Konferenca e Paqes 1919, kur Papa Benedikti XV mbrojti Korçën e Gjirokastrën nga grekët
(18.05.2009 RV) Po i paraqesim lexuesit një dokument historik që paraqet
fakte që sot shumë pak dihen ose anashkalohen, rreth asaj se çfarë ndodhi në Konferencën
e Parisit në vitit 1919 në lidhje me kufijtë e Shqipërisë. Kjo është një leter e Emzot
Luigj Bumçit aso kohe ipeshkëv i Lezhës që ja dërgon redaksisë së revistës “Hylli
i Dritës” në vitin 1934 për botim. Kjo letër hedh dritë mbi ndërhyrjen që bëri Papa
Benedikti XV pranë ambasadorve të Anglisë e të Amerikës, duke i shpëtuar nga aneksimi
që deshi t’u bëj Greqia dy krahinave shqiptare: Korçës dhe Gjirokastrës. Në
konferencën e Parisit kishin shkuar shume delegacione shqiptare si përfaqësues të
Shqipërisë. Këto delegacione nuk arritën të bashkohen për të pasur një delegacion
të vetëm, pse ishin të gjithë të përçarë sepse i përkisnin rrymave të ndryshme politike
që në atë kohë kishin dëshirë dhe ambicje të merrnin drejtimin e vendit. Atëherë u
vendos që si përfaqësues i të gjithë shqiptarve të ishte Emzot. Luigj Bumçi me delegacionin
e tij që përfshinte të gjithë shqiparët e të gjitha krahinave. Si sekretar u vendos
Át Gjergj Fishta që me këtë rast pat pergatitë edhe fjalimin e famshëm “Të drejtat
e Shqipnisë dhe kufijtë e saj”. Kjo dëshmi e Ipeshkvit Luigj Bumçit që
u botua në të perkohshmen françeskane nuk u kundërshtua nga ata pjestar që kishin
marrë pjesë në delegacionin për në Konferencën e Parisit, ku disa prej tyre ishin
ende gjallë kur u bë publike kjo dëshmi historike. Kjo gjë e përforcon edhe më, dhe
e verteton si një fakt historik të ndodhur ashtu siç na e difton Emz. Luigj Bumçi,
protagonisti kryesor i atyre ngjarjeve jetike për vendin tonë. Sigurisht
mund të themi se ndërhyrja e Benediktit XV për të mbrojtur Korçën dhe Gjirokastrën
nga rreziku grek nuk u bë për arsye fetare, pse sikurse dihet këto dy krahina ishin
me shumicë myslimane, por nga drejta natyrore që çdo kombë ka për kufijtë e vet. Selia
e Shenjtë dhe “çeshtja shqiptare” Përpara se të kalojmë të ekspozimi
i letrës – dokument, duam t’i hedhim një veshtrim sintetik historisë së Shqipërisë
në marrëdhënie me Selinë e Shenjtë, ku vërejmë se kjo nuk është hera e parë e as e
vetme që një Papë ndërhyn në mbrojtje të çeshtjes shqiptare. Kjo mbështjetje e Selisë
së Shenjtë vinte edhe nga fakti se Shqipëria ishte një vend me fe katolike dhe që
kishte pësuar një kalvar të dhimbëshem për këtë identitet, jo vetëm për këtë, por
kjo ndihmesë morale, politike e kulurore donte të tregonte se çdo popull dhe kombë
ka të drejtë të vetëqeveriset dhe të jetoj i lirë në trojet e veta, të këtë gjuhën,
zakonet dhe historinë e tij. Papët në mbrotje të pamvarësisë
territoriale Po lëmë jashtë vështrimit kohën e lavdishme
të fatosit kombëtar Gjergj Kastriotit ku pati mbështjetjen e disa Papëve përkatësisht
katër Papëve. Mbas pushtimit turk Shqipëria u fut në një labirint vuajtje, persekutimi
fetar dhe mjerimi më shumë se sa popujt e tjerë të Ballkanit. Por as në këto kohë
të zymta nuk u harrua nga Selia e Shenjtë, dhe gjatë kësaj periudhe ne konstatojmë
se mbështjetja e Papëve nuk i mungoi dheut të arbënit, pra është e lidhur ngushtë
me pavarësinë tonë kombëtare. Po e rreshtojmë këtu sa më shkurtë disa fakte
konkrete në lidhje me këtë çeshtje. Papa Pio V në vitin 1571 mendon të
emëroi një kardinal për Shqipërinë, dhe i jep si mbrojtës kardinalin Santoro që të
merret me çeshtjen shqiptare. Pas këtij emërimi kemi emërimet e disa kardinalëve tjerë
që të merren më problemin e Shqipërisë pra për lirimin e saj nga pushtuesi anadollak.
Gregari XIII viti 1584 mendon për lirimin e Shqipërisë nga zgjedha azijatike, ndersa
Papa Klementi VIII në vitin 1593 merr parasysh lutjen që i bëjnë krenët e Shqipërisë
për liri dhe në vitin 1595 jep një shumë të hollash për realizimin e këtij qellimi.
Po ashtu në vitin 1597 anijet e Papës me ato të Venedikut mundohet të lirojnë Vlorën
nga kthetrat osmane. Ndërsa Papa Pali V në vitin 1603 ia rekomandon mbretit të Spanjës
Filipit III çeshtjen e lirisë tonë si dhe i porositë dy të dërguar nga Shqipëria që
kishin shkuar për këtë çeshtje. Urbani VIII në vitin 1624 grish Patriarkun e Ohrit
që të bashkohet me të në luftë kundra Turkut. Gjithashtu në vitin 1684 Papa sëbashku
me anijet e Venedikut mundohen me i ardhë në ndihmë Shqipërisë e lirojnë Prevezen.
Papa me gjak shqiptar në vitin 1711 ndërmjetson pranë Republikës Veneciane për me
i ardhë në ndihmë malsorve të Kelmendit që po luftojshin për liri. (Shih revisten
Leka 1937, 457 – 460). Edhe mbas këtyre viteve deri në 1912 nëse konsultojmë analtet
e Urdhërit Françeskan si dhe ato të Selisë së Shenjtë, kronikat e ndryshme, ditarët
e disa misonarve, hasim në shumë raste të tjera ku Papët intersohen për çeshtjen shqiptare,
për gjendjen e saj shoqërore, kulturore e territoriale. Ndihmesa e Papëve
në përhapjen e kulturës shqiptare Në këtë paragraf të shkurtër duam të
sjellim në kujtesën tonë ndihmesën e vyer që dha Selia e Shenjtë për perhapjen e Kolegjeve,
shkollave shqipe si dhe botimin e librave po në këtë gjuhë përgjatë shekujve jashtë
kufijve të tokës arbnore. Për punën e madhe që bënë kleriket e Kishës Katolike e në
veçanti misonarët françeskan për perhapjen e kultures dhe të shkollave shqipe në Shqipëri
gjatë pushtimit osman, meriton një studim të gjatë e një trajtim në vete. Një herë
tjetër do të merremi me këtë. Në vitin 1577 kemi Kolegjën e ritit grek
themeluar në Romë edhe për shqiptarët arbëreshë prej papës Gega XIII. Po në vitin
1584 – 85 ky Papë mendon edhe per një Seminar shqiptar në Bari e Leçe ku gjendeshin
shumë shqiptar të shpërngulur nga dheu i tyre. Mbas kemi themelimin e Kolegjës Ilirike
të Loretit, e rithemeluar nga Urbani VIII në vitin 1627 edhe për shqiptar. Po ashtu
i njëjti Papë me datë 17 dhjetor të vitin 1631 me një breve të posaçme mkambi rishtas
Kolegjën Baziliane në Romë. (Shih: Hylli Dritës, 1921, n. 4, fq. 163) po ashtu kemi
edhe themelimin e Kolegjës Ilirike e Fermos nga Aleksandri VII në vitin 1631. Ndërsa
në Himarë çilen dy shkolla njera nga Klementi IX 1670 e tjetra prej Klementit X. Papa
Klementi XI me origjinë shqiptare jep një shumë të hollash për shqiptarët në Kolegjën
e Propagandës. Në Romë në kuvendin Françeskan San Pietro in Montorio me 20 prill 1711
u vendos me urdhër të Papes Klementit XI të jepej si gjuhë mësimi edhe gjuha shqipe
per misionarët qe do te vinin në Shqipëri. Si fryt i kësaj iniciative u shkrua Gramatika
e parë shqip në vitin 1716 nga P. Françesko Maria Da Leçe. (Shih: Hylli i Dritës,
vitit 1931, n. 4, fq. 217 – 218; Hylli i Dritës, 1933, n. 5-6, fq. 239). Në Palermo
ku janë të vendosur shumë arbërsh u themelua Kolegja në vitin 1730. Kemi edhe Kolegjën
e Ulanos të hapur në vitin 1732 prej Klementit XII, italo-shqiptar nga nëna. Në vitin
1740 Klementi XII duke çuar në vend dëshirën e Klementit XI themeloj kolegjën italo-shqiptare
di San Adriano në S. Demetrio Corone. (Hylli i Dritës, 1921, n. 4, fq. 163). Nuk mund
të lëmë pa përmendur edhe Kolegjën e Grottaferratës në Romë, ku në bibliotekën e saj
ruhen edhe dorëshkrime në gjuhën shqipe, etj. Jo vetëm në hapjen e shkollave,
seminareve për shqiptarët, por Selia e Shenjtë dha një ndihmesë të çmuar edhe në botimin
e librave shqip në atë kohë kur Shqipëria lëngonte e robëruar nën Turqi. Propaganda
Fide (Propaganda e Fesë) e themeluar në Romë në vitin 1622 dha një ndihmesë të madhe
dhe deçizive për botimin e librave në gjuhën shqipe, kjo ndihmesë vashdoi për gati
pesë shekuj. Për botimin e librave në gjuhën shqipe mund të themi shkurtazi se kemi
më shumë se 31 libra të botuar me anë të shtypshkronjës së Propagandës në Romë, duke
filluar që nga viti 1618 me Budin, Mons. Fr. Bardhin, me Fra Françesko Maria Da Leçe,
etj. Të gjithë këto libra kanë një rëndësi të madhe për ruajtjen e identitetit gjuhësor
e kombëtar të Arbnorve. (Shih revisten Leka 1937, 460 – 461). Në shikim
të parë mund të duken shumë pak 31 libra të botuar në atë periudhë për kohën që jetojmë
sot, por për atë kohë për çdo botim në gjuhën shqipe ose edhe nëse të gjenin libra
në gjuhën shqipe rrezikoje jetën dhe përsekutime nga më të ndryshme. Kjo
që thamë më lartë është thjeshtë një penelatë nga ajo që mund të shkruhet mbi ndihmesën
dhe kontributin që Papët dhe Selia e Shenjtë i dhanë popullit shqiptar nëpër rrjedhat
e historisë së tij. Nji fletë e ré në historín kombtare Ndolljen
me tana rrethanat, si tregon shkresa, të cilen, fjalë për fjalë ktû po e botojm, patem
rasë me ndie mâ se nji herë prej sa misvet të dergatës shqyptare në Paris. Kshtu flitte
i ndyeri Luigj Gurakuqi, kshtu na e verteton Drejtori i jonë Á. Gjergj Fishta, at
herë sekretár i Dergatës, e kshtu, pat mirsín, si mbas kerkesës s’onë, me na e vertetue
edhe me shkrim i Përndritshmi Emz. Luigj Bumçi, at herë kryetár i dërgatës shqyptare
në Konferencën e Parisit. Per randsí qi ká ky dokument në historín e ndertimit t’onë
porsì shtet e per skjarim të sa paragjykimevet të tashme e t’ardhshme mbi kontributin
e klerit katolik per çashtjen kombtare, teksualish i a njohtojm publikut shkresat
e çmueshme qi kemi në dorë. Ky dokument ka randsí nji herë mâ të madhe, kurse Korçë
e Gjinokaster nuk janë vise të banueme prej katolikve. Sh. R.
Fort
i Nderti Át Ma falni, Ju lutem, pse vonova me i pergjegjë letres s’Uej,
me të cillen më lypshi si pat rrjedhë puna se pështoj Korça e Gjinokastra nga akordi
Tittoni-Venizelos – akord i cilli ja lëshonte Greqís te dyja provinçet shqyptare të
siperpermendme. Qe si ndolli puna: Qyshë në Qershuer të vjetës
1919 kjeçë zgiedhë Kryetár i Dergatës s’Onë në Paris. Me 9 Tetuer t’asajë
vjete fletorja “il Giornale d’Italia” lajmon çiltas se “mas akordit Tittoni – Venizelos
dy Provinçiet Shqyptare, Korça e Gjinokastra do t’i epen Greqís”. Dergata e jonë at
herë me të shpejtë i paraqiti Konferencës së Pagjës nji protestë kundra ktí akordi.
Me 9 Nanduer 1919 po ajo Gazetë boton prep ato fjalë, d.m.th. mas akordit
Tittoni-Venizelos Korça e Gjinokastra do t’i dorxohen Greqís. At kohë Dergata
e jonë më ngarkoj me u pa me Z. Tittoni-n qi ndollej në Paris mas hikjes së Z. Orlando-s
e Sonnimo-s, qi ishte Kryetár i Dergatës italiane. Edhè une u takova me tê, por gjâ
konkrete prej bisedimit nuk mujta me xjerrë. Në mbledhje qi Dergata mbajti
n’e nesre, ja diftova gjith misvet bisedimin me Z. Tittoni-n. Prep me 9
Dhetuer 1919 fletorja “il Giornale d’Italia” e persritë po ato fjalë mbi Korçen e
Gjinokastren. N’at kohë Z. Tittoni nuk gjindej në Parisë, e vendin e tí e kishte xânë
Z. Scialoja. Shkova edhè te ky, por pa kurrfarë rezultati. Ishte,
per sá mbajë mênd, 21-22 Dhetuer 1919 kurse në mbledhje qi patme, të gjith misat e
Dergatës, e nder ta ma i nxeti e ma i pari, e ndieri Z. Myfid Libohova, m’u lutne
t’a bâjshe nji sakrific per atdhen t’onë e t’u nisëshe për Rome, ku të bâjshe çë mos
per me pase audjencë prej Shêjtnís së tij Papës Benedikt XV. Atí të Ja parashtrojshe
gjendjen e rrezikshme të dy provinçeve t’ona, Atí t’i lypshe ndimë qi Shêjtnija e
Tí t’i pështonte. Ju pergjegja shokve n’at mbledhje se lutja n’at punë
nuk kishte vênd, se çashtja e Shqypënís ishte çashtja e të gjithve bashkë e e secillit
nder né: prá kjè se Dergata e shef të nevojshme qi une si Kryetari i sajë t’a bâj
udhtimin per Romë, ket udhtim e kam me detyrë. Kështu u vêndue qi unë bashkë me Z.
Mehdi Frasherin t’u nisëshim per Romë. Me 26 të Dhetorit u nisme e me 28
mërrime në kryeqytetin e Italís. S’kaluen trí kater dit xora audjencën
e u gjeta perpara Shêjtnís së Tij Papës Benedikti i XV. Bisedimi nuk kjè
i gjatë, kjè i shkurtë mjeft, por edhè pse i shkurtë kje i mjeftueshem per qellimin
t’onë. Si ja diftova pse kishe marrë udhtimin per Romë, e pse u gjindëshe
perpara Shêjtnís së Tij, kuvêndin e mbylla me kto fjalë: “tesh pra, Shêjtní, të gjith
misat e Dergatës shqyptare qi janë në Paris e qi shumica âsht mysliman, më kan çue
ktu perpara Shêjtnís s’Uej e të gjith per nji gojë U luten qi me fuqn t’Uej morale
e me influencen e madhe qi keni në boten marë, të na epni ndihmen t’Uej të vlefshme
si e ku dini Ju Vetë, qi të na pështojnë dy provinçet shqyptare Korça e Gjinokastra,
të cillat janë në rrezik prej akordit Tittoni-Venizelos”. Mbasi marova
fjalët e mija, Papa Shêjt, si pat ndêjë nji grimë herë pa bâ zâ, u suell e me tha:
Po shka të bâj per Ju? Me Italí s’kam shka me bâ, e din gjith bota si jena: me Francë
marrëdhanjet janë këput – shka të bâj? Mora guxim e i pergjegja: A m’epni
lejen me folë, Shêjtní? Fol, fol me tha, shka të kesh me thanë thueje. Un kishe me
thanë, Shêjtní, se bota s’ká metë vetun në Italí e në Francë; - ká në botë edhe Anglí
Shtete te Bashkueme t’Amerikës. Bani buzën në gaz, e me i’herë më pergjegji: ké të
drejtë. E pra neser do të piqemi me Ambasadorin e Anglís, masnesri me atê të Shteteve
të Bashkueme; e po t’ap fjalen se me te dy kam me folë e me ja porositë dy provinçet
qi kenkan në rrezik e kam me bâ shka të mundem per me Ju ndihmue. Zoti ká m’e bâ mirë
se prei Konferencet të Paris-it mos pritni punë të mira pse Zotin e kan qitë jashtë,
e atý kû s’asht Zoti drejtsija s’mundet me kênë. Une at herë qi kishe bâ
gati nji memorandum per me ja lânë, tuj e nxjerrë prei xhepit e tuj e mbajtë në dorë:
Shêjtnija e Juej i thaçë, ká punët e botës marë, e prandej a kam lêjen me Ju lanë
ket memorandum qi mos t’a harroni çashtjen t’onë? Po, po, lêne ktu pse nuk kam m’e
harrue. U çova e i rashë ne të dy giûjt. Ju fala nderës sá mujta, e si mora bekimin,
at herë dola krejt i kënaqun e shkova tuj mêndue me vedi: A thue po na shkon kot ky
udhtim qi prej Paris-it bâme deri ktu? Gjith kjo shpresë qi fjalët e Shêjtnís së Tij
më njallne në zemër, a mundet me më rrêjtë? Jo, jo s’mundet me kênë kurr. Sa dola
prej Vatikanit u poqa me Z. Mehdi Frasherin të cillit ja diftova fjalët qi më tha
Benedikti XV, edhè ky Zotní met faret i kënaqun tuj shpresue se me nderhymje të Papës
Korça e Gjinokastra kishin pështue. Me gjith kto shpresa të mira në zemër,
kthyeme në Paris ku me padurim po na pritëshin shokët. Kur u mblodhme ne
zyren e Dergatës, i parashtrova shkurtazi nji ekspozé të misjonit t’onë në Romë, e
kur në fund u diftova bisedimin e Shêjtnís së Tij, e si na dha fjalen se do t’u mundote
per çashtjen t’onë, per të cillen kishte çfaqë qyshë në fillim nji interesim të madh,
fjalët e mbrame të Shêjtit Át Papë i priten në kambë me brohorí të madhe e me duertrokitje
britne të gjith nji zâni: Rroftë Papa! Korça e Gjirokastra kan pështue: e pështuene
pernjimend. Kjo âsht rrjedhja e vertetë. Kjo âsht nji faqe e historís s’onë.
Kallmet 30 Mars 1934 † LUIGJ BUMÇI IPESHKVI I LEZHËS
( Shkrue nga ÁT VITOR DEMAJ; Marrë nga revista
françeskane: Hylli i Dritës, 1934 vj.X – Mâj - nr. 5, fq. 219-222).