2009-05-21 16:36:19

Solemniteti i të Shëlbuemit në Vatikan. Papa: njerëzimi mëkatar lartohet te Zoti nga Kryqi i Krishtit


(21.05.2009 RV)RealAudioMP3 Sot në Vatikan kremtohet Solemniteti i të Shëlbuemit apo i të Ngjiturit të Zotit në qiell, festë që në Shqipëri dhe në vende të tjera do të përkujtohet të dielën e ardhshme. Është mister i fesë – ka nënvizuar Benedikti XVI – që i referohet vokacionit të lartë të njeriut, i lartuar te Zoti nga Krishti, pasi pagoi me Kryq mëkatet e secilit prej nesh. Kuptimi i të Ngjiturit të Krishtit në qiell është i dyfishtë - ka pohuar Papa në Lutjen e Mbretëreshës Qiellore, më 21 maj 2006. Së pari, duke u lartuar, zbulon pa dushim hyjninë e tij: kthehet nga erdhi, te Zoti:
“Përveç kësaj, Krishti ngjitet në qiell sëbashku me humanitetin që ka marrë mbi vete dhe e ka ngjallur së vdekurish: ai humanitet është i yni, i shndërruar, hyjnizuar, i amshuar. Prandaj, të Shëlbuemit zbulon vokacionin e lartë të çdo njeriu, që është i thirrur për jetën e amshuar në Mbretërinë e Zotit, Mbretërinë e dashurisë, të dritës e të paqes”.
Jezusi realizon misionin e tij duke hyrë në mjerimin e njeriut e duke marrë mbi vete mëkatet e ne të gjithëve: vetëm kështu mund të lartojë njeriun te Zoti. Në Lutjen e Mbretëreshës Qiellore, më 4 maj 2008, Papa Racinger pati theksuar:
“Ai në fakt erdhi në botë për ta çuar njeriun të Zoti, jo në planin ideal – si një filozof apo si një maestër urtie – por me të vërtetë, si bari që dëshiron t’i çojë delet në vath. Këtë “eksod” drejt atdheut qiellor, Jezusi e ka përjetuar vetë, por e ka bërë vetëm e krejtësisht për ne. Është për ne, që zbriti nga Qielli dhe është për ne që u ngjit, pasi u bë krejtëisht i ngjashëm me njerëzit, i përbuzur deri në vdekjen në kryq, e pasi preku humnerën e largimit më të madh nga Zoti”.
Në këtë botë askush nuk është pa mëkat, megjithëse nuk është i vetëdijshëm për këtë. Askush nuk mund të shpëtojë me forcat e veta. Vetëm në Krishtin mund të shpresojë njeriu i dobët e mëkatar:
“Zoti në njeriun – njeriu në Zotin: kjo është tashmë një e vërtetë jo teorike, por reale. Prandaj shpresa e krishterë, bazuar mbi Krishtin, nuk është iluzion, por, siç thotë Letra drejtuar hebrenjve, “Atë e kemi spirancë të sigurtë dhe të fortë të shpirtit” (Heb 6,19) një spirancë që penetron në Qiell, aty ku Krishti na ka paraprirë” (Mbretëresha Qiellore, 4 maj 2008)
Të gjithë ne jemi të thirrur ta drejtojmë vështrimin nga Ai, që kur u ngjit në qiell, na shëroi përmes plagëve të veta. Ja si thotë Papa në Mbretëreshën Qiellore të 8 majit 2005:
“Jemi të thirrur prandaj, të përtërijmë fenë tonë në Jezusin, spiranca e vetme dhe e vërtetë e shpëtimit për të gjithë njerëzit. Duke u ngjitur në Qiell, Ai hapi rrugën drejt atdheut tonë përfundimtar, që është parajsa. Tani, me fuqinë e Shpirtit të tij, na mbështet në shtegtimin e përditshëm mbi tokë”.
Pas Ngjitjes së Krishtit në qiell, dishepujt e parë qëndrojnë të bashkuar në Çenakull përreth Nënës së Jezusit, në pritje të Shpirtit Shenjt. E Papa na fton ta kthejmë vështrimin nga Maria: Nëna na çon te Biri, që nuk është më fizikisht mes nesh, por na pret në shtëpinë e Atit:
“Jezusi na fton të mos rrimë e të shohim lart, por të qëndrojmë të bashkuar në lutje, për të kërkuar dhuratën e Shpirtit Shenjt. Në fakt, vetëm atij që “rilind nga lart”, pra nga Shpirti i Zotit, i hapet porta e Mbretërisë së Qiellit, dhe e para që “rilindi nga lart” është pikërisht Virgjëra Mari” (Mbretëresha Qiellore, 4 maj 2008)







All the contents on this site are copyrighted ©.