2009-05-18 17:39:00

Papa në Mbretëreshën Qiellore: kujtimi i Tokës Shenjte e thirrje për situatën humanitare në Sri Lanka.


(18.05.2009 RV)Dje, gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa kujtoi shtegtimin e tij të sapopërfunduar në Tokën Shenjte, duke njoftuar se do të flasë më shumë për vizitën e tij apostolike në audiencën e ardhshme të përgjithshme të së mërkurës. Bëri, pastaj, një thirrje të fuqishme për krizën humanitare në Sri Lanka.

“Kjo tokë, simbol i dashurisë së Hyjit për popullin e vet e për mbarë njerëzimin, është edhe simbol i lirisë e i paqes, që Zoti e dëshiron për të gjithë bijtë e vet”: kështu u shpreh Benedikti XVI duke kujtuar Tokën Shenjte, për të shtuar, më pas, se historia e djeshme, ashtu si ajo e sotme, tregojnë se pikërisht kjo Tokë u bë edhe simbol i së kundërtës, i përçarjeve e i ndeshjeve të pafundme të vëllaut me vëlla. “E si është e mundur të ndodhë një gjë e tillë?”- pyeti Papa me dhimbje të thellë, duke pohuar se kësaj pyetjeje duhet t’i përgjigjen zemrat tona, sepse të gjithë e dimë që kjo tokë lidhet ngushtë me planin misterioz të Hyjit e se këtu, siç shkruan Shën Gjoni – “Ai dërgoi Birin e vet si flije pajtuese për mëkatet tona”. Na përket, prandaj, të gjithëve tha Benedikti XVI e më pas pohoi:
“Toka Shenjte thirret ‘Ungjilli i pestë’ sepse këtu mund të shikojmë, madje të prekim, realitetin e historisë që bëri Hyji me njerëzit, duke nisur nga viset e jetës së Abrahamit, deri tek viset e jetës së Jezusit, nga mishërimi, deri tek varri i zbrazët, shenjë e ringjalljes së Tij. Po, Hyji hyri në këtë tokë, veproi me ne në këtë botë. Por mund të themi edhe më: Toka Shenjte, për vetë historinë e saj, mund të konsiderohet një mikrokozmos, që përmbledh në vetvete rrugën e mundimshme të Zotit me njerëzimin, rrugë që – me mëkatin – nënkupton edhe kryqin. Por me begatinë e dashurisë hyjnore, e gjithnjë edhe me gëzimin e Shpirtit Shenjt, ringjallja tashmë filloi e është rrugë që, duke nisur nga luginat tona të lotëve, shkon drejt Mbretërisë së Hyjit. Kjo Mbretëri nuk është e kësaj bote, por jeton në këtë botë e duhet të depërtojë në të me forcën e drejtësisë e të paqes”.
Më pas, duke u shkëputur nga teksti zyrtar, Papa shtoi:
Historia e shëlbimit fillon me zgjedhjen e një njeriu – Abrahamit – e të një populli – Izraelit. Por qëllimi i saj është universaliteti, shëlbimi i mbarë popujve. Në historinë e shëlbimit gërshetohen pambarimisht e veçanta me universalen”.
E më pas, gjithnjë jashtë tekstit zyrtar, Benedikti XVI preku temën e dialogut ndërfetar:
“Ta druash Zotin e të jetosh sipas drejtësisë së tij: ta nxësh këtë mësim e t’ i hapësh kështu portat për mbretërinë e Hyjit: ky është qëllimi kryesor i çdo dialogu ndërfetar”.
Benedikti XVI nënvizoi se shtegtimi i tij në Viset Shenjte ishte edhe vizitë baritore në gjirin e besimtarëve, që jetojnë në ato vise të bekuara e njëkohësisht tragjike, shërbim për bashkimin e të krishterëve, për dialogun me hebrenjtë e myslimanët e për sigurimin e paqes:
“Do të dëshiroja sidomos të falënderoj Zotin që më dha hirin ta çoj deri në fund këtë shtegtim apostolik kaq të rëndësishëm. Falënderoj edhe të gjithë ata, që dhanë ndihmesën e tyre: Patriarkun latin dhe barinjtë e Kishës në Jordani, në Izrael e në Territoret Palestinese; Françeskanët e Rojtarisë së Tokës Shenjte, Autoritetet civile të Jordanisë, të Izraelit e të Territoreve Palestineze, organizatorët, forcat e rendit. Falënderoj priftërinjtë, rregulltarët e besimtarët, që më pritën aq përzemërsisht si dhe të gjithë ata, që më shoqëruan e më ndihmuan me lutjen e tyre. Faleminderit të gjithëve nga thellësia e zemrës”.
Pasi foli për shtegtimin apostolik, aq sa e lejonte koha e kufizuar e lutjes së Mbretëreshës qiellore, Papa njoftoi se do t’ i kushtojë më shumë kohë kësaj ngjarjeje të madhe për Kishën universale, në audiencën e përgjithshme të së mërkurës së ardhshme.
Më pas, mendimi i Atit të Shenjtë shkoi në Sri Lanka, me shqetësim të thellë për civilët që ndodhen në zonën e luftimeve në Veri të vendit. Është fjala – shpjegoi - për mijëra fëmijë, gra, pleq, të cilëve lufta u dogji vite të tëra jete e, bashkë me to, edhe shpresat për një ardhmëri më të mirë:
“Dëshiroj edhe një herë t’u drejtoj një thirrje të ngutshme palëve ndërluftuese, që ta lehtësojnë evakuimin e bashkoj zërin me atë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i cili pak ditë më parë kërkoi garanci për paprekshmërinë e për sigurinë e tyre. Kërkoj akoma nga institucionet humanitare, përfshirë edhe ato katolike, të bëjnë ç’është e mundur për të plotësuar nevojat më të ngutshme ushqimore e mjekësore të refugjatëve”.
Në përfundim Papa përshëndeti në gjuhët përkatëse grupet e shumta, që kishin mbushur përplot Sheshin e Shën Pjetrit, nën një diell përvëlues, duke u kujtuar të gjithëve shtegtimin në Tokën Shenjte e duke i ftuar të luten për trojet e Jezusit.







All the contents on this site are copyrighted ©.