në të djathtën e Atit. Ai është Zoti, që tashmë mbretëron me humanitetin e tij në lumninë e amshuar të Birit të Hyjit dhe ndërmjetëson pareshtur në favor tonë pranë Atit Qiellor. Jezu Krishti na dërgon Shpirtin e tij dhe na jep shpresë se një ditë do të arrijmë edhe në vendin që Ai na e ka përgatitur:
“Duke u ngjitur drejt ‘lartësive’, Jezusi na zbulon pa kurrnjë dyshim hyjninë e vet: kthehet prej nga erdhi, domethënë tek Ati, pasi e ka kryer misionin e Tij mbi tokë. Përveç kësaj, Krishti ngjitet në qiell, pasi mori mbi vete natyrën njerëzore, të cilën e ngjalli prej së vdekurve: kjo natyrë njerëzore është natyra jonë, e shndërruar, e hyjnizuar, e amshuar. Prandaj themi se çdo njeri është i thirrur për jetë të pasosur në Mbretërinë e Hyjit, Mbretëri e dashurisë, e dritës, e paqes”. Duke soditur këtë ngjarje “ne duhet të jemi të sigurtë se Zoti nuk është larg nesh, se nuk ndodhet në ndonjë vend të universit, ku nuk mund të arrijë askush. Ai e ka ngritur tendën apo banesën e vet ndërmjet nesh: në Jezusin, është bërë një prej nesh, me mish e gjak, si ne. Ai vetë, me Korpin e vet, mbetet mes nesh si një prej nesh. Mund ta thërrasim me emër e të flasim me Të. Ai na dëgjon, e në se ia vëmë veshin, edhe ne do ta dëgjojmë kur na përgjigjet. Në Jezusin është Zoti që na pret!
Tani t'i dëgjojmë leximet biblike te liturgjisë se Fjalës Hyjnore te kësaj se diele e pastaj komentin apo Homelin nga dom Mark Shtjefni.......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.