(18.05.2009 RV)Kur Engjëlli u largua prej saj, pasi i kishte kumtuar lajmin
e madh të Mishërimit e kishte marrë pohimin e saj, Maria e dinte se kishte ndodhur
diçka e jashtëzakonshme, se kishte filluar kapitulli i fundit i historisë së shëlbimit
të botës. E megjithatë gjithçka rreth saj kishte mbetur fare e pandryshuar e fshati
i humbur i Nazaretit nuk e dinte fare se ç’i kishte ndodhur vajzës së panjohur, e
cila do të bëhej më e njohura mbi të gjitha gratë, që kanë ecur në shtigjet e kësaj
bote. E Maria, pa menduar fare për vetveten, u vu me ngut për udhë, për të arritur
në shtëpinë e së kushërirës, ku ndodhi një ngjarje që asnjë piktor nuk mund ta realizojë
me gjithë bukurinë e thellësinë e saj të pakapshme, sepse të dyja gratë ishin rrethuar
nga drita e Shpirtit Shenjt. E Elizabeta, e ndriçuar nga Lart, brohoret fjalët, që
më pas do të shqiptohen në shekuj në të gjitha gjuhët e botës: “Bekuar je mbi të gjitha
gratë, e i bekuar, fryti i kraharorit tënd! Nga e pata fatin të vijë tek unë Nëna
e Zotit tim? Ja se, sapo zëri i përshëndetjes sate arriti në veshë të mi, foshnja
prej hareje, kërceu në kraharorin tim. E lumja ti, që besove se do të plotësohet çka
të qe thënë prej Zotit”. Këto fjalë mund të na duken të tepruara në rrethanat e sotme.
Elizabeta ishte një grua në moshë e Maria, një vajzë e panjohur prej një fshati të
humbur të Galilesë. Ç’mund të bënin, në një botë ku vlerësohen njerëz të tjerë e peshojnë
pushtete të tjera? Gjithsesi Maria na mahnit përsëri: zemra e saj është e kulluar,
krejtësisht e hapur për dritën e Hyjit; shpirti i saj është pa mëkat, mbi të nuk peshojnë
mburrja e egoizmi. Prandaj i buçet nga zemra kënga e lavdërimit, lexim i vërtetë dhe
i thellë i gjithë historisë së njerëzimit: “Shpirti im madhëron Zotin”. Maria pranon
madhështinë e Hyjit. E kjo është ndjenja e parë dhe e domosdoshme e fesë. Ndjenjë
që i jep siguri, e çliron nga frika dhe e bën ta shikojë me sytë e fesë veprën e Zotit
në histori. Prandaj është e lume, sepse e pranoi Fjalën e Zotit, që u mishërua në
kraharor të saj. Feja e saj e bëri të shikonte se fronet e njerëzve të pushtetshëm
në këtë botë janë të përkohshme, ndërsa froni i Hyjit është i vetmi shkëmb që nuk
lëkundet as nuk shembet në jetë të jetëve. E kështu himni i Marisë ‘Magnificat’ mbetet
në shekuj shpjegimi më i vërtetë e më i thellë i historisë. Ta jetojmë deri në
fund majin e Zojës me ‘Magnificat’ në zemër, t’i ngjasim Asaj, duke qenë gjithnjë
të gatshëm për t’i ndihmuar vëllezërit, që të mundemi kështu, t’i lartojmë edhe ne
Hyjit këngën e gëzimit e të mirënjohjes pa kufi.