2009-05-19 17:01:06

Presidenti i Sri Lankës lajmëron bashkimin përfundimtar të vendit pas 30 vjetësh luftë civile.


(19.05.2009 RV)RealAudioMP3 “Një vend i lirë nga terrorizmi”. Me këto fjalë iu drejtua sot parlamentit të Sri Lankës presidenti Mahinda Raxhapaksa. Në fjalimin e tij kryetari i shtetit përmendi asgjësimin e rebelëve tamil nga ana e forcave të ushtrisë së rregullt në veri të vendit, duke pohuar se Sri Lanka tashmë “është plotësisht e bashkuar, për herë të parë pas tridhjetë vjetësh”. Por ndërsa kryetari i shtetit fliste, Agjencia Tamilnet deklaroi se gjenerali rebel Velupilai Prabhakaran nuk është dorëzuar. Sidoqoftë ky lajm u përgënjeshtrua menjëherë nga burimet zyrtare të ushtrisë të cilat theksuan se udhëheqësi i terroristëve është zënë rob. Por, mbi situatën e krijuar nga lufta civile dhe pasojat e saja, le të dëgjojmë në mikrofonin tonë kryeipeshkvin e Kolombos, Imzot Osvald Gomis:

Përgjigje: Ajo çka ne po bëjmë aktualisht është zgjidhja politike e problemit. E në fakt presidenti duke folur sot paradite tha se nuk ka “pakicë” apo “shumicë” në Sri Lankë. Jemi të gjithë një komb i vetëm. Mendoj se kjo qe një deklaratë e lartë. E dyta, do të gjejmë një zgjidhje politike tonën, që do t’u japë të gjithëve në vend të drejta të barabarta. Sot paradite isha në parlament së bashku me të tjerë, dhe kjo u tha gjatë fjalimit drejtuar kombit.

Pyetje: Mediat po flasin për qindra e mijëra njerëz, gra e fëmijë, viktima të luftës të cilët tani duhet të përballojnë problemin e shtëpisë që nuk e kanë, të vendit ku do të shpërngulen por që nuk e dinë se ku etj.

Përgjigje: Po, janë shpëngulur në kampe të ndryshme dhe shumë shtete kanë ofruar çadra etj. Kuptohet, nuk kemi rehati absolute, por të shpërngulurit do të sistemohen shumë shpejt dhe do të kthehen në vatrat e tyre sa më parë.

Ajo që trondit dhe që shqetëson janë kushtet tepër të vështira të cilat përjetuan civilët e marrë peng nga terroristët. Në fjalimin e tij mbajtur në parlament presidenti Raxhapaksa i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare ndihma për refugjatët dhe investime për të ndihmuar zhvillimin e zonës veriore të Sri Lankës. Ja si u shpreh në lidhje me këtë problem në mikrofonin tonë përgjegjësi për zyrën ndërkombëtare të Karitasit italian Paolo Beçegato:

Përgjigje: Bëhet fjalë për 300 mijë të shpërngulur me njëqind mijë probleme. Në veçanti kemi problemin e të moshuarve, atë të grave, mbi të gjitha të grave shtatzëna. Po ashtu, një ndër tre vetë vuan nga problemi i mosushqimit, një ndër katër ka problem higjienën etj.







All the contents on this site are copyrighted ©.