Të dielën Papa shkon në Montekasino, në gjurmët e Shën Benediktit
(22.05.2009 RV)Benedikti XVI në
gjurmët e Pajtorit të papnisë së tij. Të dielën, pas dy ditësh, Papa do të vizitojë
dioqezën e Montekasinos, ku jetoi e vdiq Shën Benedikti, themelues i Urdhërit të benedektinëve. “Mirësevjen
Atë i Shenjtë”: kjo është parrulla që shkruhet në flamujt bardhë e verdhë, që zbukurojnë
ballkonet mbi sheshin Miranda të Kasinos, ku të dielën në orën 10.15, Papa do të kremtojë
Meshën në Solemnitetin e të Ngjiturit të Krishtit në qiell. Bashkia ka vendosur që
më pas ky shesh të marrë emrin Benedikti XVI. Pas Lutjes së Mbretëreshës Qiellore,
Papa do të shkojë në Abacinë e Montekasinos, por para se të arrijë në Kuvendin benedektin,
do të ndalet në Shtëpinë e Bamirësisë së Kasinos, që do të përurohet pikërisht prej
Atit të Shenjtë. Papa do të qëndrojë për drekë në abaci e në orën 16.30 do të përshëndesë
bashkësinë murgare e disa organizatorë të vizitës. Në orën 17, do të kremtojë Lutjen
Mbrëmësore me benedektinë të ardhur nga e gjithë bota. Dita do të mbyllet me vizitën
e Benediktit XVI në varrezën polake, për të kujtuar 65-vjetorin e betejës së Montekasinos
dhe të bombardimit të Abacisë gjatë Luftës II Botërore. Ushtarët polakë hapën dyert
për çlirimin e Romës, duke paguar një çmim shumë të lartë, në jetë njerëzish. Në një
kryq 16 metra, në mes të varrezës shkruhet “Kalimtar, thuaji Polonisë se ramë besnikë
në shërbim të saj”. Për Abacinë e Montekasinos të dëgjojmë dom Guido Inoçenco Garganon,
epror i kuvendit të Shën Gegës në Çelio në qytetin e Romës: Ekziston një Montekasino
ideale dhe një reale. Montekasino ideale është ai i Rregullës së Shën Benediktit,
i modelit të tij të ungjillëzimit e sidomos, i Gegës së Madh, që ua ka shpjeguar këtë
model njerëzve të thjeshtë. Jo rastësisht, Rregulla e Shën Benedektit është sintetizuar
në traditë me dy fjalë: “Ora et labora” (lutu e puno). Ç’është në zanafillën e saj?
Kujdesi për njeriun. Njeriu, në analogji me Jezu Krishtin, ka një përmasë krejtësisht
hyjnore e një përmasë krejtësisht njerëzore. Këtë ka propozuar Montekasino e Shën
Benedikti në Rregullën e tij. A është kjo sintezë e mrekullueshme, “Ora et
labora”, kontributi më i qëndrueshëm që Shën Benedikti dhe monakizmi i kanë dhënë
Evropës? Do të thosha se murgjërit e kanë ndërtuar Evropën me anën e dy mjeteve:
me parmendë e me penë. Pena është përdorur për të kaluar nga një kodik në tjetrin
fjalët më domethënëse, që do ta ushqenin më pas historinë. Të dyja gjërat shkojnë
bashkë e me to, edhe përparësia e Veprës së Hyjit, kuptuar si Shëlbim i shpirtrave.
Këto më duken themeloret e mbi to u ndërtua Evropa.