2009-05-22 18:25:07

Sot, në Kashia u kremtua festa e Shën Ritës. Tri grave iu dorëzua Çmimi i Shenjtes.


(22.05.2009Sot paradite Kashia u zgjua nga tingulli festiv i këmbanave, që u pasua nga procesioni e kortezhi historik, me veshje tradicionale të njëmijë e katërqindës. Kremonte festën e Shën Ritës, bijë e këtyre trojeve, tashmë tejet e njohur në mbarë botën. Mesha solemne pontifikale, krysuar nga kardinali Enio Antoneli, kryetar i Këshillit Papnor për Familjen, u kremtua në tremen e Bazilikës.

Shenjtja, e cila vijon të fitojë çdo ditë të devotshëm të ri, për shkak të hirit që ka marrë dhuratë nga Zoti, lindi më 1381 në Rokaporena, pranë Perugjës. I propozon njeriut të sotëm një jetë të pasur me lutje e virtyte.
E rritur në frikë të Zotit pranë prindërve të saj, në moshë të shkuar, i respektoi aq, sa për të përmbushur vullnetin e tyre, hoqi dorë nga jeta rregulltare, e cila i pëlqente shumë e u martua me Paolo Ferdinandin, njeri i tërbuar që një ditë prej ditësh u gjet i vdekur në një hendek. Të bijtë, tashmë të rritur, u betuan t’ia marrin gjakun. Rita bëri çmos t’i bindte të hiqnin dorë, por qe e pamundur. Atëherë iu lut me gjithë zemër Zotit t’ia marrë, më mirë se të bëhen gjaksorë. Lutja e saj, në këndvështrimin njerëzor krejt e pakuptueshme, u dëgjua. Djemtë i vdiqën nga sëmundja në moshë të re. Atëherë Rita hyri në manastirin agostinian të Shën Marisë Magdalenë e, me forcën e lutjes, paqëtoi e pajtoi familjet, që rrezikonin të shuheshin nga plaga e rëndë e gjakmarrjes. Papa Leoni XIII e shpalli Shenjte më 24 maj 1900. Mbetet shembull frymëzimi edhe në kohët tona kur, për të kujtuar vlerat e krishtera, karakteristike për përshpirtërinë e Saj, jepet çdo vit një çmim i rëndësishëm. Është Çmimi ndërkombëtar ‘Shën Rita’, i cili sivjet iu dha tri grave, shembull për dashurinë e tyre të krishterë, për shpresën e për forcën e faljes. Njëra është motra Maria Laura Maineti, rregulltare e Bijave të Kryqit në Kashia, mbytur më 6 qershor të vitit 2000 në Kivena të Italisë, nga tri vajza të mitura.
Atë Angjelo Leme, epror i Kongregatës agostiniane të Kashias e kujton kështu:
“U dallua pse, në kohën kur e thernin me thika, i fali vajzat, që i shkaktuan vdekjen. E këtë e dëshmuan vetë vajzat gjatë procesit gjyqësor. Motër Maria Laura, çështja e lumnimit të së cilës vijon, e jetoi vërtetë heroikisht dashurinë e Kryqit”.
Po ky çmim iu dha edhe një gruaje filipinase e cila, e vejë e me gjashtë fëmijë, vuri peng shtëpinë, për të ndihmuar një mike.
Së treti, u vlerësua Paola Stoko, nënë e gjashtë fëmijëve natyror e 4 të bijësuar.
Po ç’të përbashkët kanë këto gra me Shën Ritën?
Regulltarja agostiniane, pas vdekjes së bijëve, ia kushtoi veten lutjes e dashurisë për Krishtin e kryqëzuar, i cili ia shënoi mrekullisht fytyrën e vet me një gjemb në lule të ballit. E figura hyjnore i mbeti aty, deri në vdekje, në sa pas vdekjes trupi i saj mbeti si të ishte i gjallë.
Zoti, duke ia pranuar lutjen për të arritur të paarritshmen, e bëri Pajtore të gjithë atyre që vuajnë për shkaqe, në dukje pa rrugëdalje. Është, pra, shenjtja e të padërmanëve – siç quhen në gjuhën e popullit.
Ndërmjetësuese e përshtatshme për shqiptarët, që vijojnë gjakmarrjen - Nëna e shenjtë, e cila i dhuroi Zotit jetën e re të bijve të vet, vetëm e vetëm që të mos bëheshin gjaksorë.
A nuk do të ishte e arsyeshme të jepej çmimi “Shën Rita” edhe në Shqipëri, ku vijon një fenomen tepër i pakuptueshëm për botën e qytetëruar, fenomeni i tmerrshëm i ngujimit nga frika e gjakmarrjes?







All the contents on this site are copyrighted ©.