2009-05-22 17:42:33

Imzot Folo në Unesko: jo manipulimit të informacionit.


(22.05.2009 RV)RealAudioMP3 Teknologjitë e informimit dhe të komunikimit, arësimi për të gjithë dhe edukimi ndërkulturor: mbi këto tri pika u ndal Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Uneskos, imzot Françesko Folo, i cili foli në sesionin e 181-të të Këshillit ekzekutiv të organizatës së OKB-së për arsimin, shkencën e kulturën. Sesioni u zhvillua në Paris.
Emëruesi i përbashkët i tri ndërhyrjeve të tij ishte thirrja që komunikimi dhe edukimi të kenë si objektiv kryesor njeriun, të kuptuar si person, që bart dinjitet. Selia e Shenjtë, theksoi imzot Folo, mbështet përpjekjet për formimin teknologjik e informatik të vendeve në zhvillim, por ky formim nuk duhet të kufizohet vetëm në përmasën teknike e profesionale, por duhet të ketë parasysh zhvillimin e plotë të individit, respektin për të tjerët dhe të mirën e përbashkët.
Arësimi u duhet garantuar gjithashtu të gjithëve pa përjashtim e për këtë Vatikani sugjeron dy strategji: së pari, t’i jepet rëndësi shkollës, ku nxënësi mëson rregullat bazë të jetës. Së dyti, të garantohet e njëjta mundësi për shkollim si për gratë, ashtu edhe për burrat. Edukimi gjithashtu nuk duhet të ketë thjesht qëllime produktive, siç është prirja e sotme. Adoleshentët duhet të hyjnë në kontakt me kultura e fe të tjera dhe të mësojnë nga njëri-tjetri. Mësuesit kanë një rol themelor në këtë fushë, e mund t’u dhurojnë nxënësve një vështrim pozitiv mbi realitetin, duke u treguar atyre se arritjet teknologjike janë maja e arsyes, jo mohimi i saj.







All the contents on this site are copyrighted ©.