2009-05-20 17:42:31

Dialogu katoliko-mysliman: përfundoi takimi i Amanit


(20.05.2009 RV)RealAudioMP3 Përfundoi sot në Aman të Jordanisë, takimi i parë i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kryesuar nga kryetari, kardinali Zhan-Lui Toran, dhe Institutit Mbretëror për Studimet e Feve, kryesuar nga drejtori i tij, ambasadori Hasan Abu Nimah.
Gjatë takimit, kushtuar temës ‘Feja dhe shoqëria civile’ – njofton një komunikatë përfundimtare – të dyja palët nënvizuan se fetë duhet të luajnë një rol të posaçëm në shoqërinë civile, duke dhënë kontributin e tyre për të mirën e përbashkët e duke u ngritur përmbi interesat politike, larg çdo etjeje për pushtet.
Pjesëmarrësit nënvizuan rëndësinë e edukimit të të rinjve me vlerat e respektit reciprok e të kulturës së dialogut, të mospranimit të dhunës e të promovimit të bashkëjetesës paqësore. Të dyja palët ripohuan rëndësinë e demokracisë e të shtetit të së drejtës, që respekton të drejtat themelore të njeriut, posaçërisht lirinë e drejtësinë, pakicat etnike, larmitë kulturore e fetare e barazinë ndërmjet nënshtetasve. U nënvizua edhe roli që mund të luajnë fetë për fuqizimin e pjesëmarrjes në jetën shoqërore, duke dhënë kështu kontributin për ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme e të begatë, mbi bazën e parimit të ndihmës e të solidaritetit.
U vendos edhe që takimi i ardhshëm të mbahet në Romë brenda dy vjetësh, i paraprirë nga një bisedë parapërgatitore. Tema dhe data mbeten për t’u caktuar.
Ndërmjet të tjerëve, në takim, për palën katolike, e morën fjalën imzot Pier Luigji Çelata, sekretar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar; imzot Frensis Çulikat, nunc apostolik në Jordani e në Irak; imzot Jaser Ajash, metropolit greko-katolik në Jordani; imzot Salim Sajeg, mëkëmbës patriarkal latin për Jordaninë.
Në delegacionin mysliman bënte pjesë edhe Sejed Muhamed Ali Abtahi, kryetar i Institutit për Dialogun Ndërfetar në Iran; Muhamed al-Sharkavi, pedagog pranë Universitetit të Kairos; profesor Abdul Naser Abul- Basal, drejtor i Universitetit Botëror Islamik për Shkencat e Arsimin (World Islamic Science and Education University); profesor Saoud el Mavla, i Universitetit të Beirutit. Në sesionin publik, mbajtur në përfundim të bisedimeve, kardinali Toran dhe princi El Hasan bin Talalal, falënderuan pjesëmarrësit për kontributin që dhanë gjatë takimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.