2009-05-22 18:02:14

Papa presidentëve të Bullgarisë e të Maqedonisë: Evropa t’i qëndrojë besnike rrënjëve të krishtera, në se dëshiron liri, paqe e drejtësi për të gjithë.


(22.05.2009 RV)RealAudioMP3 Me rastin e kremtimeve për nder të Shenjtorëve Çirili e Metodi, sipas kalendarit julian, sot paradite Benedikti XVI priti dy delegacione, ardhur nga Bullgaria e nga Maqedonia, në shtegtim pranë Varrit të Shën Çirilit, që ruhet në bazilikën romake të Shën Klementit. Delegacionet, kryesuar nga presidentët e të dy vende, u pritën sot nga Papa, në dy audienca të veçanta.

Duke pritur delegacionet, kryesuar nga presidenti bullgar Georgi Parvanov e nga presidenti maqedon, Gjeorge Ivanov, Benedikti XVI kujtoi veprën ungjillëzuese e shoqërore të dy Bashkëpajtorëve të Evropës, që jetuan në shekullin IX, trashëgimia shpirtërore e të cilëve la gjurmë të pashlyeshme në jetën e popujve sllavë. Shembulli i Vëllezërve Shenjtorë – shtoi Papa – u bë bazë e patundur për dëshminë që dhanë shumë të krishterë, të cilët gjatë shekujsh, duke i qëndruar besnikë Ungjillit edhe në rrethana persekutimi e martirizimi, e përhapën lajmin e shëlbimit, duke punuar njëkohësisht edhe për ndërtimin e një shoqërie të drejtë e solidare.
Më pas Ati i Shenjtë uroi që Kontinenti i Vjetër t’u qëndrojë besnik rrënjëve të veta të krishtera. Vlerat e solidaritetit e të drejtësisë, të lirisë e të paqes, sot të ripohuara vazhdimisht – nënvizoi Papa – fitojnë më shumë forcë e qëndrueshmëri, në se ushqehen nga mësimi i amshuar i Krishtit, i vënë në jetë nga dishepujt e tij të të gjitha kohëve. Sfida që duhet të përballojnë të krishterët sot - vijoi Ati i Shenjtë – është pikërisht kjo: Ta ruajnë pasurinë e idealeve e të vlerave, që Shenjtorët Çirili e Metodi i përcollën me fjalë e me vepra. Ky – tha në përfundim Papa – është kontributi më i çmuar i të krishterëve për ndërtimin e Evropës së mijëvjeçarit të tretë, që Kontinenti të ecë drejt një ardhmërie progresi, drejtësie e paqeje për të gjithë.
Kujtojmë se Selia e Shenjtë e mbështeti gjithnjë Bullgarinë, që ka vuajtur aq shumë nën regjimin komunist, në rrugën drejt bashkimit të plotë me Kombet e tjera evropiane.
Ndërsa maqedonët i ka ndihmuar që jo vetëm ta ruajnë thesarin shpirtëror të trashëguar nga Shenjorët Çirili e Metodi, por edhe të japin një kontribut të çmuar për të ndërtuar, mbi këtë bazë, një ardhmëri progresi e paqeje për të gjithë Evropën.







All the contents on this site are copyrighted ©.