2009-05-20 12:10:39

Sot u mbushen 503 vjet nga vdekja e Kristofor Kolombos


( 20. 05. 09 R. V. ) Kujtojme se lundërtari i madh gjenovez, në vitin e largët 1492, zbarkoi në brigjet e Kontinentit Amerikan.
Simbol njerëzimit që kapërcen horizontet, Kristofor Kolombo vdiq më 20 maj, 503 vjet më parë, në Valadolid të Spanjës, pothuajse i harruar nga bota, në kushte të rënda financiare. Në vitin 1492, lundërtari i madh gjenovez, duke kërkuar të arrinte në Indi përmes Atlantikut, zbuloi një kontinent të ri, i cili më pas do të quhej Amerikë. U harrua dhe vdiq njëherë, për t’u radhitur, më pas, ndërmjet njerëzve më të mëdhenj të historisë së njerëzimit. Ja mendimi i njerit nga studiuesit e figurës së Kolombos, profesor Franko Salvatorin:

Përgjigje: - Kolombo ishte sigurisht ëndërrimtar i madh, që diti të tërheqë vëmendjen e të mobilizojë energji e mjete për realizimin e ëndrrës së tij… Por ishte edhe njeri shumë praktik: të shkoje në Lindje, duke u nisur nga Perëndimi, do të thoshte të gjeje rrugën më të shkurtër për interesat e kurorës spanjolle, për të arritur në tregjet lindore nëpër një rrugë të re, duke pasur parasysh se lundrimin rreth Afrikës e kishin realizuar të parët lundërtarët portugezë. Ishte, prandaj, problem që kishte të bënte me shkëmbimet e edhe me mbisundimin politiko-ushtarak.
 
Pyetje: - Kolombo vërtetë arriti në brigjet amerikane, por nuk e mori vesh kurrë se kishte zbuluar një kontinent të ri….
 
Përgjigje: - Mbi këtë “kolombistët’ vijojnë të diskutojnë. Ndonjë prej tyre është i bindur se Kolombo, pas një farë kohe, e kuptoi se kontinenti ku kishte arritur ndryshonte nga Azia. Për shembull, kur zbarkoi në Venezuelë dhe pa derdhjet e lumenjve, nisi të kuptonte se nuk ishte në Çipango, në Japoni, por në një vend shumë më të madh. Atëherë nisi ta quante botën ku kishte arritur ‘otro mundo’ – ‘bota tjetër” sikur të kishte arritur në Parajsë. Sigurisht ishte edhe kokëfortë, në kuptimin e bindjes se kishte arritur në Lindje, dmth se lundrimi i tij nuk kishte dështuar. E megjithse në këtë kuptim kishte dështuar vërtetë, mund të themi se ishte një dështim fatlum, sepse me të filloi epoka moderne, u hap rruga drejt një bote që u quajt menjëherë “Bota e re”.
 
Pyetje: - Ç’ka mbetur akoma për t’u studiuar historikisht rreth figurës së lundërtarit të madh gjenovez?
 
Përgjigje: - Çështja në se Kristofor Kolombo ishte vërtetë gjenovez: mbi këtë Universiteti romak i Tor Vergatës po realizon një studim, duke u nisur nga ADN-ja e eshtrave të bijve të Kolombos e po përpiqet të gjejë përkime të rezultateve me Kolombot që jetojnë sot në Liguria e në zonat fqinje. Nuk mund të themi se kjo do të jetë prova përfundimtare, por do t’i shtohej provave të tjera, tashmë të besueshme, historike, që vërtetojë se Kolombo ishte vërtetë gjenovez. Për shembull, mbetet për t’u zbuluar në se Kisha e kohës e mbështeti sipërmarrjen e Kolombos, gjë që do ta kishte shtyrë sigurisht të bënte një udhëtim në Romë, para se të nisej për Amerikë…
 
Pyetje: - Sipas jush, cilat ishin arsyet kryesore që e shtynë Kolombon të nisej për një shtegtim kaq të jashtëzakonshëm?
 
Përgjigje: - Kolombo kishte edhe ndjenja të forta fetare. Në shkrimet e tij gjejmë shenjat se pati një shtytje të thellë shpirtërore për t’u nisur drejt Lindjes, që të çonte atje Ungjillin. Këtë e gjejmë ndër shkrimet e tij, ndër shënimet e lëna anash faqeve të librave që kishte nëpër duar e që ua la trashëgim pasardhësve. Pastaj duhet të kujtojmë vetë emrin e tij: Kristofor, që do të thotë ai që sjell i Krishtin.







All the contents on this site are copyrighted ©.