2009-05-20 17:42:19

Në audiencën e përgjithshme, Benedikti XVI kujtoi shtegtimin në Tokën Shenjte, ku duhet të mbretërojë harmonia ndërmjet vëllezërve e jo dëshira për të sunduar.


(20.05.2009 RV)RealAudioMP3 Pavarësisht nga konfliktet ndërmjet viseve të ndryshme të Tokës Shenjte e atyre ndërmjet të krishterëve, që prej dymijë vjetësh Kisha vijon rrugën drejt bashkimit të saj të plotë. Me këto fjalë e përfundoi sot Benedikti XVI audiencën e përgjithshme të së mërkurës, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, kushtuar plotësisht shtegtimit të tij apostolik në Tokën Shenjte. Në përfundim të audiencës, Papa kujtoi, në gjuhën angleze, Ditën botërore të komunikimeve, që do të kremtohet të dielën e ardhshme, duke bërë ftesë për përdorimin pozitiv të teknologjive dixhitale e duke i nxitur të rinjtë t’i përdorin për të dëshmuar fenë e tyre.

Shtegtim i fesë, shtegtim i paqes: janë dy udhët që përshkoi Benedikti XVI duke ecur në një rrugë të vetme, atë që e çoi ku lindi Kisha e parë. Tetë ditë të ngarkuara me veprimtari, nga Mali Nebo, në Jordani e tek Varri i Shenjtë në Jeruzalem; ndërmjet ndërtesave e peizazheve që – tha Papa - të kujtojnë natyrën ‘shtegtare’ të Kishës mbi tokë; një Kishe që tashmë është e bashkuar me Krishtin, por që megjithatë, nuk mund ta shijojë ende amshimin e premtuar prej Tij. E ky është edhe fati i sotëm i Viseve të Shenjta, sa të shenjta, aq edhe vende mllefesh e gjaku:
“Në këtë Tokë të bekuar nga Hyji, nganjëherë të duket se është e pamundur të dalësh nga spiralja e dhunës. Por për Zotin e për ata që besojnë në Të, s’ka asgjë të pamundur! Prandaj nga besimi në Zotin e drejtë e të mëshirshëm, që është pasuria më e çmuar e këtyre popujve, duhet të burojnë me gjithë forcën respekti, pajtimi e bashkëpunimi”.
Pastaj Papa kujtoi Jeruzalemin, udhëkryq përshpirtërie e kundërvëniesh, qytet i paqes’, që shpreh planin e Zotit për njerëzimin: të formojë prej tij një familje të madhe, të cilin Krishti e realizoi me vdekjen e tij, duke e shembur, kështu, murin e armiqësisë:
Të gjithë besimtarët, prandaj, duhet t’i lënë pas shpine paragjykimet e dëshirën për të sunduar e të vënë në jetë njëzëri, urdhërimin themelor, që na kujton se duhet ta duam Zotin me gjithë vetveten e ta duam të afërmin si vetveten. Pikërisht këtë duhet të dëshmojnë hebrenjtë, të krishterët e myslimanët, për të nderuar kështu, me fakte, lutjet që i bëjnë Zotit me gojë”.
E pikërisht bindja se fetë duhet të japin ndihmesën e tyre për pajtimin, e shtyu Papën të vihej për udhë si shtegtar i paqes në Jordani e në Izrael, të ndalej tek Muri i Lotëve e tek Kupola e Shkëmbit, xhamia më e lashtë e Tokës Shenjte, e akoma, tek Memoriali i Yad Vashem, ku u lut për tragjedinë e paharruar e të paharrueshme të Shoah. E duke kujtuar pritjen plot respekt të familjes mbretërore jordaneze, në Aman si dhe mundësinë që iu dha për të bekuar, në këtë komb, gurët e parë të dy kishave të reja, Benedikti XVI ripohoi një koncept shumë të dashur, të cilin e kujton dhe e mbron vazhdimisht:
“Ky fakt është shenjë e hapjes së portave dhe e respektit që vërehet në Mbretërinë Hashemite për lirinë fetare e për traditën e krishterë, e kjo meriton të vlerësohet lart.(…). Sa e rëndësishme është që të krishterët e myslimanët të bashkëjetojnë paqësisht, duke respektuar njëri-tjetrin. Falë hirit të Zotit, e impenjimit të sundimtarëve, në Jordani kjo është realitet. U luta, prandaj, që të jetë kështu edhe gjetiu, duke menduar posaçërisht për të krishterët e Irakut fqinjë, të cilët jetojnë në kushte tejet të vështira”.
Ndërsa Bazilikat e Betlehemit e të Nazaretit, përveç atyre të Jeruzalemit, me takimet e kremtimet e shumta, e pritën Benediktin XVI si shtegtar i fesë e si bari, që kishte shkuar të vizitonte grigjën e vogël katolike të Tokës Shenjte. Posaçërisht Betlehemin Papa e kujtoi sot si vend simbol, i cili tregon se njeriu është ende shumë larg nga kumtimi i paqes, që jehoi në një shpellë dymijë vjet më parë. E pikërisht Betlehemi, i varfër e i izoluar, mur i ndarjes ndërmjet izraelitëve e palestinezëve, ishte edhe vendi ku Benedikti XVI u drejtoi të gjithëve ftesën për ta kërkuar paqen me metoda, që e përjashtojnë dhunën:
“Pavarësisht nga të përpjetat e të tatëpjetat e Viseve Shenjte në rrjedhë shekujsh, pavarësisht nga luftërat, shkatërrimet e, për fat të keq, edhe ndeshjet ndërmjet vetë të krishterëve, Kisha e vijoi misionin e saj, e frymëzuar nga Shpirti i Zotit të ngjallur. Ajo është për udhë drejt bashkimit të plotë, që Bota të besojë në dashurinë e Zotit e të provojë gëzimin e paqes së tij”.
Pak para përfundimit të audiencës së përgjithshme, Benedikti XVI kujtoi Ditën e ardhshme të Komunikimeve shoqërore dhe bëri, në gjuhën angleze, një thirrje drejtuar të gjithë përdoruesve të teknologjive e reja mediatike, duke i nxitur t’i përdorin pozitivisht, për të shfrytëzuar forcën e madhe të këtyre mjeteve e për t’i vënë në shërbim të miqësive e të solidaritetit, që mund të ndihmojnë për ndërtimin e një bote më të mirë:
“I wish to encourage all those who access cybersapce…
“Dëshiroj t’i inkurajoj të gjithë ata, që hyjnë në hapësirën kibernetike, t’i kushtojnë vëmendje ruajtes e promovimit të kulturës së respektit, të dialogut e të miqësisë së vërtetë, përmes të cilave mund të lulëzojnë vlerat e vërtetësisë, të harmonisë e të mirëkuptimit. Të rinj, ju drejtohem posaçërisht ju: dëshmojeni fenë tuaj përmes botës dixhitale! Përdorini teknologjitë e reja për të kumtuar Ungjillin, në mënyrë që Lajmi i Mirë i Hyjit, dashuria e pafundme për të gjithë njerëzit, të rikumbojnë në mënyrë të re në botën tonë gjithnjë më teknologjike”.
Mendimi i fundit i Papës iu kushtua Solemnitetit të të Shëlbuemit, që në Vatikan e në disa vende të tjera do të kremtohet nesër, ndërsa në Itali, të dielën e ardhshme. Ky Solemnitet – kujtoi Ati i Shenjtë – na fton ta kundrojmë Jezusin i cili, para se të ngjitet në qiell, ua beson Apostujve mandatin ta çojnë Lajmin e tij të Shëlbimit deri në skajet më të largëta të tokës.







All the contents on this site are copyrighted ©.